Siljanovski: Nuk është ky maksimumi i Dinamos. Duhet punë se ndryshe mundesh edhe nga Skënderbeu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 5, 2021 | 23:05

Siljanovski: Nuk është ky maksimumi i Dinamos. Duhet punë se ndryshe mundesh edhe nga Skënderbeu

Me fitoren 2-0 në derbin e Kupës ndaj Tiranës, Dinamo tregoi se ka forcën për të përballuar çdo kundërshtar, edhe kryesuesit e Superiores. Nëse me Kukësin e ndëshkoi fati, këtë herë skuadra e Bledi Shkëmbit shfaqi vlera të padiskutueshme dhe e meritoi plotësisht fitoren. Një sukses i arritur me kontributin e gjithë skuadrës, por disa elementë ranë më shumë në sy në atë 90-minutësh. Veç kapitenit Ibraimi dhe Skukës, shënuesve të golave, spikati edhe maqedonasi Goran Siljanovski, i cili nuk luajti në rolin natyral të mbrojtësit të djathtë, por në qendër të mesfushës. Në një intervistë për “Panorama Sport”, 31- vjeçari i lindur në Tetovë pohon se Dinamo është në rritje të vazhdueshme dhe më e mira, sipas tij, ende nuk ka ardhur.

siljanovski

Goran, një fitore e bukur në një ndeshje delikate dhe në një moment të rëndësishëm për ju. Çfarë ndryshoi në derbin me Tiranën?
Ishte vërtet një fitore e bukur dhe shumë e rëndësishme në një ndeshje të vështirë, siç është derbi. Ajo që mund të them është se skuadra tregoi shpirt gare në fushë, luftoi nga fillimi në fund, tregoi karakter dhe mentalitetin e duhur për të fituar derbin me Tiranën. Megjithatë, dua të theksoj se asgjë nuk ka përfunduar sa i takon kualifikimit, sepse është edhe një ndeshje. Ne duhet të jemi gjithmonë të përqendruar dhe të mos mendojmë se e kemi siguruar kalimin e turit.

A ishte kjo ndeshja më e mirë e Dinamos për këtë sezon?
Në fakt, janë disa ndeshje që po luajmë mirë, që nga fitorja me Skënderbeun në Korçë. Edhe me Kukësin luajtëm vërtet mirë, por nuk morëm rezultatin që meritonim, madje u ndëshkuam nga një episod. Ishim ne që e bëmë lojën dhe krijuam rastet, por fati nuk na ndihmoi për të marrë pikët. Këto janë situata që ndodhin në futboll. Në derbin me Tiranën, jo vetëm luajtëm mirë, por morëm edhe rezultatin që donim. Sidoqoftë, unë mendoj se Dinamo është në rritje javë pas jave dhe më e mira akoma nuk ka ardhur. Nuk është ky maksimumi i Dinamos.

Ju luajtët në një pozicion tjetër dhe u duk sikur kishit kohë që luanit në qendër të mesfushës. Jeni i kënaqur nga vetja?
Në rolin e mesfushorit kam luajtur edhe më parë, me Rabotniçkin, nuk është një rol i panjohur për mua. U mundova të bëja më të mirën, por e rëndësishme është që ne arritëm qëllimin për ta fituar ndeshjen. Personalisht, jam i gatshëm të luaj aty ku ka nevojë skuadra, ku të vendosë trajneri.

Të shtunën sërish me Tiranën në kampionat. Çfarë ndeshjeje mendoni se do të jetë?
Sigurisht, nuk do të jetë një ndeshje e njëjtë me atë të Kupës dhe ne nuk duhet të mendojmë se e kemi mundur Tiranën dhe mund të thyejmë përsëri. Gjithçka nis nga e para dhe siç e thashë që në fillim, objektivi arrihet kur je i mobilizuar dhe i fokusuar gjatë gjithë kohës. Duhet të punojmë fort, sepse kualiteti kësaj Dinamoje nuk i mungon. Të presim dhe të shohim çfarë do të sjellë e shtuna.

Jeni përballur tashmë me të gjithë rivalët, Tiranën, Partizanin, Teutën, Kukësin dhe Vllazninë. Cilin prej tyre do ta veçonit si më të fortin?
Shikoni, ky është një kampionat me shumë rivalitet, me skuadra të forta dhe nuk mund të veçoj asnjë. Konkurrenca do të jetë e fortë deri në fund. Nëse nuk je serioz në fushë dhe nëse nuk punon fort, mund të mundesh edhe nga ekipi i vendit të fundit, edhe nga Skënderbeu. Detyra jonë është të bëjmë punën tonë me vlerësim maksimal, ndaj çdo kundërshtari. Dinamo e tregoi se çfarë mund të bëjë dhe nga java në javë do të përmirësohet më shumë.

A mund të shkojë kjo skuadër në Kupat e Europës?
Shpresojmë shumë që ta arrijmë objektivin e klubit. Kemi kualitet dhe po rritemi në lojë. Jam optimist për të ardhmen e Dinamos.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"