“Shtëpia e Futbollit” në kohë krize, FSHF mund të ndërtonte 100 fusha

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 5, 2022 | 20:48

“Shtëpia e Futbollit” në kohë krize, FSHF mund të ndërtonte 100 fusha

Federata Shqiptare e Futbollit përuroi pak ditë më parë zyrat e saj të reja, të quajtura “Shtëpia e Futbollit”. Kalimi te një ambient tjetër shumë herë më i madh, ishte i nevojshëm duke parë zyrat e vjetra ku ndodhej FSHF-ja më parë, në raport edhe me shtimin e numrit të punonjësve në vitet e fundit apo edhe për lehtësime nga ana funksionale në menaxhimin e organizimeve të aktiviteteve që federata ka si detyrim.

Rama Duka Infantino

Një hap i rëndësishëm edhe për imazhin e këtij institucioni, edhe pse kompleksi në tërësi nuk ka përfunduar akoma me punimet, ku një prej fushave nuk është gati, apo hoteli që është projektuar për t’u ndërtuar me qëllim akomodimin e ekipeve kombëtare.

Përpos kësaj, pyetja që ngrihet është: A e ka luksin Federata Shqiptare e Futbollit që të ndërtojë zyra që kushtojnë 10.2 milionë euro deri tani, me një financim të FIFAs, UEFA-s dhe buxhetit të saj? Normalisht në kushtet ku ndodhet futbolli shqiptar aktualisht, por edhe kur ka nisur të ndërtohej ky kompleks, përgjigjja do të ishte jo.

Nëse dalim dhe bërtasim për ndërtimin e fushave të reja, projekte që shkojnë deri në 100 fusha, atëherë a nuk do të ishte lëvizje më e duhur sikur gjysma e shumës që kushtoi “Shtëpia e Futbollit” që nuk ka mbaruar, të shkonte për fusha të reja, duke përmirësuar kështu ndjeshëm infrastrukturën e klubeve shqiptare, apo nëse llogarisim shumën e plotë prej 10.2 milionë eurosh, mund të ndërtoheshin edhe 100 fusha.

Po duke parë që shumë klube mbahen nga bashkitë dhe me taksat e qytetarëve të atij qyteti, pse të mos u jepej një fond ndihmë për të lehtësuar frymëmarrjen e tyre, e cila do të lirohej vetëm duke shpërndarë gjysmën e shumës që kushtoi “Shtëpia e Futbollit” deri tani dhe me një llogaritje të thjeshtë, klubet e Superiores dhe Kategorisë së Parë do të përfitonin nga 212 mijë euro, dhe fundja do t’i përfitonin nga paratë që FIFA dhe UEFA ka dhënë si fond.

Një tjetër pjesë është ajo e kompleksit stërvitor të Kombëtares në Kamzë, i cili menaxhohet nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe nuk dihet se në shërbim të kujt do të vihet, duke qenë se “Shtëpia e Futbollit” do të mbledhë të gjitha ekipet zinxhirë të Kombëtares.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"