“Shtyrja e Kategorisë së Parë pa asnjë shkak nuk është zgjidhje”, ish-mesfushori Baze: Afrimet e Lushnjës duhet ta justifikojnë besimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2020 | 20:21

“Shtyrja e Kategorisë së Parë pa asnjë shkak nuk është zgjidhje”, ish-mesfushori Baze: Afrimet e Lushnjës duhet ta justifikojnë besimin

Ish-mesfushori i Lushnjës, Okeljan Baze, në një opinion për gazetën “Panorama Sport”, ka folur për situatën që po kalon futbolli i Kategorisë së Parë. Duke u ndalur te Lushnja, Baze thekson se afrimet duhet të justifikojnë prezencën e tyre te skuadra verdhejeshile.

baze

“Edhe pse jam shpërngulur me familjen në Greqi, e ndjek me shumë vëmendje atë që po ndodh me futbollin e Kategorisë së Parë në përgjithësi dhe me futbollin lushnjar në veçanti. Nuk më vjen mirë për situatën e deritanishme. Nuk e kuptoj çfarë është kjo vonesë për më shumë se një muaj, që nuk i bën mirë askujt.

Normalisht, ka shumë gjëra për të rregulluar, por asgjë nuk përmirësohet duke filluar kampionatin në fund të tetorit. Shtyrja e futbollit të Kategorisë së Parë pa asnjë shkak nuk është zgjidhje. Të paktën vonesa të vlejë për diçka pozitive dhe e ardhmja e futbollit të jetë më e mirë. Për sa i përket skuadrës sime të zemrës, Lushnjës, shpresoj që këtë sezon të zhvillojë një kampionat pozitiv.

Afrimet duhet ta justifikojnë prezencën e tyre, pasi fanella e Lushnjës është e rëndë. Në çdo sezon duhet të jemi pretendentë për objektiva madhorë”, është shprehur ish-mesfushori i verdhejeshilëve. Lushnjarët mbyllën javën e 10-të të përgatitjeve me një seancë stërvitore të shtunën paradite, ndërsa e diela ka qenë pushim.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"