Shtohen largimet nga Flamurtari, Troisi me valixhe në duar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 29, 2020 | 10:38

Shtohen largimet nga Flamurtari, Troisi me valixhe në duar

Flamurtari “firon” para Vllaznisë. Pas Jurgen Vrapit, janë tre lojtarë të tjerë të cilët duket se e kanë paramenduar “divorcin” përpara se të mbyllet mirë kampionati. Olsi Gocaj, Denis Pjeshka dhe Kreshnik Nebihu janë tre lojtarët e radhës të cilët nuk do të jenë më pjesë e Flamurtarit dhe mund të cilësohen tashmë të larguar.
Flamurtari festa e golit
Në javën e përgatitjes së ndeshjes me Vllazninë, këta tre lojtarë nuk janë paraqitur në seancat stërvitore. Edhe pse u mendua se ndonjëri prej tyre mund të shfaqej dje në seancën e fundit, nuk ka ndodhur kështu. Asnjë nga shkodranët e Flamurtarit nuk do të jenë sot përballë së shkuarës së tyre, Vllaznisë. Prej kohësh, në fakt, sulmuesi Xhevahir Sukaj nuk aktivizohet, qoftë edhe për shkak dëmtimi, por tashmë edhe shkodranët e tjerë e kanë mbyllur historinë me Vlorë. Ata ndoshta mund të jenë sot në stadium, por vetëm si spektatorë, pasi aventura e tyre te Flamurtari ka përfunduar. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për mesfushorin kosovar, Kreshnik Nebihu. Pavarësisht se klubi nuk i konfirmon zyrtarisht si të larguar këta lojtarë, ata mund të cilësohen që tani si ish-ë të Flamurtarit, pasi janë thuajse zero gjasat që ndonjëri prej tyre të qëndrojë edhe në Kategorinë e Parë.
FLAMURTARI VLLAZIA
TË TJERËT – Por, largimet te Flamurtari duket se u shfaqën qysh në ditët e para të rikthimit pas shkëputjes disa mujore për shkak të “COVID-19”. I pari që u largua ishte greku Jorgo Sarris. Ky i fundit ishte në Vlorë deri ditën e parë të startimit të seancave nga ekipi, por nuk u paraqit në stërvitje. Pasi mori “pagën e luftës”, ai iku drejt Greqisë. Disa javë pas tij u largua mesfushori Romedi Llapi. 18-vjeçari vlonjat u justifikua me faktin se do të ikte jashtë vendit te familja dhe nuk u kthye më. Edhe Xhevahir Sukaj, pavarësisht se u stërvit disa herë me ekipin gjatë kësaj kohe, nuk i shërbehu Flamurtarit me justifikimin se ishte i dëmtuar. Kohët e fundit sulmuesi shkodran nuk është dukur fare në Vlorë. Para se të mbyllej mirë sezoni u larguan nga Flamurtari edhe dy lojtarë brazilianë. Indio Oliveira u ndëshkua në fillim të korrikut për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, me katër ndeshje pezullim, duke e mbyllur sezonin. Por, pas tij iku edhe Karlos Henrike Ramos, të cilit i mbaroi kontrata. I vetmi lojtar brazilian që vijon ende me Flamurtarin është Lukas Ramos. Trajneri Troisi solli me vete dhe sulmuesin Uelder Kosta, i cili për fatin e tij të keq, u dëmtua që në ndeshjen e parë dhe iku nga Vlora.
troisi
TRAJNERI – Nuk dihet ende nëse Marcelo Troisi do të jetë trajner i Flamurtarit edhe në Kategorinë e Parë. Administratori Sinan Idrizi nuk ka vendosur për vijimin ose jo të bashkëpunimit me brazilianin. Gjasat janë që pas ndeshjes së sotme me Vllazninë, Troisi të largohet, pasi në fakt nën drejtimin e tij nuk ka mbërritur asnjë ofertë nga klubi për rinovim të marrëveshjes pas zbritjes nga Superiorja të skuadrës. E ardhmja e Troisit është e paqartë, pasi varet nga projekti që do të ketë vetë klubi, por edhe nga kushtet që mund të vendosë braziliani.

EKIPI

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"