Shtyrja e kampionatit gëzon Bylisin, klubi kërkon…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2019 | 13:46

Shtyrja e kampionatit gëzon Bylisin, klubi kërkon…

Shtyrja e kampionatit ka bërë që trajneri i Bylisit, Veljko Dovedan, të ndryshojë programin e stërvitjes. Në Ballsh ishin në kulmin e përgatitjeve për sfidën me Partizanin, ndërsa shtyrja e garës duket sikur ndihmon Bylisin që të ketë gati edhe dy lojtarët e rëndësishëm, Ditmar Bicaj dhe nigerianin Antoni Bej.

bylis

Ballshiotët tashmë janë duke zhvilluar përgatitje intensive për ndeshjen e radhës, ndërsa në skuadër lojtarët që kanë pasur probleme të lehta shëndetësore stërviten me një program enkas. Sfida me Partizanin është delikate për Bylisin, që i duhet të bëjë kthesën pas dy humbjeve radhazi me Skënderbeun dhe Kukësin.

Kjo është hera e parë që ballshiotët mësohen me këtë situatë, sepse në fazën e parë vetëm një herë u mundën nga Teuta, e më pas nisën një ecuri pozitive. Vështirësia e ndeshjes me “demat” dihet, por Bylisi ka treguar se di t’i mundë klubet e mëdha.

Bylis-Skenderbeu

MIQËSORJA

Për ta mbajtur sa më të karikuar grupin, ballshiotët do të shohin mundësinë e një ndeshjeje miqësore këtë fundjavë. Klubi do të kërkojë test me ndonjë ekip të Superiores afër Ballshit ose pretendent të Kategorisë së Parë. Bylisi i ka shfrytëzuar pushimet për të mbajtur grupin e karikuar, por edhe për t’u dhënë minutazh lojtarëve që nuk kanë luajtur shumë këtë edicion. Tashmë mbetet për t’u mësuar kundërshtari dhe axhenda që do të ketë miqësorja këtë fundjavë.

Erjon Saliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"