Shtubina realist, e kënaq edhe një barazim ndaj bardhebluve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 28, 2017 | 15:43

Shtubina realist, e kënaq edhe një barazim ndaj bardhebluve

Kapiteni i Vllaznisë, Ndriçim Shtubina, është i bindur se skuadra e tij do të udhëtojë për të marrë maksimumin e pikëve në ndeshjen ndaj Tiranës, që do të luhet në transfertë. Edhe pse një gjë e tillë nuk është arritur prej shumë vitesh, lojtari nuk stepet duke pasur besim te shokët e skuadrës.

Ndricim Shtubina Vllaznia

“Është një përballje e vështirë për ekipin tonë. Një ndeshje mes skuadrave jo vetëm me shumë histori, por që për momentin janë në situatë aspak komode në tabelën e klasifikimit. Një takim ku çdo rezultat i takimit është i pranueshëm. Megjithatë, ne jemi të impenjuar totalisht që të dalim nga fusha e blertë me maksimumin e pikëve.

Një objektiv i tillë do të jetë shumë i vështirë, por jo i pamundur. Po përgatitemi për një gjë të tillë. Me Tiranën kemi kohë që nuk kemi fituar, por jam optimist se mund t’ia arrijmë këtë herë. Natyrisht që në transfertën me bardheblutë, edhe barazimi është një rezultat pozitiv”, ka thënë kapiteni.

Vlerësimi

Pavarësisht pozicionit dhe pikëve që Tirana ka në tabelën e klasifikimit, ata mbeten një ekip mjaft i vështirë për t’u mundur, sidomos në fushën e tyre. “Pavarësisht synimit tonë për të marrë trepikëshin, që është në çdo përballje i pranishëm, Tirana mbetet një ekip i mirë.

shtubina

Ka elementë shumë cilësorë që nga faktorë ndoshta të ndryshëm nuk po arrijnë që të bëjnë më të mirën, por që në sfida të veçanta bëjnë diferencën. Përherë që luajnë pritet spektakël, prandaj shikoj një ndeshje të fortë me një kundërshtar të tillë”, ka vijuar në prononcimin e tij Shtubina.

Situata

Me përjashtim të Markut dhe Kapaklisë, pjesa tjetër e kuqebluve në këtë ndeshje është e plotë dhe gati për të qenë në fushë. Gjithashtu atmosfera pozitive që ekipi po kalon është një plus më shumë. “Gjendja jonë para këtij takimi është më e mira, në të gjitha drejtimet. Skuadra ka treguar se nuk i mungon grinta dhe shpirti i garës.

Mendoj se te të gjithë lojtarët është rritur edhe besimi dhe në këtë situatë nuk ndihemi aspak inferiorë përballë Tiranës, qoftë edhe në kryeqytet. Jemi të plotë dhe nuk na mbetet asgjë tjetër veç triumfit”, mbylli Shtubina.

Admir Uruçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"