“Shthurje totale, Lushnja 90% e rënë”, ish-kapiteni Sefa: Ka rënë niveli i futbollit, s’pashë një shkelm me Apoloninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 1, 2023 | 20:20

“Shthurje totale, Lushnja 90% e rënë”, ish-kapiteni Sefa: Ka rënë niveli i futbollit, s’pashë një shkelm me Apoloninë

Lushnja-Apolonia riktheu në stadium një “ikonë” si Fatjon Sefa. Edhe pse u bënë 5 vite që është shkëputur nga futbolli i luajtur dhe këtë kohë mundohet që të qëndrojë larg mediave, nuk kishte si të mungonte në këtë ndeshje.

sEFA2

E megjithatë, aromën e “derbit” nuk e mori kurrë. Pa vetëm një përpëlitje të skuadrave për të mbijetuar. Në një deklaratë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ish-sulmuesi analizon me detaje atë që pa në fushë të shtunën dhe sigurisht që vëmendje u jep verdhejeshilëve.

“Një shthurje totale. Një Cankë i lënë vetëm. Këtë pashë unë në fushë. Lodhu kot, me pak fjalë, pasi Lushnja ishte e shkëputur në reparte. Kjo vjen edhe prej kalendarit të vështirë dhe presionit që krijon renditja. Kjo situatë u bie në kokë të gjithë lojtarëve dhe në fund të fundit ata janë djem të rinj. Kishin dëshirë të vraponin, por nuk jepnin dot rezultat. Nuk mund ta quaj derbi atë, nuk ngjante me atë që ka bërë Fatjon Sefa, Gentian Çela, Dritan Çuko dhe të gjithë me radhë. M’u duk një ndeshje për mbijetesë kjo me Apoloninë dhe është gjynah. Nuk kishte duele.

Shikoja në fushë Cankën, i vetmi që bënte diferencën nga të dyja ekipet. Për të ardhur keq ku ka rënë niveli i futbollit. Nuk e di nga vjen kjo gjendje, por duhet të ndryshojnë. Këtu flas edhe për Fierin, jo vetëm Lushnjën. Duhet të bien ‘kambanat’ nga ata që të influencojnë në sport, sepse e morën më qafë”, komentoi fillimisht 38- vjeçari, që ka luajtur edhe te Dinamo, Besa e Skënderbeu.

MANGËSITË

Ish-kapiteni sheh ndryshim të madh në këtë lojë, ndërsa evidenton se nuk ka një “shkelm” në fushë. “Në vitin 2019 unë jam shkëputur nga futbolli. Në këto 5 vite shoh diferenca të mëdha të them të drejtën. Mungon ajo dëshira, grinta e pasioni që te ne dominonin. Nuk mund ta bëjë dot një individ i vetëm ekipin, por të gjithë bashkë.

Mos prisni gjë vetëm nga Canka për shembull. Kjo bëhet nëse bashkohen forcat mes tifozëve, presidentit dhe bashkisë. Por jo me letra ama… Nuk dua t’i paragjykoj të gjithë lojtarët, por diçka më bëri përshtypje. Vraponin, por aq e kishin aftësinë.

Unë nuk pashë një ‘shkelm’. Nuk u mor një karton i verdhë prej luftës sportive. Unë mund të jem një nga sulmuesit që kam marrë më shumë kartonë të verdhë në historinë e futbollit shqiptar. Nuk i kam marrë për fjalë, por i kam marrë për grintë sportive. Kjo ishte ideja”, shtoi Sefa.

MBIJETESA

Lushnja ndodhet në zonën e rënies nga Kategoria e Parë dhe për situatën e pazakontë, autori i mbi 100 golave gjatë karrierës së tij, jep edhe një apel.

“Lushnjës sime të dashur nuk do t’ia uroja kurrë, por kam frikë. Me 90% Lushnja është e rënë nga Kategoria. Vetëm po ndërhyri Zoti lart, nuk e di… Me këto mundësi që janë tani, vështirë. Të gjithë u kujtuan vonë për Lushnjën. Shumë vonë. Dua t’u bëj thirrje vetëm lojtarëve tani. Ata e kanë këtë mundësi tani dhe askush tjetër.

Duhet të japin shpirtin. Nuk është për faj të tyre, por kështu u bënë zgjedhjet që në fillim. Për këto ndeshje që kanë mbetur të japin maksimumin. të luajnë gjithçka për gjithçka dhe të evitojnë dramën”, përfundoi Fatjon Sefa.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"