Shtëpia bosh, por Elbasani degdiset në stadiumin e… Peqinit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 10, 2021 | 11:11

Shtëpia bosh, por Elbasani degdiset në stadiumin e… Peqinit

Elbasani nuk do të luajë në “Elbasan Arena”. Verdheblutë deri dje kanë shpresuar më kot se largimi i Partizanit dhe transferta e Kukësit do t’i mundësonin rikthimin në shtëpi pas shtatë muajsh. Por, sfida me Lushnjën do të zhvillohet në stadiumin e Peqinit, duke u bërë në këtë mënyrë edhe stadiumi i katërt që verdheblutë luajnë si pritës për këtë sezon pas Cërrikut, Librazhdit dhe Beratit.

vllaznia elbasani

Pra, Elbasani mund të luajë kudo, por vetëm në qytetin e vet jo dhe kjo po kthehet në tragjikomedi. Sikur të mos mjaftonte kjo situatë, në ekip për shkak të rezultateve, tashmë elbasanasit thuajse janë të rënë një kategori më poshtë, duhet të mendojë edhe për të gjetur një stadium ku të luajnë. Nuk ka një arsye bindëse për atë që pse skuadra nuk luan në Elbasan, por mjaftohet me faktin që duhet të ruhet fusha për ndeshjet e tjera, pasi tri skuadra në një stadium të vetëm mund të sjellin degradim të terrenit.

Verdheblutë ishin përgatitur dhe shpresonin që ta zhvillonin ndeshjen e tyre me Lushnjën në Elbasan, por fakti që zhvillohet më shumë si një ndeshje sa për formalitet, ka bërë që elbasanasit të mos këmbëngulin, por të preferojnë fushën e Peqinit. Sa i përket kësaj sfide, teknikut Suta do t’i mungojë portieri Moli, i cili është dënuar pesë javë nga Komisioni i Disiplinës dhe vendin e tij në portë do ta zërë Gega.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"