Siguruan 3 milionë euro në 1 muaj, ja sa përfituan klubet e Superiores nga Europa (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2021 | 23:20

Siguruan 3 milionë euro në 1 muaj, ja sa përfituan klubet e Superiores nga Europa (E PLOTË)

Klubet e Kategorisë Superiore mbyllën këtë të enjte rrugëtimin e tyre në Europë, me eliminimin e dy skuadrave të fundit që kishin mbetur në garë, Teutës dhe Laçit, të cilat po luftonin për kalimin në “play off” të Ligës së Konferencës.

liga e konferences

Pjesëmarrja e skuadrave shqiptare mund të cilësohet e suksesshme në aspektin sportiv, duke llogaritur se për të dytin vit radhazi kaluan të gjitha të paktën një tur.

Kjo pa dyshim ka sjellë sukses edhe në aspektin ekonomik, pasi për rreth një muaj në aktivitet, katër klubet e Superiores sollën 3 milionë euro të ardhura vetëm nga paratë e UEFA-s në futbollin e vendit tonë.

Nëpërmjet skemës së re të përfitimeve financiare, tashmë UEFA u paguan skuadrave pjesëmarrëse 100 mijë euro për shpenzimet në çdo tur pjesëmarrës dhe pastaj një kuotë të caktuar fikse në momentin kur eliminohen nga gara gjatë kualifikueseve në Ligën e Konferencës.

Në total, falë ecurisë së katër klubeve të Superiores, janë siguruar 3,06 milionë euro të ardhura nga premiot që cakton UEFA për pjesëmarrjen në aktivitetet e saj.

“Panorama Sport” ju sjell ndryshimet më të fundit në rregulloren e UEFA-s për ndarjen e shpërblimeve pas startit të kompeticionit më të ri, Liga e Konferencës.

faks

TEUTA DHE LAÇI

Klubi që ka përfituar më shumë në Europë këtë vit ka qenë Teuta, edhe pse u eliminua paralelisht me Laçin në turin e tretë. Sipas skemës, Teuta dhe Laçi përfituan kuotën fikse prej 100 mijë eurosh për çdo turne në të cilin morën pjesë si dhe shifrën 550 mijë euro të caktuar nga UEFA për çdo skuadër që mbyll rrugëtimin e saj ndërkombëtar në turin e tretë të Ligës së Konferencës. Kështu, Laçi e mbyll me 850 mijë euro këtë pjesëmarrje, ndërsa për Teutën shtohet edhe një pagesë prej 260 mijë eurosh, që u jepet skuadrave kampione të cilat nuk arrijnë në fazat në grupe të asnjë prej tri turneve ndërkombëtarë të UEFA-s. Kjo çon pagesën e durrsakëve në 1,11 milionë euro për pjesëmarrjen e tyre në këtë vit në Europë.

PARTIZANI DHE VLLAZNIA

Për skuadrat e Vllaznisë dhe Partizanit, rrugëtimi në Europë ka qenë i njëjtë, me një tur të kaluar në Ligën e Konferencës. Kjo u sjell atyre pagesën e 100 mijë eurove për secilin tur ku morën pjesë dhe kuotën fikse të 350 mijë eurove të caktuar për ata që eliminohen në turin e dytë të Ligës së Konferencës, për një total prej 550 mijë eurosh për secilin klub.

PRISHTINA, PËR REKORD

Skuadra shqiptare e cila ka fituar më shumë në këtë edicion në Europë është kampionia e Kosovës, Prishtina, e cila ka nisur rrugëtimin e saj që në turin paraeliminator. Sipas skemës së UEFA-s, ajo ka përfituar një total prej 1,21 milionë eurosh nga pjesëmarrja në Europë meqë ka luajtur një tur më shumë se Teuta, edhe pse u eliminuan paralelisht nga gara me kampionen e Shqipërisë.

bonuset

ERMAL KUKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"