“Shtyrja ishte e favorshme”, kapiteni i Besëlidhjes: Të dënuar për të fituar ndaj Butrintit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 13, 2021 | 21:50

“Shtyrja ishte e favorshme”, kapiteni i Besëlidhjes: Të dënuar për të fituar ndaj Butrintit

Besëlidhja të dielën ishte pushim, sot do të kryhet seanca e fundit anti-Butrint. Të martën Besëlidhja do të presë në shtëpi sarandjotët. Kapiteni i Besëlidhjes, mbrojtësi Patrik Fetaj, në prag të kësaj sfide për “Panorama Sport” deklaroi:

Patrik Fetaj

“Tani të gjithë vëmendjen e kemi te sfida e së martës ndaj Butrintit që do ta luajmë në shtëpi. Duke parë deficitin e pikëve, jemi të dënuar për të fituar ndaj Butrintit për të qenë brenda objektivit për fazën e parë. Sarandjotët po i vlerësojmë maksimalisht pasi ndodhen 3 pikë para nesh. Fitorja do të na ngjisë lart, ndaj po punojmë fort për t’u karikuar nga të gjitha pikëpamjet. Faza e parë ka edhe 3 ndeshje për t’u luajtur ku ne synojmë që të marrim 7 pikë duke nisur nga fitorja ndaj Butrintit.”

“Duelin me sarandjotët duhej ta kishim zhvilluar që të shtunën, por për shkak të kushteve atmosferike java e 13-të u shty për të martën. Kjo shtyrje për ne ishte e favorshme pasi disa futbollistë ishin me dëmtime dhe për Butrintin do të jenë 100% në formë. Kam besim se objektivin e fazës parë, për ta mbyllur në zonën e sigurisë, do ta realizojmë.”

“Ky sezon është i ndryshëm nga të tjerët pasi ka rregulla të forta, ku 4 ekipe zbresin direkt nga kategoria dhe 2 të tjera i nënshtrohen ndeshjeve “play out”, ndaj duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm. Konkurrenca është shumë e ashpër. Ne gjatë këtij sezoni ndoshta nuk mund të pretendojmë ngjitjen, por mbijetesën as që e diskutojmë.”

PRENG GJIKOLA-PANORAMASPORT.AL:

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"