“Shtyrja është e dëmshme për klubet”, Çela: Lushnja më bind, por i duhen… terrene

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 1, 2021 | 15:35

“Shtyrja është e dëmshme për klubet”, Çela: Lushnja më bind, por i duhen… terrene

Gentian Çela “skanon” Lushnjën. Ish-kapiteni vlerëson ecurinë e verdhejeshilëve, ndonëse nuk ngurron t’i radhisë gabimet që kanë bërë rrugës. Nuk kishte si të mos ndalej te përballja e 6 shkurtit me Besën, prej së cilës “voton” fitoren e ekipit të zemrës.

Gentian-Cela-ne-sulm-tregon-sherrin-dhe-akuzon-Dedjen

Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport” ish-fantazisti e cilëson të tepërt dhe të dëmshme shtyrjen prej 3 javësh të kampionatit.

A është e dëmshme rinisja e një sezoni me 3 javë vonesë?

Pa dyshim. Fakti që kampionati fillon tri javë me vonesë, krijoi një anomali te klubet. U programua për datën 16 janar dhe fillon më 6 shkurt. Shumica e punës shkon dëm dhe duhet riprogramim i stërvitshmërisë.

Çfarë ndodh me lojtarët në këto situata?

Lojtarët nuk e mirëpresin një kohë të gjatë pa aktivitet zyrtar. Edhe arsyeja e shtyrjes nuk është bindëse.

Të ndalemi pak te Lushnja, si e vlerësoni ecurinë e saj?

Lushnja deri tani ka pasur një ecuri të kënaqshme dhe pa humbjen aksidentale me Pogradecin do të ishte një ecuri e shkëlqyer. 7 pikë dhe vetëm një gol i pësuar në transferta e bëjnë skuadrën më të mirë jashtë fushës. Mbeten për t’u përmirësuar takimet në shtëpi. Barazimi me Turbinën edhe mund të ishte shmangur dhe skuadra do të ishte më pranë kreut. Lushnja është një skuadër e gjallë, me një futboll tërheqës. Ndaj, mendoj se janë mundësitë për ta grumbulluar atë kuotë pikësh që do të duhet për t’u pozicionuar në 4-she pas fazës së dytë.

Gjatë gjithë janarit, ekipi është stërvitur në kushte shumë të vështira. Ju duket normale që kjo situatë nuk ndryshon?

Për të mirën e futbollit lushnjar duhet të sistemohen sa më parë fushat e stërvitjes, për ekipin e parë dhe akoma më shumë për moshat, pasi vetëm kështu do të rritet cilësia e futbollit. Për momentin dhe për të ardhmen. Ndoshta, kaq janë edhe “kapacitetet” e bashkisë për të investuar. Investohet për skuadrën, por mungojnë financat për infrastrukturën.

Faza e dytë rinis me Besa-Lushnja, dy ekipe që i kanë humbur raportet me Superioren prej vitesh…

Në futboll duhen investime dhe ide të mëdha për të marrë kënaqësinë e rezultatit sportiv. Mbase këto klube kanë çaluar në këtë drejtim. Shkak mund të jetë edhe mungesa e mjaftueshme e fondeve.

Si e shikoni përballjen e 6 shkurtit?

Një ndeshje tradicionale, me histori e emocione të mëdha mes tyre. Unë kam respekt për qytetin dhe tifozërinë e Besës, por dua të fitojë Lushnja. Mendoj që është një ndeshje delikate, sepse të dyja skuadrat duan pikë.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"