Sidibe rrëfen aventurën në Durrës: Duam më shumë se Europën, peshku makth për mua

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 10, 2018 | 21:08

Sidibe rrëfen aventurën në Durrës: Duam më shumë se Europën, peshku makth për mua

Bregdetarët tani kanë hyrë në fazën më të nxehtë të kampionatit si një prej pretendentëve kryesorë për zonën e Europës. Skuadra sheh përballë në javën e ardhshme një kundërshtar të drejtpërdrejtë, që në fazën e parë e mundi 1-0 në “Niko Dovana”, por tani kërkon të shfrytëzojë momentin delikat që kundërshtari po kalon. Lancinet Sidibe është njëri prej senatorëve të “djemve të detit”, që në një prononcim për “Panorama Sport” flet për ecurinë e Teutës dhe për ndeshjen e radhës.

sidibe teuta

Si ishte ndeshja përballë Kamzës?

Ajo që na kënaq ne janë tri pikët, sepse i merituam dhe arritëm t’i merrnim përballë një kundërshtari tepër të fortë. Në momentin që pësuam golin ishte një pasiguri dhe më pas mund të them se ndeshja foli vetëm për ne. Arritëm të krijonim raste dhe të realizonim tre gola në fund të takimit, sepse kishim shkuar vetëm për fitoren.

Tjetër fitore me përmbysje?

Patjetër që besuam, sepse i dimë vlerat tona dhe mundësitë që ne kemi. Jemi një grup i bashkuar që është pika jonë më e fortë. Jo vetëm në pjesën e dytë, por që në pjesën e parë, e dinim se mund të përmbysnim atë takim. Përmbysjet janë pjesë e futbollit dhe kjo ka anën e saj të mirë dhe tregon që ne nuk dorëzohemi asnjëherë dhe kundër askujt.

Një muaj pa humbje, çfarë ka ndryshuar te Teuta?

E kemi pritur këtë moment që të kishim këtë ecuri. Jemi grup i bashkuar dhe kishim nevojë për ambientim me njëri-tjetrin. Tani jemi përshtatur më së miri dhe këtë e tregojmë në fushën e lojës dhe rezultatet tona. Punojmë fort çdo ditë, sepse e dimë që asgjë nuk ka përfunduar. Tani çdo gjë vjen edhe bëhet akoma më e vështirë, ndaj vetëm me punë, dëshirë dhe sakrificë mund të arrijmë akoma më lart.

Mendoni se skuadra e ka potencialin për këtë ecuri pozitive?

Patjetër që po. Tani kemi fituar besimin te vetja dhe hymë në fushën e lojës me kokën lart ndaj çdo rivali. Mendoj se jemi një skuadër që duhet të na e kenë frikën, sepse siç e thashë nuk do ndalemi këtu.

Jeni përshtatur me skuadrën dhe qytetin e Durrësit? Ndryshon nga Vlora?

Unë e respektoj qytetin e Vlorës dhe ekipin e Flamurtarit, sepse fillova të hedh hapat e parë në futbollin shqiptar. E falënderoj shumë dhe gjithashtu kam respekt për “ish” teknikun Duro. Në Durrës, situata është shumë ndryshe. Jam përshtatur shumë mirë, kam gjetur një ekip të madh dhe ndihem si në shtëpi. Të gjithë këtu më kanë ndihmuar të ambientohem shpejt dhe dua t’i falënderoj. Mbi të gjithë dhe teknikun Shkëmbi që ka besuar tek unë.

Si e kaloni kohën e lirë? Çfarë ushqimi ju pëlqen?

Kohën time të lirë e kaloj më shumë duke shikuar TV dhe dëgjuar muzikë apo dhe duke luajtur videolojëra. Flas me familjen time çdo ditë. Sa i përket ushqimit, peshku nuk më pëlqen, sepse më ka ndjekur gjithmonë si këtu dhe në vendin tim lindjes (qesh). Më pëlqejnë shumë gatimet tradicionale shqiptare.

Kukësi, një kundërshtar i drejtpërdrejtë?

Çdo rival është i fortë dhe çdo kundërshtar ka objektivat e tij. Nuk mendoj se ka shumë diferenca të mëdha midis ekipeve dhe nëse ka, ato pak diferenca zerohen në fushën e lojës. Kukësin e respektojmë dhe e vlerësojmë shumë, por ne vazhdojmë në rrugën tonë për të realizuar qëllimin tonë. Jam shumë i bindur që do jetë një tjetër ndeshje e madhe për ne dhe do arrijmë të marrim rezultat pozitiv.

Mendoni se skuadra do të arrijë zonën e Europa League?

Dëshira është shumë e madhe. Të realizosh këtë dëshirë, kërkon shumë punë dhe mund. Duhet të derdhim akoma dhe më shumë djersë. Pa dyshim që jo vetëm unë, por të gjithë jemi të bindur që do ta arrijmë zonën europiane, e pse jo të shohim dhe më larg, por gjithmonë, duke qëndruar me “këmbë në tokë” dhe duke marrë ndeshjet njëra pas tjetrës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"