Shvajnshtaiger habit me deklaratën: Në 2008-ën isha fare pranë Interit, por…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 12, 2021 | 9:41

Shvajnshtaiger habit me deklaratën: Në 2008-ën isha fare pranë Interit, por…

Bastian Shvajnshtaiger mund të kishte pasur një aventurë edhe në Serinë A nëse nuk do të kishte qenë se Bajerni i Mynihut dhe ish-trajneri Jyrgen Klinsman nuk do të kishin humbur një objektiv merkatoje në dëm të Barcelonës. Siç e theksoi vetë ditën e djeshme ish-mesfushori, që përveç bavarezëve (2001- 2015) veshi edhe bluzën e Mançester Junajtidit (2015-2017) dhe atë të amerikanëve të Çikagos (2017-2019), në vitin 2008, ai mund të kishte qenë pjesë e Interit.

Bastian Schweinsteiger FCB Samuel Eto o Inter 15 03 2011 FC Bayern München vs Inter Mailand

“Në verën e atij viti betohem se i kisha bërë valixhet gati për të shkuar në Milano. Bajerni dhe Jyrgen Klinsmani kishin vendosur që të më tregonin derën, pasi ishin në bisedime dhe thuajse e kishin mbyllur tratativën me Aleksandër Hlebin (ish-mesfushori bjellorus).

Por në mënyrë të papritur, Hleb vendosi që të shkojë në Barcelonë dhe vetëm kështu mua nuk më mbeti gjë tjetër veçse të qëndroja. Duke parë situatën në Mynih, unë gjithashtu kisha nisur bisedimet dhe Interi më kishte bindur, por vetëm pasi situata u kthjellua te Bajerni unë vendosa që të qëndroj, ndonëse me Interin i kisha mbyllur të gjitha detajet”, deklaroi futbollisti që me Bajernin grumbulloi 500 ndeshje dhe 68 gola.

SANE – Ish-kapiteni i Gjermanisë, Bastian Shvajnshtaiger, ka folur edhe për një prej talenteve më të mëdhenj, i cili më në fund ka rigjetur rrugën e duhur. Madje, ai shikon Hansi Flikun dhe Julian Nagelsmanin si faktorë të rëndësishëm në ringjalljen e Leroi Sanesë me “Pancerat”. “Ata i kërkuan, ashtu si shokët e skuadrës, që ai duhet të kthehet dhe të ndihmojë në mbrojtje. Dhe ju e patë këtë”, tha kampioni i botës në 2014 duke folur për televizionin “ARD”.

Shvajni beson se çelësi me sulmuesin 25-vjeçar ishte komunikimi, diçka që i mungonte në kohën e Mançester Sitit me trajnerin spanjoll, Pep Guardiola. “Forca e Hansit është te komunikimi. Leroi ka cilësi të jashtëzakonshme ofensive dhe mund të depërtojë edhe mes dy kundërshtarëve. Por ai duhet t’i tregojë ato, me gjuhën e trupit dhe përkushtimin e tij. Ai ka hyrë në ritmin e tij dhe po i ndihmon shumë që të dyja skuadrat, si Bajernin e Mynihut ashtu edhe përfaqësuesen e Gjermanisë”, përfundoi ish-mesfushori.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"