Shtohet rivaliteti për trofe në Superiore, Magani: Nuk kënaqemi vetëm me një vend në Europë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 16, 2017 | 17:20

Shtohet rivaliteti për trofe në Superiore, Magani: Nuk kënaqemi vetëm me një vend në Europë

Nëse një vit më parë, nisja e keqe e sezonit bëri që Teuta të luftonte për mbijetesën, trajneri Magani ka kërkuar të tjera objektiva për këtë sezon. Nga dje, klubi durrsak i është drejtuar Ohrit për të nisur fazën përgatitore dhe për t’u bërë gati për nisjen e sezonit të ri, ku së bashku me skuadrën ka udhëtuar edhe Tarik Cmajcanin. Tekniku i “Djemve të Detit” ua ka bërë me dije edhe vetë futbollistëve që ka në dispozicion se ky vit do të jetë krejtësisht ndryshe dhe se do të tentohen jo vetëm Kupat e Europës, por edhe fitimi i një trofeu.

Teuta

TRAJNERI

Magani është optimist se me skuadrën që është ndërtuar, do të bëhet e mundur që të mund të tentohen vendet e sipërme të tabelës së klasifikimit. “Kemi krijuar një grup, i cili do të tregojë forcën në startin e kampionatit. Është e rëndësishme që të kemi një start pozitiv.

Teuta

Dy vjet më parë, të gjithë ishin skeptikë për një skuadër të re në moshë, por që arriti të shkonte në Kupat e Europës. Janë larguar shumë futbollistë, por që kemi afruar disa të tjerë që ndërthurin rininë me eksperiencën”, ka deklaruar fillimisht tekniku peqinas në një prononcim për “Panorama Sport” përpara nisjes për në fazën përgatitore.

AFRIMET

Sa i përket merkatos, numri një i stafit teknik të Teutës ka bërë me dije që është në kërkim të një futbollisti që e njeh kampionatin dhe me eksperiencë për t’ia shtuar organikës. “Si çdo trajner që pret lojtarë gjatë merkatos, edhe unë e pres një të tillë. Kemi larguar Haxhibuliç, një lojtar i ri që mund të bëjë karrierë, por neve na duhet një futbollist me eksperiencë.

Magani

Ditën e enjte vjen dhe Latifi. Ai do t’i bashkohet ekipit në Ohër. Sa u përket afrimeve, di të them që do të rrinë në stol ata lojtarë që nuk e meritojnë të jenë në fushë dhe nuk do të nisem aspak nga emri i tyre apo edhe fakti që mund të jenë lojtarë të afruar rishtaz”, ka vijuar trajneri.

OBJEKTIVAT

Teuta do tentojë që të lërë pas edicionin e shkuar ku si objektiv i vetëm ishte sigurimi i mbijetesës. Sipas Maganit, skuadra e tij do tentojë që të realizojë një sezon me objektiva madhorë, pse jo edhe duke kërkuar trofe. “Këtë sezon do të luftojmë për trofe dhe jo vetëm për një vend në Europë. Me skuadrën që kemi, kam siguri që do të bëjmë gjëra të bukura”, ka përfunduar Gugash Magani.

JETON REXHMATI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"