Simuloi me Meksikën, FIFA “fal” Robenin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 1, 2014 | 16:42

Simuloi me Meksikën, FIFA “fal” Robenin

RobenArjen Roben mund të marrë frymë lir isht. Sepse FIFA nuk do të marrë asnjë masë ndëshkimore ndaj holandezit, pasi ai pranoi se kishte simuluar në një rast në pjesën e parë kundër Meksikës. Shefja e medias në FIFA, Delia Fisher, tha se Komiteti Disiplinor mblidhet vetëm kur ka shkelje të rënda të rregullave të “fair play”-t. Ajo tha se simulimi ndëshkohet vetëm me karton të verdhë dhe se ndaj zv/ kapitenit të “tulipanëve” nuk do të ketë asnjë masë disiplinore: “Simulimi nuk është diçka që ne duam ta shohim në fushat e futbollit, por arbitrat janë trajnuar që t’i identifikojnë këto raste dhe ndëshkojnë ato me karton të verdhë”.
Federata – Por, deri në daljen zyrtare të FIFA-s, Holanda ishte e gjitha në alarm pas “gafës” së fantazistit të Bajernit. Federata holandeze “KNVB” u detyrua që përmes një komunikate ta mohonte që Roben të kishte thënë për mediat se ai kishte simuluar, duke e justifikuar se deklarata e tij ishte shtrembëruar nga mediat. Ata e detyruan lojtarin që të shfaqet në një konferencë për shtyp në Rio pasditen e djeshme për t’u shpjeguar. “Është e turpshme, sepse pas intervistës pas ndeshjes unë u tregova i sinqertë. Ndonjëherë ti paguan çmimin e të treguarit i sinqertë. Por unë preferoj të jem i tillë. Thashë se në pjesën e parë kishte një faull ku unë u rrëzova, sepse mendova se kundërshtari do të më godiste, por ai hoqi këmbën në momentin e fundit dhe unë rashë pa asnjë kontakt. Ishte një gjest idiot nga ana ime, por nuk ndikoi absolutisht në ndeshje. Në pjesën e parë ne duhet të kishim fituar një penallti dhe ajo në fund ishte e pastër. Unë kërkoj ndjesë për gjestin, por ky është futbolli. Nga dy penallti të pastra vetëm njëra na u dha”, – deklaroi holandezi fluturues. Kur e pyetën nëse ai ishte trembur nga një sanksion i mundshëm i FIFA-s, e mohoi kategorikisht: “I frikësuar? Jo aspak. Përse duhet të isha? Unë jam një njeri i sinqertë. Ai gjest nuk ndikoi në rezultatin e ndeshjes. Ne morëm një fitore të merituar dhe jemi shumë të lumtur. Ndihem shkëlqyeshëm fizikisht dhe po e shikoj këtë Botëror”. Në fund dhe një koment për rivalen në çerekfinale: “Kosta Rika u rendit e para në një grup të hekurt. Por ne kemi ardhur për të fituar Kupën e Botës”.

” Pse se mbani premtimin për të ndëshkuar simuluesit”
Kodi Disiplinor i FIFA-s shkruan: “Cilido që thyen parimet e fair playt mund të ndëshkohet”. Ndërkohë që neni 96 thotë se regjistrimet audio dhe video mund të merren parasysh si forma prove, çka do të thotë se gjestet e simulimit të Arjen Robenit në ndeshjen me Meksikën duhen riparë. FIFA nuk e bën, edhe pse vetëm pak muaj më parë, në shkurt të këtij viti, presidenti i FIFA-s Sep Blater kërkonte dënime të ashpra për lojtarët simulues: “Prova e pamjeve televizive mund të përdoret për thyerjet serioze të parimeve të ‘fair play’-t si përplasjet fizike, pështytja e kundërshtarit, fyerjet verbale dhe ato raciste, ose për kartonët e kuq apo të verdhë të akorduar gabimisht. Në këto raste, ne duhet të përdorim të gjitha rrugët për të ndërhyrë. Në këtë kontekst, ne duhet të ndërhyjmë duke përfshirë edhe rastet kur lojtarët simulojnë sikur janë dëmtuar, simuluesit e qëllimshëm për të fituar një faull apo penallti dhe ata që kërkojnë të fitojnë kohë”, – tha zvicerani. Në rastin e Robenit nuk ka nevojë që të përdorë asnjë provë, sepse lojtari e pranoi me gojën e tij që simuloi. Një deklaratë të tillë ia kanë kujtuar Blaterit thuajse të gjitha mediat në Britani, të cilat e kanë sulmuar ashpër për standardet e dyfishta që FIFA përdor për raste të ndryshme. Dënimi ekzemplar me 4 muaj jashtë futbollit për Suarezin për kafshimin e Kielinit, është përdorur si një analogji për t’i treguar Blaterit se sa të kontestueshme janë vendimet e organizmit që ai drejton.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"