Shtangu Partizanin, rrëfehet Xhika: Nuk mora hak ndaj “demave”, marr shembull nga…Orges Shehi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 31, 2019 | 20:23

Shtangu Partizanin, rrëfehet Xhika: Nuk mora hak ndaj “demave”, marr shembull nga…Orges Shehi

Kukësi barazoi ndaj Partizanit dhe heroi i asaj ndeshjeje ishte pa dyshim Dashamir Xhika, që me pritjet e tij evitoi gola të sigurt.

xhika kukesi

Portieri që deri një sezon më parë ishte rezervë te “demat”, që pas kalimit te verilindorët po shkëlqen. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, 30-vjeçari thekson se nuk kishte asnjë hakmarrje ndaj ish-ekipit.

Nuk kishte si të mos fliste për garën që po zhvillohet, ndërsa shfaqet i bindur për arritjen e objektivave. Idhulli i tij është Xhixhi Bufon, e megjithatë në Shqipëri veçon Orges Shehin si një shembull për t’u marrë. Miku më i mirë që ka në futboll është Jurgen Bardhi, për të cilin me shaka thotë se e ka rritur vetë.

xhika

Pritët pa fund ndaj Partizanit, ishte kjo një “hakmarrje” për ata që nuk besuan te ju?

As nuk e kam menduar ndonjëherë hakmarrjen ndaj ekipit ku jam rritur. Nuk ekziston kjo fjalë për Partizanin. Thjesht po bëj detyrën. Tashmë jam pjesë e një klubi të nderuar dhe të madh si Kukësi, e natyrisht që do të bëj punën time në mënyrën më të mirë të mundshme. Prandaj jemi profesionist.

Çfarë ju thanë ish-shokët e ekipit pas ndeshjes, veçanërisht Çinari?

Në përgjithësi ish-shokët e ekipit tim më bënë komplimente për paraqitjen time, më uruan. Ndërsa Çinari nuk është se me tha ndonjë gjë të veçantë.

Mendoni se lëvizja te Kukësi ishte e duhura, pasi keni gjetur veten?

Shpresoj të bëj paraqitje sa më të mira, të tregoj veten e të ndihmoj ekipin tim. Ky është qëllimi im. Dhe, pse jo, të gjej veten. Kukësi është një klub shumë i mirë, me lojtarë cilësorë, staf dhe president dinjitoz.

Kush është portieri i huaj që ju frymëzon?

Xhixhi Bufon është frymëzues. Ai më ka pëlqyer e vazhdon të më pëlqejë më shumë se çdo portier tjetër. E kam idhull, është legjendë e gjallë.

Po nga portierët shqiptarë kë keni më shumë qejf?

Në Shqipëri ka pasur dhe vazhdon të ketë portierë cilësorë. Por, për nga profesionalizmi, karakteri e çdo aspekt tjetër ai që veçohet është Orges Shehi. E ka treguar veten në kaq vite, ku ka udhëhequr Skënderbeun në fushë, duke korrur shumë suksese që nga kampionatet deri te kualifikimet në grupe në Europa Ligë.

Mendoni se Kukësi është më i fortë se Partizani?

Të dyja ekipet janë të forta e në fund do të duket se kush do ta fitojë garën. Secili ekip ka anët pozitive dhe negative. Kukësi ka treguar se ka vizion loje dhe se di të ndërtojë, përtej pikëve që ka në tabelë. Duhet të kishim edhe disa pikë me tepër, pasi kemi treguar që krijojmë futboll, prodhojmë raste dhe volum loje. Por, unë them që ne duhet të shohim përpara, duhet ta vlerësojmë çdo ndeshje dhe çdo kundërshtar sikur është Partizani, pasi pikët janë njëlloj ndaj cilësdo skuadre. Ndaj, ne i marrim ndeshjet një e nga një e pastaj të bëjmë vlerësimet tona.

Si e shihni garën për titull dhe a besoni se mund ta fitoni kampionatin edhe me Kukësin?

Gara është shumë e fortë, sepse janë disa ekipe që luftojnë për titull dhe shpresoj që të vazhdoj akoma me trofe. Natyrisht që Kukësi është i ndërtuar për të luftuar për trofe dhe ne do të bëjmë çmos që t’ia dalim deri në sekondën e fundit. Kam shumë besim se do t’ia arrijmë në fund të kapim objektivat. Për Kukësin nuk është utopi të luftojë për titullin apo për Kupën, ndaj me besim të plotë dhe duke dhënë maksimumin shpresojmë se do të triumfojmë ne.

Kush ju bindi për të ardhur nga Partizani te Kukësi?

Në një ekip të mirë për garën për titull çdo lojtar do të dëshironte të shkonte. Më telefonuan dhe pranova, sepse vërtet mund ta arrijmë përsëri titullin kampion.

Miku më i mirë i Xhikës në futboll cili është?

Kam shumë miq të mirë në futboll dhe e kam të vështirë të përmend ndonjë emër. Gjithsesi, Bardhin mund ta them, sepse e kam rritur vetë (qesh), pasi ai ka ardhur shumë i vogël te Partizani. Është djalë fantastik dhe një futbollist mjaft i mirë.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"