Siguria e Partizanit është mbrojtja si bunker, “demat” nuk kanë pësuar asnjë gol në 5 takimet e fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 11, 2018 | 18:44

Siguria e Partizanit është mbrojtja si bunker, “demat” nuk kanë pësuar asnjë gol në 5 takimet e fundit

Ndryshimi i ndodhur te Partizani më 5 mars, kur Sulejman Starova i la vendin Klevis Dalipit, ka rezultuar frytdhënës deri në këto momente. Pesë javët e fundit, kur ekipi është drejtuar nga Dalipi, ka kthyer fizionominë e Partizanit të edicioneve të fundit, i cili shquhej për pë- simin e pakët të golave. Siguria në prapavijë është evidente, pasi në pesë ndeshjet e fundit “demat” e kanë mbajtur të paprekur portën. 450 minuta pa pësuar gol, por edhe 13 pikë në 5 ndeshje janë treguesi i ndryshimit të Partizanit, i cili shpreson që të ruajë këtë ritëm dhe të sigurojë pjesëmarrjen në Kupat e Europës.

partizanii

Mbrojtja e të kuqve është kthyer në një bunker, pasi kundërshtarët e kanë pasur të pamundur që të gjejnë hapësira në këto pesë javë. Jo vetëm mbrojtja, por të gjitha repartet kanë krijuar më shumë siguri dhe tashmë ekipi po ecën me atë ritëm që të gjithë pretendonin në fillim të merkatos së verës, ku u shpalos projekti madhështor i drejtuesve italianë. Partizani kishte kohë që kishte dhënë shenja pozitive, pasi zhvillonte lojë, por mungonin rezultatet nga shpërdorimi në fazën përmbyllëse të aksioneve.

ibrahimi gojkovic

Por, nën drejtimin e Dalipit, skuadra i ka rregulluar të gjitha parametrat, pasi sulmuesit po shënojnë të gjithë, ndonëse në ndeshje të veçanta, ndërsa prapavija me në krye portierin Alban Hoxha jep më shumë siguri. Merkatoja e dimrit po rezulton efikase në këtë moment, pasi dy qendërmbrojtësit e ardhur në janar, Egzon Belica dhe Renato Gojkoviç, janë harmonizuar shumë mirë dhe japin më shumë siguri.

belica kotobelli

Por në soliditetin e fazës mbrojtëse ka ndikuar edhe ndryshimi i stilit të lojës, pasi me Dalipin ekipi bën presion më lart dhe nuk tërhiqet edhe kur shënon gol. Esat Mala, Bruno Telushi, Lukas Kardozo, Besart Abdurrahimi dhe Milan Kulum janë veshur të kuq në merkaton e dimrit dhe falë kontributit të tyre dhe rikthimit të Canit, duke u harmonizuar edhe me pjesën tjetër, ka bërë që Partizani të funksionojë si një trup i vetëm. Transferta e Kukësit do të jetë një gur prove për Partizanin e Dalipit dhe në veçanti për mbrojtjen.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"