Shtyrja ndihmon Besën/ Qetësohet Bubeqi, rikthehen tre titullarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 11, 2021 | 14:15

Shtyrja ndihmon Besën/ Qetësohet Bubeqi, rikthehen tre titullarë

Besa është stërvitur thuajse e përgjy smuar për gati dy javë. Terreni i rënduar në Luz (në fitoren kundër Tomorit) dha efektet e veta negative.

besa

Kjo u pa edhe në Sarandë, ku shumica e lojtarëve nuk ishin në 100% e tyre dhe luajtën me sforco. Situatë më e rëndë paraqitej për Erzenin ama. Skuadra rrezikonte që të mos kishte 4 titullarë dhe kjo ia shtoi jo pak stresin Dorjan Bubeqit.

E megjithatë, shtyrja e javës së 13-të po i vjen ndjeshëm në ndihmë. Në dy seancat e fundit, trajnerit i është kthyer buzëqeshja. Në stërvitje kanë dalë Ledion Muçaj, Alsid Tafili dhe Emiljano Çela. E njëjta gjë vlen edhe për Skerdian Perjen dhe Mikel Cankën, që dy ditë më parë vetëm vrapuan.

I vetmi që vazhdon të jetë i padisponueshëm është Erald Hyseni, i pezulluar nga Disiplina. Lojtarët do të jenë në vëzhgim këto ditë, me shpresën që të martën të kenë “artileri” të rëndë.

TAFILI

tafili

Alsid Tafili shpreson që gjithçka të shkojë mbarë dhe në fushë të zbresin me kontigjent të plotë. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, shkodrani thotë se një fitore me shijakasit vlen më shumë se tri pikë.

“Ndaj Butrintit luajta në gjendje jo optimale fizike. Gjatë kohës që qëndroja në shtëpi, mendjen e kisha tek Erzeni. Besa do të ishte e përgjysmuar, pasi veç meje nuk ishin as Muçaj e Çela. Dje iu rikthyem stërvitjes që të tre, ndonëse nuk jemi në 100% tonë.

Shtyrja për të martën do të ndikojë për mirë. Nëse nuk do ishim të plotë, përballja nuk do të ishte e ndershme dhe e vërtetë, pasi dihet përbërja dhe ambiciet që kanë shijakasit. Uroj e shpresoj që të martën të jemi të plotë.

Nëse ndodh kështu dhe mungesa e vetme do të jetë ajo e Hysenit, kam besim e bindje se do të luajmë me shpirt dhe përsërisim Tomorin. Sigurisht do të jetë ndoshta përballja më e fortë deri më tani, por e kam thënë dhe e përsëris se ne jemi Besa dhe fanella jonë flet më shumë se e kujtdo në Kategorinë e Parë

Do të luajmë e sakrifikojmë që të kënaqim së pari tifozët tanë, që besoj do jenë të shumtë. Meraku im i vetëm mbetet gjendja e terrenit dhe efikasiteti para portës.

Ndryshe nga ndeshjet e tjera, Erzeni mezi pret të krijojë gjysmë rasti për të përfituar. Prandaj, gjykoj se do të jetë ndeshje ku të tria repartet duhet ta çmojnë si një sfidë që do bëjë kthesën.

Fitorja me Erzenin gjykoj se ka vlerë më shumë sesa 3 pikë, pasi është rivali ynë kryesor për vendin e dytë. Le të presim e shpresojmë të jemi ekip i plotë dhe gjithçka mbetet vetëm në dorën tonë”, përfundoi mesfushori.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"