Sina: Dashuria e Tiranës me Kukësin mbaroi, tani prisni “luftë”. Ekipit i mungon identiteti i dikurshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 30, 2018 | 21:31

Sina: Dashuria e Tiranës me Kukësin mbaroi, tani prisni “luftë”. Ekipit i mungon identiteti i dikurshëm

Tirana është duke vijuar rrugëtimin e saj në Kategorinë e Parë për të siguruar sa më shpejt ngjitjen në Superiore. Mirëpo, e radhës për bardheblutë do të jetë një test real nga elita e futbollit në vend. Të mërkurën, kampionët në fuqi të Superiores, Kukësi, do të jenë rivali i kryeqytetasve në Kupën e Shqipërisë.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-kapiteni i bardhebluve, Elvis Sina, analizon drejtimin e kryeqytetasve nga tregu i huaj i merkatos, “skanon” paraqitjen në të Parën, si dhe risjell edhe një herë në vëmendje atë që ai vetë e ka kundërshtuar ndër të parët një vit më parë: Llogaritë e gabuara.

evlis sina

Tirana, e përqendruar në tregun afrikan të lojtarëve për afrimet…

Kam përshtypjen që arsyeja pse klubi apo presidenti janë mbështetur në tregun afrikan, është sepse lojtarët e marrë deri më tani kanë qenë të vlefshëm. Është gjë e mirë, duke qenë edhe llogari, pasi janë futbollistë me çmim që nuk i gjen në Europë. Sa i zbeh mundësitë për lojtarët vendës dhe talentet e akademisë? Mendoj se arsyeja pse klubi bën këto afrime, është se akademia nuk prodhon lojtarë, të cilët të jenë të vlefshëm për pjesën e sezonit që ka mbetur, pasi në fund mund të ketë. Edhe trajneri nuk e ka shumë të lehtë që të marrë nga akademia dhe të bëjë eksperimente. Unë di që ekipi ka afruar nga akademia vjet. Për momentin mund të mos ketë dhe zgjedh të afrojë lojtarë “gati”.

Krahasuar edhe me të shkuarën, sa identitet ka Tirana me këta lojtarë, pavarësisht që kanë rezultuar cilësorë?

Unë do të thosha që ekipin e sotshëm s’mund ta krahasojmë fare në lidhje me identitetin që ka pasur më parë. Mund të them me plot bindjen që krahasimet janë të kota, por unë shpresoj dhe uroj që ekipi të arrijë në nivelin që të marrë identitetin e para disa viteve, të cilin shumë ekipe e kishin frikë! Shumë ekipe luteshin “aman mos na shënoni shumë gola!”. Këtë gjë ta bëjnë edhe këta çuna që janë, shumicën e të cilëve i kam shokë dhe nuk ua dua kurrë të keqen apo që të flas keq për ta. Por skuadra, duke pasur afrime të ndryshme nga tregu afrikan, duket që e ka humbur pak identitetin e vet.

Tirana është bazuar gjithmonë te pjesa e lojtarëve autoktonë, nga akademia apo lojtarët shqiptarë. Të gjithë e kujtojnë shumë mirë kur Tirana funksiononte siç ndodh me Skënderbeun sot: Të gjithë lojtarët donin të luanin për të, ashtu siç të gjithë lojtarët e Superiores duan të ikin te Korça sot. Ishte dikur dhe sot nuk është më. E kotë të krahasojmë.

Zgjedhje e imponuar nga tregu apo funksionim i klubit?

Klubi ka zgjedhur këtë strategji për momentin, pasi kështu i leverdis në kuptimin e mirë të fjalës. I leverdis të afrojë këta lojtarë me synimin që, siç pati shitje para disa muajsh, të ketë sërish. Për faktin e thjeshtë se lojtarët afrikanë janë më kollaj të shitshim jashtë vendit sesa futbollistët shqiptarë.

elvis sina

Në Kategorinë e Parë, Tirana vijon marshimin. E sheh të mbyllur historinë e ngjitjes apo përgjysmimi i pikëve do ta rihapë garën?

Duke pasur parasysh se cili ekip është, duke pasur parasysh edhe lojtarët që ka në përbërje, ishte diçka i pritshëm ky avantazh. Por, asnjëherë nuk duhet humbur vigjilenca. Të gjithë mund të të marrin pikë duke të penguar rrugën për të dalë kampion.

Kupa e Shqipërisë a duhet të jetë objektiv për Tiranën këtë vit?

Di të them që Tirana i ka të gjitha kapacitetet për ta kaluar Kukësin apo të gjitha ekipet e tjera që mund t’i dalin përpara. E them sepse shoh që harmonia në ekip është e mirë dhe këtë e tregojnë edhe rezultatet, edhe serioziteti që ka pasur ekipi në fazën përgatitore, megjithëse ndodhet në një nivel më poshtë sesa Superiorja. Mendoj që do jenë si të barabartë në pjesën e Kupës.

Sa shanse ka për kualifikim përballë Kukësit?

Mendoj se do ta kalojnë, pavarësisht se Kukësi është një ekip pretendent për kampion, por Tirana ka treguar se me ekipet e forta gjithmonë ka dalë me kokën lart.

Keni qenë ndër të parët vjet që në “Panorama Sport” ke kundërshtuar “llogaritë” e përfolura të klubit për Kupën që rënduan në kampionat. Mendoni se janë larguar “hijet” e vjetshme të duelit?

Ka qenë gabim tolerimi ndaj Kukësit. Është e vërtetë që e kam thënë ndër të parët dhe e kam ndierë diçka të tillë duke ditur vështirësinë e kampionatit. Flitej shumë për të toleruar një ekip si Kukësi në kampionat, unë s’doja ta besoja, por fatkeqësisht u bë realitet ajo që flitej. Nuk më erdhi mirë, por njerëzit në drejtim të klubit e dinë vetë sesi duan që të funksionojë ekipi. Hijet e asaj kohe kanë kaluar dhe secili do të shohë punën e vet. Nuk mendoj se do të ketë vend për të aluduar tolerimet.

Do të jetë e paragjykuar si përballje?

Jo, jo, nuk mendoj se do të jetë e tillë. Kjo, sepse ka një president shumë serioz, ka një trajner të huaj që sapo ka ardhur dhe nuk do të pranojë për asnjë moment që të bënte marrëveshje të tilla. Kjo për faktin se nuk do të jetë në të mirë të asnjërës palë dhe as të futbollit. Kam përshtypjen që do të jetë ndeshje e hapur. Pavarësisht se Kukësi mund të ketë bërë afrime shumë të forta, mendoj që Tirana do ta kalojë me sukses.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"