Shtubina i përgjigjet akuzave të Mersinit: Lojtar stoli, shumë i dobët. Gjoka përgjegjësi për rënien

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 1, 2018 | 20:18

Shtubina i përgjigjet akuzave të Mersinit: Lojtar stoli, shumë i dobët. Gjoka përgjegjësi për rënien

Dy ish-lojtarë të Vl laznisë, Ndriçim Shtubina dhe Ergys Mersini, janë përfshirë në akuza mes njëri-tjetrit prej dy ditësh. I pari që kritikoi Mersinin ishte Shtubina, që e fajë- soi mbrojtësin si shkaktarin e humbjeve të 5-6 ndeshjeve të skuadrës kuqeblu.

Një ditë më parë, Mersini iu kundërpërgjigj në një intervistë për “Panorama Sport” duke e akuzuar Shtubinën si të paaftë, ndërsa tha se iku nga Vllaznia si legen. Sot është ish-kapiteni që i përgjigjet Mersinit duke e konsideruar lojtar stoli, ndërsa thotë se ishte trajneri Gjoka fajtori kryesor i rënies së skuadrës në Kategorinë e Parë.

Ndricim Shtubina Vllaznia

Ergys Mersini ju ka akuzuar si të paaftë dhe deklaroi se jeni larguar si legen nga Vllaznia duke e lënë në baltë. Si ndiheni pas përgjigjes së ish-mbrojtësit të skuadrës shkodrane?

Unë e kam kritikuar në aspektin sportiv, ndërsa ai ka kaluar në gjëra personale. Mendoj se nuk kanë shumë lidhje ajo që kam deklaruar unë me reagimin që ka bërë ai. Unë e kam kritikuar vetëm në aspektin sportiv për atë që ka dhënë në fushën e lojës, ndërsa ai duke mos pasur se çfarë të thotë, ka folur budallallëqe. Nuk më interesojnë shumë. Vetëm se dua t’i them Mersinit që ika si legen, por u bëra mbret, ndërsa ai erdhi si mbret dhe iku si legen. Kjo është diferenca.

Keni njohje personale me Mersinin?

Jo, jo. Nuk e kam takuar asnjëherë dhe nuk e njoh.

Po, pse përmendët vetëm atë si lojtar si fajtor të humbjeve të 5-6 ndeshjeve të Vllaznisë?

Ndeshjet që kam parë unë të Vllaznisë, Mersini ka gabuar dhe trajneri Gjoka ka shumë faj që e ka mbajtur në lojë gjithmonë. Edhe unë nëse do të isha në fushë në atë gjendje, nuk do t’ia lejoja vetes të luaja përtej mundë- sive. Sigurisht që nuk ka vetëm ai faj, pasi unë e njoh mirë futbollin. Por, në takimet që e kam parë unë skuadrën shkodrane, ai futbollist ka gabuar.

Po trajneri Gjoka, pse ka faj në këtë mes?

Po duhej ta kishte ulur në stol dhe në fushë të ishte dikush tjetër. Nuk e meritonte.

Mersini ju ka akuzuar se e keni lënë Vllazninë në baltë duke u larguar…

Çdo gjë është e hapur dhe mund të gjendet kollaj se çfarë ka ndodhur në periudhën kur jam larguar nga Vllaznia. Unë kam dhënë gjithçka kisha që Vllaznia të qëndronte në Superiore. Kam derdhur gjak e djersë për atë ekip dhe kam qenë i pastër në çdo drejtim. Jam larguar pas mosmarrëveshjes që kam pasur me drejtuesit.

Ka shanse që të riktheheni sërish te Vllaznia?

Për momentin, nuk besoj. Jam shprehur që jam i gatshëm, por këtu në Shkodër njerëzit janë akoma në gjumë, me pushime dhe nuk dihet se çfarë do bëhet.

Keni besim se do ndryshojnë gjërat te Vllaznia në vazhdim?

Unë, pikërisht për shkak se nuk pashë ndonjë ndryshim të madh te kjo skuadër, u largova vjet. Edhe tani gjërat vazhdojnë të jenë siç kanë qenë.

Cila është zgjidhja, sipas jush, privatizimi i klubit apo ndonjë vendim tjetër?

Edhe bashkia i ka mundësitë që ta mbajë klubin, por duhet t’i qëndrojë shumë afër. Megjithatë, një president do të ishte zgjedhja më e mirë për atë klub.

Do të vazhdoni të qëndroni te Laçi apo do të ndryshoni ambient në sezonin e ardhshëm?

Unë jam nën kontratë me Laçin dhe do luaj me këtë ekip në Ligën e Europës. Unë ndihem shumë mirë aty dhe nuk kam arsye që të largohem. Megjithatë, në futboll ndodh gjithçka. Nuk e kisha menduar se do isha aq mirë te skuadra kurbinase.

Sipas jush, cilat janë arsyet që Vllaznia ra në Kategorinë e Parë?

Fajtori kryesor për rënien e Vllaznisë është trajneri Ernest Gjoka. Financat, që janë kryesore, i ka pasur. Ekipi grumbullohej dhe nuk i mungonte asgjë dhe më e rëndësishmja, Gjoka ka pasur dorë të lirë te skuadra. Gjoka nuk ishte i aftë për Vllazninë dhe për të bërë blerjet.

Po lojtarët sa fajtorë janë?

Sigurisht, edhe lojtarët janë fajtorë. Ata duhet të kishin treguar dëshirë më shumë, përveç cilësive që kanë. Vllaznia nuk ishte ekip që të meritonte rënien në Kategorinë e Parë. Futbollistët duhej të tregonin karakter dhe gjak më shumë. Këtë do të kisha dashur të shihja prej tyre.

Kur mendoni se do rikthehet Vllaznia në Superiore?

Besoj se bashkia nuk do ta lerë mbas dore dhe Vllaznia pas një sezoni do ngjitet në Superiore. Por, “drama” tashmë ka ndodhur dhe tifozët janë zhgënjyer. Megjithatë, njolla do të mbetet gjithmonë.

BESAR BOZGO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"