Shtubina: Të qajmë pikët e lëna me Korabin, jo me Luftëtarin. Europa, e mundshme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 12, 2017 | 11:39

Shtubina: Të qajmë pikët e lëna me Korabin, jo me Luftëtarin. Europa, e mundshme

Ndriçim Shtubina e cilëson pikën e marrë ndaj Luftëtarit si të vyer. Edhe pse priste më shumë, me rrjedhën që mori ndeshja, barazimi konsiderohet pozitiv prej kapitenit. Në një bisedë të dhënë për gazetën ai analizon 90-minutëshin e fundit dhe flet për llogaritë e mbijetesës.

Ndricim Shtubina Vllaznia

“Ishte një takim i vështirë për ekipin tonë. Këtë e dinim që në fillim. Ne kërkonim maksimumin e pikëve, mirëpo nuk ia dolëm dot. Në të tilla kushte, mendoj se barazimi mund të quhet pozitiv. Edhe pse prisnim më shumë, ashtu si shkoi loja, duhet të kënaqemi. Presioni te ne ndikoi negativisht.

Kemi humbur një tjetër mundësi për të marrë vendin e katërt. Gjithsesi, unë jam i mendimit se kjo ishte një përballje rivalësh dhe të tre rezultatet ishin të pranishme. Nuk kemi pse ‘qahemi’ për këtë barazim, por për atë ndaj Korabit. Ato pikë nuk duhet t’i kishim lënë”, tha fillimisht.

“Takimi që duhet të qajmë për vendin e katërt është përballja me Korabin. Pikët e lëna në atë takim do t’i vuajmë gjatë”, ka thënë Shtubina. Për mesfushorin, Europa është e mundshme.

“Goli i shënuar në fund na dha një shans për të besuar tek Europa. Nuk mund të them se kemi bërë një hap fals, pasi përballë kemi pasur një skuadër mjaft cilësore. Ne do të kërkojmë deri në fund vendin e 4-t. Shanset janë të barabarta. E kam theksuar se një takim nuk do të ndryshonte asgjë në garën e zonës ‘euro’. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë këtë pozicion, derisa matematika të mos na lejojë.

Tani po mendojnë që për Laçin do të jetë shumë e vështirë. Ne do të kërkojmë të bëjmë maksimumin tonë në këtë takim. Dua të them se nuk po kalojmë një situatë të mirë, megjithatë duhet që të mbledhim forcat dhe të kërkojmë më të mirën. Neve nuk na interesojnë pozitat në të cilat ndodhen kundërshtarët, do të kërkojmë që të marrim më të mirën për të arritur objektivin tonë”, përfundoi Shtubina.

Kundër kurbinasve mungon Elis Bakaj, i cili plotësoi numrin tre të të verdhëve. Sakaq, shpresohet në riaftësimin e Bardullës, Gocajt dhe Bicajt.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"