Si u zhdukën lekët e biletave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 12, 2012 | 13:43

Si u zhdukën lekët e biletave

Futbollistët e Partizanit vazhdojnë të ankohen për rrogat e prapambetura, të cilat ende nuk i kanë marrë, ndërkohë që si shpëtimi i tyre shihej pikërisht ndeshja me Lushnjën, e cila do të luhej në “Qemal Stafa”. Ajo u luajt me drita dhe atmosfera ishte mjaft e mirë, çka bëri edhe tërheqjen e një numri të madh tifozësh si nga ana e të kuqve, ashtu edhe ultras nga Lushnja, të cilët identifikoheshin në shkallët e stadiumit. Çmimi për ta parë atë takim në tribunën qendrore të stadiumit ishte 500 lekë të rinj, ndërsa në atë karshi ishte 300 lekë, shuma të cilat ishin të përballueshme për çdokënd. Ndërkaq, drejtuesit kishin parashikuar se paratë që do të mblidheshin nga shitja e biletave do t’u shpërndaheshin futbollistëve, ashtu siç ishte premtuar nga presidenti Lulëzim Sallaku. Duhet saktësuar se shuma që u deklarua se ishte grumbulluar shkonte deri në katër milionë lekë të vjetër, edhe pse presidenca mendon se të pranishëm në stadium kanë qenë më shumë njerëz dhe se shifra mund të jetë më e madhe. Në fund të sfidës, lojtarët kanë pritur për të marrë atë çka u ishte premtuar, por nuk kanë marrë asgjë, pasi paratë ishin zhdukur nga disa persona, për të cilët klubi dyshon se ishin afër aksionarit të kuq, Paro Laçi, që ka administruar edhe klubin gjatë fazës së parë të kampionatit.
Reagimi – Dje ndërkaq, disa ditë pasi takimi është zhvilluar dhe lojtarët vazhdojnë të jenë të papaguar, klubi i kuq me anë të zëdhënësit për shtyp, Olsi Ranxhi, e ka pranuar një gjë të tillë. “Rreth katër milionë lekë të vjetër, të grumbulluar nga shitja e biletave në ndeshjen mes Partizanit dhe Lushnjës që është luajtur në ‘Qemal Stafa’, janë zhdukur menjëherë pas saj. Një gjë e tillë ka bërë që futbollistët të mos i marrin pagat, siç u ishte premtuar, pavarësisht faktit se ata kanë pritur për rreth dy orë në ambientet e stadiumit. Klubi distancohet nga ky veprim dhe sqaron se stadiumi dhe lekët janë administruar nga njerëz të afërm me aksionarin Laçi, të cilët nuk i kanë depozituar paratë në arkat e klubit. Ne distancohemi totalisht nga këto veprime”, – ka thënë Ranxhi në deklaratën e dhënë dje për “Panorama Sport”. Nga ana tjetër, “demat” gjatë këtyre ditëve presin një telefonatë nga klubi për të marrë edhe pagat e tyre përpara festave të fundvitit.

Emrat e pesë ish-ëve që mund të rikthehen
Drejtuesit e Partizanit duket se nuk duan të humbasin asnjë moment në merkato, ndaj kanë nisur kontaktet e para me lojtarë të ndryshëm, të cilët mund të jenë pjesë e të kuqve gjatë fazës së dytë të kampionatit. Burime pranë klubit bëjnë me dije se do të tentohet të afrohen futbollistë, të cilët kanë luajtur edhe më parë me të kuqtë. Emri i parë që është përfolur, është ai i kapitenit aktual të Kukësit, Rrahman Hallaçit. Ky i fundit vazhdon të ketë një kontratë me veriorët, por një rikthim në kampin e kuq do të ishte i mirëpritur nga ana e tij. Emrat e tjerë që drejtuesit po përpiqen të afrojnë fazën e parë kanë luajtur me Kamzën. Kështu: Ardit Beqiri, Fatjon Tafaji, Sokol Ishka, Mario Bytyçi dhe Arbër Capa do ta pranonin me kënaqësi ta vishnin sërish fanellën e kuqe, duke qenë se kanë dhënë shumë për këtë skuadër. Një fakt i tillë është i njohur dhe drejtuesit e Partizanit mësohet t’i kenë ata në listën e tyre, madje me përjashtime mund të jenë bërë edhe biseda konkrete. Në rast se lojtarët e sipërpërmendur do të jenë pjesë e të kuqve, atëherë Partizani do të kompletohej në disa reparte, si porta, mesfusha, por edhe mbrojtja. Ndërkaq te Partizani kërkohet edhe një goleador. Fazën e parë të kampionatit “demat” kanë vuajtur shumë mungesën e golit, ndërsa shënuesit më të mirë të skuadrës kanë qenë mbrojtësit. Për momentin Partizani ka dy sulmues, si Gjokën dhe Buliçin, por ky i fundit është rikthyer pas një dëmtimi të gjatë në shpatull.

“Demat”, në pritje të trajnerit
Gjatë ditës së djeshme, mes presidentit Lulëzim Sallaku dhe trajnerit të Partizanit në fazën e parë të kampionatit, Nikolin Çoçlli, ka pasur një takim, në përfundim të të cilit nuk është marrë asnjë vendim për të ardhmen. Në rast se trajner nuk do të jetë më Nikolin Çoçlli, në stolin e të kuqve pritet të jetë Hasan Lika, i cili aktualisht është në postin e drejtorit teknik dhe përgjegjës për merkaton, ose Genc Tomorri, i cili ka qenë një nga këshilltarët e presidentit Sallaku dhe është emëruar nga ky i fundit edhe në postin e drejtorit të akademisë. Megjithatë, lëvizjet pritet të bëhen në momentin që skuadra do të nisë edhe përgatitjet për sezonin e ardhshëm.
ARMAND HALILI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"