Shtëpi e Superiores dhe kombëtares, Elbasani “ndihmon” më shumë të tjerët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 22, 2020 | 22:03

Shtëpi e Superiores dhe kombëtares, Elbasani “ndihmon” më shumë të tjerët

Pesë vitet e fundit Elbasani e ka thelluar krizën gjithnjë e më shumë, që nga koha kur nisi të lakohej shitja e aksioneve. Ekipi thuajse ra në “agoni” dhe ende nuk po del nga gjendja e vështirë. Megjithatë, nëse vitet e fundit verdheblutë nuk kanë pasur identitet, të tjera skuadra po i “zëvendësojnë”, duke u shpërngulur herë pas here në qytetin e Elbasanit për stërvitje dhe ndeshje zyrtare. Rastet më tipike janë dy skuadrat e Superiores, Partizani dhe Kukësi, që e kanë Elbasanin qytetin e preferuar. Kompleksi “Pepa” dhe stadiumi “Elbasan Arena” e kanë kthyer Elbasanin në shpëtimtar të skuadrave të tjera. Për fat të keq, kjo gjë nuk ka ndikim te skuadra që përfaqëson qytetin. Infrastruktura që të ofron ky qytet ka bërë të lakmohet nga klubet elitare dhe një faktor plus është afërsia me kryeqytetin. Deri vonë ka qenë edhe shtëpia e Kombëtares dhe Europiani i Francës kaloi më parë nga ky qytet. Në njëfarë mënyre, kush ka pasur objektiva madhorë, ka kërkuar ndihmën e Elbasanit dhe sigurisht që kjo ndihmë i është ofruar, të paktën në aspektin infrastrukturor.
Stadiumi-Elbasan-Arena-bosh-1
PARTIZANI – Kampionët në fuqi të Superiores, Partizani, këto tri vitet e fundit kanë preferuar të shpërngulen në Elbasan, duke e konsideruar si shtëpinë e dytë. Ishin të kuqtë ata që e nisën këtë trend dhe të paktën sezonin e kaluar kishin fat, pasi u rikthyen te titulli kampion pas një çerekshekulli. Edhe këtë sezon skuadra e kuqe përgatitjet i ka bërë shpesh në kompleksin “Pepa”, ndërsa ndeshjet i zhvillon në kryeqytet, pas marrëveshjes për “Selman Stërmasin” dhe ndërtimit të “Air Albania”-s. Derën për t’u rikthyer në Elbasan Partizani e ka të hapur, të paktën deri kur të kenë shtëpinë e tyre të re.
Musolli-Gjoni Kukesi-Laci

KUKËSI – Edhe Kukësi ka zgjedhur Elbasanin për të zhvilluar minifazën përgatitore pas Koronavirusit. Verilindorët, në mungesë të një qendre stërvitore, janë zhvendosur në Elbasan, një njohje e vjetër sa i përket “Elbasan Arenës”, sepse një pjesë të mirë të ndeshjeve si pritës i kanë luajtur aty, si në kampionat, por edhe në Kupat e Europës. Tani po kryejnë stërvitje në kompleksin “Pepa”, duke i zënë vendin Partizanit, larg zhurmës së kryeqytetit. Mësohet se edhe ndeshjet e mbetura të këtij sezoni verilindorët do t’i luajnë në “Elbasan Arena”, duke u “shpërngulur” thuajse tërësisht në Elbasan.
Reja Kombetarja
KOMBËTARJA – Më herët ishte Kombëtarja ajo që e “zbuloi” Elbasanin, teksa nuk ngurronte të stërvitej në këtë qytet, për më tepër që u ndërtua edhe “Elbasan Arena” dhe kuqezinjtë zhvilluan aty ndeshjet eliminatore të “Euro 2016”. Fundi është i njohur për të gjithë, sepse është pjesë e historisë sonë: kuqezinjtë për herë të parë shkuan në fazën finale të një Europiani. Një pjesëz sado të vogël nga ky sukses e ka sigurisht edhe qyteti i Elbasanit.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"