“Shumë shpejt kapim kreun”, Krymi: Kombëtarja? Faleminderit, por tani mendoj vetëm për… Vllazninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2022 | 21:45

“Shumë shpejt kapim kreun”, Krymi: Kombëtarja? Faleminderit, por tani mendoj vetëm për… Vllazninë

Vllaznia në këto dy vite ka arritur të for mojë një grup solid dhe të konfirmojë disa lojtarë, të cilët në të shkuarën kanë qenë aty, por nuk kanë mundur të tregojnë plotësisht vlerat e tyre.

krymi

Ardit Krymi është një prej tyre. 25-vjeçari i dalë nga akademia e klubit shkodran ka arritur kulmin e karrierës në këto dy sezone dhe është bërë një nga më të mirët e mesfushës në Kategorinë Superiore. Me pasimet, zgjuarsinë dhe grintën e tij, Krymi ishte një nga pikat më të forta të kuqebluve ndaj Tiranës, ku Vllaznia bëri gjithçka mirë, përveç finalizimit.

Krymi ka folur ekskluzivisht për “Panorama Sport”, ku është shprehur për pikët e lëna ndaj Tiranës, por edhe për vazhdimësinë, kujdesin që duhet bërë me Egnatian dhe besimin se tetë pikët diferencë me Tiranën janë të rikuperueshme.

Vllaznia bëri mirë ndaj Tiranës. Ju vjen keq që nuk arritët maksimumin?

Mendoj se bëmë një lojë shumë të mirë. I gjithë ekipi humbi shumë raste. Ndihem keq për tifozët, që ishin aty dhe ata që jetojnë me Vllazninë, që nuk u dhuruam një fitore. Megjithatë, shpresoj të kthehemi që në takimin e radhës te suksesi.

A po çalon Vllaznia në finalizim?

Besoj se me lojën që kemi bërë, shumë shpejt do të dalim te goli dhe normalisht do të marrim fitore, që po na mungojnë javët e fundit.

A është loja e mirë ndaj Tiranës një shenjë e mirë për të besuar se Vllaznia e këtij viti do të tentojë kreun deri në fund?

Mendoj se edhe në ndeshjet e shkuara kemi zhvilluar lojëra të mira, madje kemi mbizotëruar kundërshtarin, por për mendimin tim kanë ndikuar episodet, që kanë bërë të mos marrim pikët maksimale.

Tetë pikë diferencë sërish me Tiranën e vendit të parë, e rikuperueshme për të arritur objektivin madhor?

Mendoj se kampionati ka ende shumë ndeshje dhe është i gjatë. Besoj se duke bërë maksimumin, shumë shpejt do të jemi në krye të renditjes.

Përballë keni Egnatian, në letër një përballje e lehtë. Si e parashikoni këtë takim?

Ndeshje të lehta s’ka. Ne do të jemi të përqendruar dhe do të japim maksimumin si ekip. Do të gabojmë nëse e shohim si të lehtë këtë përballje. Te ne s’ka vend për nënvlerësim.

Takimet brenda nuk kanë shkuar të gjitha siç duhet në pjesën e parë të sezonit. Besoni se në takimet e mbetura do t’i bëni mirë detyrat e shtëpisë?

Gjithmonë kemi dhënë më të mirën. Në futboll pritet çdo rezultat, por ne gjithmonë do të japim maksimumin që të fitojmë, si në Shkodër, si në ndeshjet në transfertë.

Ardit Krymi

Shkëlqyet në sezonin e shkuar dhe po bëni shumë mirë edhe këtë edicion. E prisni një ftesë nga Kombëtarja?

Dëshira e çdo lojtari është që të veshë fanellën e Kombëtares. Falënderoj të gjithë ata që ma shprehin këtë besim, por unë jam i fokusuar te Vllaznia dhe shpresoj të shkoj sa më lart me të. Duke bërë më të mirën këtu, besoj se edhe puna ime do të shpërblehet.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"