Shtubina sfidon si ish: Egnatia përsërit fazën e parë me Laçin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 19, 2021 | 10:01

Shtubina sfidon si ish: Egnatia përsërit fazën e parë me Laçin

Egnatia po e pret me qetësi përballjen me Laçin në shtëpi. Klubi dhe ekipi e kanë analizuar situatën e krijuar nga humbjet e fundit, ndaj shpresohet që menjëherë të vijë kthesa. Nën drejtimin e trajnerit Ramadani vëmendja e përgatitjeve ka qenë te sulmi që në javët e fundit nuk ka arritur të shënojë.

SHTUBINA 1

Stafi ka kërkuar saktësi nga Imeri dhe Magani apo ndonjë tjetri që do të përbëjë vijën e parë ndaj Laçit. Me seancën e parashikuar sot në stadium trajneri Ramadani do të provojë gjithçka që skuadra të jetë gati për suksesin ndaj kurbinasve. Përballja do të ketë edhe ish-ë në fushë, si Shtubina që ka kontribuar disa sezone më parë me Laçin. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Ndriçim Shtubina u shpreh se ka respekt për klubin laçian, por si profesionist mendon më shumë për Egnatian. Në lidhje me të shkuarën shkodrani u shpreh:

“Në Laç kam kaluar një periudhë të bukur të karrierës sime futbollistike. Kam respekt maksimal, që nga presidenti dhe me radhë. Mendoj se do të jetë një përballje ‘fair play’. Ne kërkojmë të rikthehemi te rezultatet pozitive, por edhe miqtë kanë gjithashtu synimet e tyre”.

SITUATA – Në lidhje me ecurinë e javëve të fundit dhe si mund të kthehen te fitorja, duke u bazuar tek eksperienca e tij, Shtubina deklaroi: “Periudha e fundit nuk ka qenë e mirë për Egnatian. Nuk kemi arritur të sigurojmë pikët e vazhdimësisë. Por, optimizmi te ne mbetet i lartë, pasi i kemi mundësitë të bëjmë mirë. Humbjet gjithmonë nuk priten mirë, por sërish duhet qëndruar me synim se gjithçka mund të rikthehet si më parë.

Jemi një klub që është investuar e pritet gjithmonë pozitivitet. Të gjithë çunat kanë përvojë dhe e dinë se të bashkuar mund t’ia dalim. Ndaj Skënderbeut e Kastriotit ishin përballje direkte që i vlerësuam, por parashikimi nuk u arrit. Përveç Laçit kemi dhe një transfertë me Teutën ku duhet të bëjmë bilancin me më shumë pikë. Fillimisht duhet kaluar ‘provimi’ i afërt. Javë pas jave kemi pasur edhe penalizime nga kartonët dhe dëmtimet, por duke u bazuar te potenciali që kemi, nuk gjunjëzohemi para vështirësive, ndaj besojmë te ringritja”.

SYNIMI PËR LAÇIN – Shtubina pohon se rrogozhinasit i kanë mundësitë që të triumfojnë si në fazën e parë ndaj ish-skuadrës së tij të Laçit. “Trajneri Ramadani është munduar të na udhëzojë që të mos neglizhojmë asnjë moment gjatë lojës.

Pas dy ndeshjesh në transfertë do të luajmë në shtëpi në një terren mjaft të mirë. Stadiumi ynë këtë herë do të rezultojë fatsjellës. Respekti për Laçin është i madh, por nuk na lejohen gabimet në këtë takim. Nisja e mbarë do të jetë shtysë që të besojmë deri në fund.

Në fazën e parë fituam në fushën e Laçit, ndërsa tani është radha që t’i gëzojmë tifozët tanë, pasi ata e meritojnë këtë dhuratë nga Egnatia. Më kanë munguar golat, por si profesionist do ta kërkoj që ta gjej ndaj ish-skuadrës dhe në fund t’ia dalim duke dëshmuar se jemi klub që duhet të marrim vlerësim nga të gjithë”, përfundoi Shtubina për “Panorama Sport”.

ALDO BUZI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"