Si ndryshon Anglia, “senatorët” jashtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 21, 2014 | 16:40

Si ndryshon Anglia, “senatorët” jashtë

AngliaHumbja me Uruguain ka inspiruar mediat angleze që të japin verdiktin e tyre dhe të mos hezitojnë që të konsiderojnë si “jashtë” loje edhe ato futbollistë që në dekadën e fundit kanë mbajtur lart nderin e “tre luanëve”.
Jashtë – Autori i asistit të golit të Runit, Glen Xhonson, nuk konsiderohet më nga mediat që përmendin faktin se luajti në këtë Botëror vetëm pasi ishte dëmtuar Kajl Uollkër. 29- vjeçari mendohet se nuk është i “denjë” për fanellën e “tre luanëve”. Shoqëri do t’i bëjë kapiteni i tij te Liverpuli, Stivën Xherrard. 33-vjeçari konsiderohet si fizikisht dhe mendërisht i lodhur. Dyshes së “Anfield Road” i bashkohet edhe një lojtar i Evertonit. Fill Xhagielka do të paguajë shtrenjtë golat e tepërt e pësuar nga Anglia në dy ndeshjet me Uruguain dhe Italinë. Një tjetër lojtar i “gardës” së vjetër që do të përfundojë jashtë është edhe Frenk Lampard. I braktisur nga Çelsi, mesfushori shumë shpejt pritet që të mos ftohet më as nga kombëtarja. Këtij grupi lojtarësh pritet që t’i shtohen edhe dy elementë të Mançester Junajtid. Kris Smolling dhe Deni Uellbek janë më jashtë se brenda. I dyti, edhe pse fitoi besimin e Hoxhsonit, nuk e justifikoi atë.
Brenda – Mes të “shpëtuarve” është Xho Hart. Portieri i Sitit edhe pse ka ardhur pas sezonesh jo shumë të qeta me “Qytetarët” duket se është zgjedhja e vetme e secilit menaxher që do të drejtojë “tre luanët”. Beins është një tjetër futbollist që është në pikëpyetje. Pasi u “lirua” një herë e mirë nga hija e Kolit, tani rrezikon që ta “eklipsojë” Ljuk Shou. Për momentin krahu i majtë është i tij. Një tjetër lojtar në pikëpyetje është edhe Geri Kahill që edhe pse u “qërua” nga Suarez dhe Baloteli ka besimin e Federatës së Futbollit. Nëse nuk do të ishte për problemet e shumta fizike dhe paragjykimeve të Hoxhsonit, ky mund të ishte Botërori i Xhek Uilsherit që u aktivizua “me pikatore”. Talenti i lojtarit është i madh prandaj askush nuk do të privohet prej tij. Për sulmin konfirmohen Runi dhe Starrixh edhe pse të dy bashkë nuk “plotësojnë” shumë njëri-tjetrin. Dy talente të tjerë që kanë shpëtuar nga “shkurtimet” thuhet se janë Çambërlein dhe Henderson. Të dy këta lojtarë janë ende të rinj dhe nëse ngarkohen me përgjegjësi, thuhet se kurrë nuk “tradhtojnë”.

Hoxhson: Nuk largohem, federata e konfirmon
“Jo, nuk kam ndërmend që të jap dorëheqjen. Unë jam shumë i kënaqur me lojtarët e mi, pasi i janë përgjigjur punës që ne kemi tentuar të bëjmë. Më vjen pak keq për atë që ndodhi, por nuk shkoj deri aty sa të mendoj të jap dorëheqjen”. Roi Hoxhson ishte i qartë me idenë e tij. Pas humbjes me Uruguain, numri një i pankinës së Anglisë la të kuptohej se do ta respektonte kontratën që kishte lidhur me Federatën e Futbollit. “Nga ana tjetër, nëse Federata e Futbollit mendon se unë nuk jam i duhuri për pankinën e kësaj skuadre, atëherë ata duhet të marrin një vendim që do të jetë vetëm i atyre jo i imi”, vazhdoi fjalën 66-vjeçari, i cili në bazë të kontratës do të qëndrojë tek ishullorët deri në 2016-ën. Pas fjalëve të tij ka ndërhyrë vetë kreu i Federatës së Futbollit, Greg Dajk. “Ne mbështesim Roi Hoxhsonin dhe do të dëshironim që ai të qëndronte në krye të pankinës sonë. Anglia pësoi dy humbje të ngushta në Botëror, edhe pse për t’i analizuar këto episode duhen të merren njerëzit e futbollit. Roi ka bërë një punë të mirë dhe do të qëndrojë me Anglinë për katër vite”, tha numri një i Federatës së Futbollit. Aventura e “tre luanëve” nuk ka përfunduar ende në Brazil, pasi do t’u duhet të luajnë edhe ndeshjen e tretë në grup përballë Kosta Rikës. Ekipi i Karaibeve me triumfin që e djeshëm ndaj Italisë përjashtoi zyrtarisht “tre luanët” nga gara për të ecur për më tej.
Përgatiti: ALTIN VORPSI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"