Sinani: Mungesa e pagave nuk është problem që duhet të ndikojë te rezultatet e ekipit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2017 | 10:35

Sinani: Mungesa e pagave nuk është problem që duhet të ndikojë te rezultatet e ekipit

Goleadori i mirënjohur shkodran, Vioresin Sinani, njëherësh edhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës, ka theksuar faktin se aspekti financiar nuk duhet që të jetë si justifikim. Vonesat kësaj here janë më të shumta, por Sinani tregon për “Panorama Sport” se pagat janë të sigurta. Mosmbledhja e Asamblesë vjen edhe si shkak i angazhimeve që kanë anëtarët e saj dhe ai shprehet se kjo situatë do të kalojë shumë shpejt. E kjo mbledhje, ku edhe vetë Sinani është pjesë, pritet që të zhvillohet në ditët në vijim.

Vioresin Sinani

“Është ndoshta një gjë jo e mirë që ekipi s’i ka marrë akoma pagat, por kjo nuk duhet që shikohet si një problem që duhet të ndikojë në rezultatet e ekipit. Lojtarët duhet ta dinë mirë se lekët janë të garantuara dhe vetëm se vonojnë. Kush i ka provuar ekipet e tjera, e di mirë një gjë të tillë.

Ka pasur edhe raste që nuk i kanë marrë të gjitha paratë siç kanë qenë të përcaktuara në kontratë. Nuk e di arsyen që nuk u arrit kuorumi i nevojshëm për zhvillimin e Asamblesë, por unë kam mendimin se do të mblidhet shumë shpejt e gjithçka do t’i kthehet normalitetit.

Janë këta persona që dhanë votën për kalimin e këtyre lekëve dhe nuk ka se si të njëjtët njerëz të pengonin kalimin e tyre. Por, e thashë, janë probleme individuale të këtyre personave që nuk u paraqitën për këtë mbledhje. Unë i kuptoj lojtarët, por kam besimin se edhe ata do të kuptojnë klubin për problemet provizore që ka. Nuk mendoj që kjo është çështja që po pengon rezultatet e ekipit”, tha Sinani.

SULMI

Një nga sulmuesit më të mirë të ekipit shkodran ndër vite shprehet se mosgjetja e lojtarit të duhur për repartin e avancuar gjatë merkatos ka ndikimin e vet. Vllaznia ka probleme në këtë aspekt, ku në tre takime ka shënuar vetëm 2 gola dhe asnjë prej tyre nuk është realizuar nga sulmuesit e saj.

“Po vuajnë për një sulmues tipik. Unë e kam thënë që në fillim se për të ecur përpara dhe për të synuar vendet e sipërme në tabelë, duhet që të shënohet dhe të luhet me një skuadër sulmuese. Mund të them se ne kemi bërë një merkato të mirë në mesfushë, por nuk mund të themi një gjë të tillë për sulmin. Lojtarët e këtij reparti nuk janë në lartësinë e ekipit. Këtu e shikoj me problem këtë skuadër. Ekipi po vuan për të gjetur golin dhe duhet punuar më shumë me këta lojtarë që kemi”, vijoi goleadori.

ECURIA

Katër pikë në tri javët e para deri diku mund të quhen pozitive për shkodranët. Kjo për faktin se dy prej takimeve janë luajtur në transfertë. Në fund të fjalës së tij, ish-kapiteni Vioresin Sinani, i pyetur për këtë ecuri, ka deklaruar:

“Ecuria nuk mund të quhet e keqe. Do të qajmë pikët me Teutën, por unë barazimin me Luftëtarin do ta quaj rezultat pozitiv. Një pikë ndaj një ekipi që ka cilësi është pozitive. Unë kam besim te kjo skuadër e te këta djem, por edhe të ardhurit kërkojnë kohën e tyre. Ata ende nuk janë aty ku ne i presim”, ka përfunduar Sinani.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"