Shtylla/ Emini tregon gafën: Si e humba rastin “e artë” në Austri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 15, 2016 | 11:53

Shtylla/ Emini tregon gafën: Si e humba rastin “e artë” në Austri

Fati nuk ka qenë me Kukësin në Austri, pasi në minutën e 91-të Izair Emini mund të shënonte një gol me aromë kualifikimi për kuksianët.

13645198_1052434554853472_8873886360065651489_n

(Izair Emini, i treti, djathtas)

Gjuajtja e sulmuesit shqiptar nga Maqedonia u ndal nga shtylla, kështu që verilindorët humbën një mundësi “të artë” shënimi.

Emini për “Panorama Sport” ka treguar se çfarë i ndodhi në momentin e gafës dhe në përfundim të takimit ka qenë i mërzitur për shpërdorimin e rastit që pati. “Ishte një rast mjaft i mirë, por për fat të keq nuk realizova dot. Fati nuk ishte me mua.

Ishte një aksion që unë po e ndiqja me sy. Sapo Musolli mori topin, e dija që do të godiste portën. Në fillim iu ruajta pozicionit jashtë loje dhe u hapa pak, pastaj po ndiqja me vëmendje gjuajtjen, e cila i shpëtoi portierit nga duart.

Ndaj, kur e pashë portierin të shtrirë mendova në të qindtat e sekondës që ta gjuaja topin lart duke e pasur të sigurt golin. Por, për fat të keq, topi kapi shtyllën pingule, e cila na mohoi golin. Jam shumë i mërzitur që nuk shënova.

Barazimi 1-1 do të ishte një rezultat mjaft i mirë, por ja që nuk ndodhi. Besoj se jemi në nivelin e duhur. Nëse do të luajmë në këtë mënyrë dhe do krijojmë kaq raste në ndeshjen tjetër në Shqipëri, kemi mjaft shanse për t’u kualifikuar”, u shpreh për “Panorama Sport”, Izair Emini.
S.Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"