“Shtyrja na ndihmoi”, trajneri Suta: Elbasani shpëton, afrimet më bindin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 22, 2021 | 23:47

“Shtyrja na ndihmoi”, trajneri Suta: Elbasani shpëton, afrimet më bindin

Elbasani është trans formuar. Afrimet e bëra në këtë merkato dimri kanë ndryshuar ndjeshëm verdheblutë. Efektet e para janë shfaqur në miqësore, ku jo vetëm është prodhuar lojë, por kanë marrë edhe fitoret që mungonin prej një faze të tërë. E gjithë kjo situatë bind edhe Anxhelo Sutën për mbijetesë. Ai e quan të vështirë misionin, por aspak të pamundur. Në prononconin e dhënë për “Panorama Sport”, trajneri vlerëson prurjet e reja, por pret ende. Ai shpreson te më shumë alternativa, për t’u bërë ballë të papriturave të kampionatit.

anxhelo suta

“Jam i kënaqur nga afrimet, sepse grupi po plotësohet pak e nga pak. Jemi munduar që brenda një kohe të shkurtër dhe brenda mundësive tona, të bëjmë përforcime cilësore. E vetmja mënyrë për të shpresuar tek arritja e objektivave, është merkatoja. Edhe pse janari nuk të ofron shumë, kemi bërë më të mirën. Megjithatë, asgjë nuk ka mbaruar. Deri në mbyllje të saj, do të tentojmë përforcime të tjerë. Po vijojmë ende bisedime me disa futbollistë, kryesisht për prapavijën. Sa i përket mbijetesës, është mision i vështirë, por jo i pamundur. Nëse nuk do besoja, nuk do isha këtu. Të gjithë bashkë mund të bëjmë diçka të mirë për këtë klub”, u shpreh fillimisht tekniku elbasanas.

SHTYRJA

Duket se shtyrja e kampionatit i ka ardhur për shtat Elbasanit. Anxhelo Suta e sheh si diçka pozitive për ekipin e tij, duke renditur edhe arsyet. “Ne kemi bërë shumë ndryshime gjatë kësaj merkatoje dhe lojtarët duan kohën e tyre për t’u përshtatur, ndaj ka ardhur në momentin e duhur për ne. Njëkohësisht, na jep më shumë mundësi për të bërë ende merkato deri para nisjes se kampionatit. Gjithsesi, besoj se e njëjta situatë është edhe me ekipet e tjera dhe nuk e shohim si avantazh në krahasim me rivalët e tjerë. Tani të shpresojmë ta nisim mbarë kampionatin, edhe pse ndeshjen e parë do ta kemi përballë kryesuesve të grupit”, e mbylli prononcimin e tij për gazetën trajneri i skuadrës së Elbasanit.

VLADIMIR MEMA -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"