Shtohet oreksi te Beslidhja, Redoni i hap sfidë Rubenit: Dua t’i afrohem me gola

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 16, 2022 | 14:28

Shtohet oreksi te Beslidhja, Redoni i hap sfidë Rubenit: Dua t’i afrohem me gola

Besëlidhja arriti një fitore të madhe ndaj Apolonisë dhe pasi konsolidoi pozitat për mbijetesën, ka ndryshuar edhe objektivat. Oreksi është shtuar dhe do të tentojnë zonën “play off”. Rregullorja e re i jep mundësi edhe vendit të 6- të për të kapur elitën, ndaj do të luftojnë deri në finish. Me vetëm 6 pikë më pak, shanset janë reale.

redon danaj

Optimist është edhe Redon Danaj, një nga protagonistët kryesorë në suksesin e fundit. Jo vetëm që shënoi golin e parë, por edhe kontribuoi tek i dyti që realizoi Arli Përgjoni.

Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori flet edhe për ambicien që ka për “Këpucën e Artë”. E megjithatë, tregohet realist për këtë pjesë dhe thekson se i vëllai (Rubeni, me 9 gola) ka shumë më shumë mundësi se ai.

“E kishim përgatitur seriozisht ndeshjen me Apoloninë. Ishte sa delikate aq edhe përcaktuese për fatin e Besëlidhjes. Fatmirësisht e fituam atë supersfidë, duke bërë kështu kthesën e madhe të mbijetesës. Tani, kemi luksin që të pretendojë edhe zonën ‘play off’. Falë ndryshimeve në rregullore, mund të besojmë edhe ne. Jemi vetëm 6 pikë larg vendit të 6-të dhe gjithçka mund të ndodhë. E megjithatë, na duhet të punojmë fort për të vijuar rrugën e fitoreve. Sa për golin që u shënova fierakëve, jam mjaft i gëzuar dhe i lumtur pasi morëm një trepikësh historik. Kandidat për goleador është vëllai im i madh Rubeni, por edhe unë dua t’i afrohem sadopak pasi deri tani kam shënuar 7 gola. Tani të gjithë vëmendjen e kemi të përqendruar te transferta e radhës ndaj Shkumbinit. Të gjitha ekipet duhen vlerësuar maksimalisht, pasi të gjithë luftojnë për objektivat e tyre. Ne tani na duhet të mos e prishim rreshtin e marrjes së pikëve, pasi i kemi të gjitha mundësitë”, përfundoi autori i 7 golave për Besëlidhjen.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"