Simoni dhe Rexhinaldo qëndrojnë, Dinamo bën 10 afrime për… titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 2, 2022 | 20:18

Simoni dhe Rexhinaldo qëndrojnë, Dinamo bën 10 afrime për… titullin

Me Erisildo Smaçin e marrë nga Apolonia në ditën e fundit, Dinamo ka mbyllur merkaton e verës. Blutë kanë afruar një ekip të tërë, plot 11 lojtarë, duke llogaritur edhe Albion Markun, i cili është huazuar te Teuta për këtë sezon. Mbrojtësi i djathtë është blerja më e bujshme e verës, por nuk ngelen pas as Asion Daja, Ersil Ymeri e Ilir Allmuça, elementë të rëndësishëm që kanë lënë gjurmë edhe në Superiore.

dinamo

FEDERIMET – Në këtë listë bën pjesë edhe portieri Simon Simoni, i lakuar gjithë kohën për një kalim të mundshëm në një kampionat të huaj. Bisedimet nuk janë finalizuar dhe të paktën deri në muajin janar portieri lezhjan do të mbrojë portën e Dinamos, ku debutoi me sukses sezonin e kaluar.

Qëndron te blutë edhe sulmuesi Rexhinaldo. Afrikani ka kontratë me blutë, por ditët e fundit ishte hedhur hipoteza për një huazim të tij në ndonjë skuadër të Superiores. Në këto kushte ka qenë edhe mbrojtësi Alesio Mija, por asnjëri nga të dy nuk do të huazohet. Stafi teknik i ka konsideruar të rëndësishëm për kampionatin e ri, kështu që do të qëndrojnë. Për momentin, të huazuarit e vetëm janë Albion Marku dhe Devid Fejzulla, të dy pjesë e Teutës.

TITULLI – Me gjithë këto afrime që ka bërë, Dinamo ka si objektiv të fitojë titullin kampion në Kategorinë e Parë, pavarësisht rivalitetit. Blutë kanë një organikë të plotë dhe lojtarë me kualitet të lartë në çdo repart. Trajneri Nevil Dede ka luksin të zgjedhë për formacionin dhe të ketë një stol të kompletuar për çdo situatë.

Përveç afrimeve të shumta që janë bërë, te Dinamo kanë qëndruar nga sezoni i kaluar elementë me shumë eksperiencë, si Sabien Lilaj, Eni Imami, Edvan Bakaj, Patrik Bardhi apo dhe dy brazilianët Denison dhe Diogo. Përveç titullit në të Parën, kryeqytetasit, siç e kanë deklaruar hapur edhe drejtuesit e tyre, synojnë të shkojnë sa më larg edhe në Kupën e Shqipërisë.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"