Shtubina e mbyll me futbollin, rrëfehet sulmuesi shkodran i Egnatias: Ëndërr e realizuar deri 35 vjeç

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2022 | 21:33

Shtubina e mbyll me futbollin, rrëfehet sulmuesi shkodran i Egnatias: Ëndërr e realizuar deri 35 vjeç

Çdo fillim e ka një fund. Ndriçim Shtubina i thotë stop futbollit të luajtur dhe këto dy javë që kanë mbetur në kampionat, si dhe ndeshja shtesë për “play out”, do të jenë të fundit për shkodranin.

SHTUBINA

 

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, sulmuesi i Egnatias ka sqaruar arsyet e tërheqjes në moshën 35- vjeçare, duke treguar edhe momentet më të bukura dhe më të vështira në karrierën që nisi në vitin 2006 tek ekipi i zemrës dhe po e mbyll tashmë në Rrogozhinë.

Ndriçim, keni paralajmëruar lamtumirën nga futbolli. Si është e vërteta?

Po, gjykova se i kam dhënë shumë futbollit dhe ky është momenti më i mirë të jap lamtumirën si lojtar. Kur e nisa karrierën, e kisha menduar dhe besuar se do të luaja deri 35 vjeç. Kjo dëshirë m’u plotësua falë Zotit. Falënderoj presidentin Agim Demrozi, i cili pati besim te vlerat e mia.

Keni menduar që përshëndetjen e fundit si futbollist ta bëni me tifozët e Vllaznisë?

Dëshira ime është që këtë fundjavë të përshëndetem me tifozët më të mirë në botë, ata shkodranë. Megjithatë, largimin zyrtar ua kam rezervuar tifozëve të Egnatias në javën e fundit, të cilët gjithashtu më kanë mbështetur, respektuar dhe trajtuar si mik, shok dhe vëlla.

Si e keni menduar jetën pa futbollin e luajtur?

Nuk do t’i var këpucët, pasi do t’i vesh përsëri, por jo në lojë zyrtare. Këtë herë me miq, pasi jam ende i ri (qesh).

Cili është momenti më i paharruar për ju në karrierë?

Për një futbollist që e dashuron këtë lojë, çdo ndeshje është moment i lumtur. Askush s’të jep adrenalinë më shumë sesa futbolli. Megjithatë, momenti më i paharruar për mua është kur kam shënuar golin e parë në Kategorinë Superiore. Ka qenë viti 2007 dhe unë isha huazuar nga Vllaznia te Skënderbeu. I kam shënuar Partizanit në atë sezon dhe ishte diçka shumë e bukur.

Po goli më i bukur që keni shënuar cili është?

Goli më i bukur që kam shënuar mbetet ai me Vllazninë në Kupën UEFA. Bëhet fjalë për vitin 2009 kur luanim në Shkodër ndaj irlandezëve të Sligo Rovers. Për fatin e mirë, kam shënuar mjaft gola. Madje, edhe i fundit me Partizanin që realizova, më mbeti peng, sepse atë ndeshje nuk e fituam dot.

Momenti më i keq në karrierë cili ka qenë?

Kur Vllaznia dy vite më parë shkoi deri në javën e fundit për mbijetesë dhe më pas bëri një ndeshje shtesë për qëndrimin në Superiore ndaj Besëlidhjes, ku fituam dhe shpëtuam sezonin. Vërtetë fituam, por ishte moment i vështirë të shikoja Vllazninë në atë situatë.

Cili ka qenë lojtari nga i cili jeni frymëzuar?

Mos t’ju duket çudi, por për çdo shkodran ëndrra e vetme mbetet të veshësh fanellën e Vllaznisë dhe të luash në stadiumin “Loro Boriçi”. Unë ia arrita këtij qëllimi dhe në futboll s’kam pasur idhuj.

Në gjithë këto vite, i jeni borxhli familjes?

Familja mbetet gjëja më e shtrenjtë dhe që jeton me ty çdo sekondë të jetës, në fushë dhe kudo. Falë mbështetjes së saj, kam vijuar të luaj për 16 vite rresht. Çdo njeri që merret me futboll, i ka borxhe familjes. Megjithatë, është zgjedhja më e bukur në jetë të bëhesh futbollist.

Të flasim pak për këtë sezon, ku nuk keni marrë shumë minuta. Çfarë nuk shkoi?

Kurrë nuk kam pasur zakon të gjykoj vendimet e trajnerëve. Personalisht jam stërvitur maksimalisht, por kam respektuar vendimet e trajnerit Ramadani. Megjithatë, gjykoj se kam merituar më shumë minuta, edhe pse tashmë ai kapitull është i mbyllur.

6546546

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"