Silva: Botërorin e fitojmë ne, Nejmar shkëlqen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 3, 2014 | 20:46

Silva: Botërorin e fitojmë ne, Nejmar shkëlqen

Silva TiagoKapiteni i Brazilit, Tiago Silva, beson se Nejmar do të jetë ylli i Kampionatit Botëror. Mbrojtësi i “Seleçaos” gjithashtu mendon se kombëtarja e tij mund të shkëlqejë në kompeticionin më të rëndësishëm të planetit. Sulmuesi 21-vjeçar, tek i cili janë të gjitha shpresat e Brazilit, ka shënuar 9 gola në vitin e tij të parë te Barcelona, ndërsa e kanë shoqëruar shqetësimet për kalimin jo në bazë të rregullave në LA Liga. Megjithatë, Nejmar ka qenë lideri i kombëtares në fitimin e Kupës së Konfederatave në vitin 2013, ku u zgjodh futbollisti më i mirë i turneut. Kapiteni i ekipit, nisur nga kjo, nuk ka pikë dyshimi se edhe këtë herë ai do të jetë lojtari që do të shkëlqejë në fushë, për më tepër që Botërori luhet në shtëpi. “Forca jonë gjithnjë ka qenë kolektiviteti. Ne jemi një ekip i mirë dhe jemi gati e shpresojmë që të mund të bëjmë një paraqitje të jashtëzakonshme në Kupën e Botës. Por mendoj se Nejmari mbi të gjithë ne është shembulli i triumfit si individ. Ai do të jetë ylli i këtij kompeticioni”, – tha lojtari për gazetën spanjolle “El Mundio Deportivo”.
Favoritet – Përfaqësuesja e “Seleçaos” është favoritja për fitimin e Botërorit, ndërsa ata do të luftojnë që ta fitojnë Kupën e Botës për herë të gjashtë në historinë e tyre. Kapiteni këmbëngul se ekipi është plotësisht i bindur se ata mund t’ia dalin, pavarësisht presionit që kanë si pasojë e pritshmërive. “Ne kemi besimin se mund të fitojmë. Unë do të bëj çmos për të gjithë ne, popullin brazilian që të mund të jetoj dhe festoj momentin special kur të ngre trofeun”, – tha mbrojtësi i PSG-së. Ai shtoi se e di që rivalët e Brazilit do t’u hapin punë dhe se përbëhen nga kampionë, megjithatë “Seleçao” mund t’ia dalë ndaj kujtdo kundërshtari. Për më tepër që prania dhe mbështetja e tifozëve do të jetë një armë më shumë në Botëror.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"