SHTANGË/ Calja trondit Kupën dhe vendos dy rekorde, Veli rikthehet fuqishëm, duke u shpallur më e mira

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 7, 2020 | 8:31

SHTANGË/ Calja trondit Kupën dhe vendos dy rekorde, Veli rikthehet fuqishëm, duke u shpallur më e mira

Peshëngritja shqiptare zhvilloi dje aktivitetin e parë kombëtar për vitin 2020, ku në kryeqytet u mbajt Kupa e Republikës. Një event që pa të garonin 110 sportistë meshkuj dhe femra nga të gjitha klubet e vendit. Pallati i sportit “Asllan Rusi” u kthye në një arenë të vërtetë, ku më të mirët e shtangës në vend matën forcat me njëri-tjetrin. Pas 2 vitesh pezullim për shkak të dopingut, Evangjeli Veli rikthehet sërish si kampione, teksa u zgjodh sportistja më e mirë në radhët e femrave. Ajo tregoi një formë të shkëlqyer ku dhe vendosi dy rekorde kombëtare.evangjelia-veli-3

Veli përfaqësoi klubin e Tiranës dhe garoi në peshën 59 kg. Në shkëputje ajo regjistroi rezultatin 87 kg (rekord kombëtar), në shtytje 102 kg dhe në dygarësh 189 kg (rekord kombëtar). Me këtë paraqitje Evengjelia hipotekon edhe një biletë për në Kampionatin Europian, ndërsa në një prononcim për “Panorama Sport”, Veli do të deklaronte: “Të them të drejtën prisja një rezultat akoma edhe më të mirë, por ishte gara e parë pas dy vitesh dhe emocionet ishin të mëdha. Gjithsesi, jam shumë e kënaqur pasi arrita të bëj pesë prova të sakta. Tani kemi Europianin në muajin prill, por të shikojmë se si do të shkojnë gjërat deri atëherë, duke parë edhe situatën me Koronavirusin.

E rëndësishme është që gara të shkojë mirë, pasi do të jetë e para pas dy vitesh për mua dhe synoj që të bëj 6 prova”, deklaroi Evangjelia. Ndërsa fitueset e tjera sipas peshave ishin: Linda Goga (Elbasani) 49 kg, Ana Jovani (Skënderbeu) 55 kg, Sherjana Ruci (Studenti) 64 kg, Kleopatra Saliaj (Apolonia) 71 kg, Kristina Terzi (Greqi) 76 kg dhe Evgjeni Petrosha (Elbasani) 81 kg. Ndërkohë, në rang ekipor për femra triumfoi skuadra e Partizanit me 579 pikë, ndjekur nga Elbasani me 459 pikë dhe Tirana me 367.Evangjeli-Veli-gare-kish

MESHKUJT

Në radhët e meshkujve të gjithë vëmendjen e mori Briken Calja. Ai u tregua i jashtëzakonshëm me paraqitjen e bërë dhe konfirmohet si kampioni i padiskutueshëm i shtangës shqiptare. Calja u zgjodh sportisti më i mirë i aktivitetit, duke vendosur edhe dy rekorde të reja kombëtare në peshën 81 kg, edhe pse nuk i përket kësaj peshe. Me në sfond këngën e “Marshit të trimave të Skënderbeut”, Briken Calja theu rekordin në shkëputje duke ngritur lart 160 kg, më pas në shtytje regjistroi 192 kg, për ta mbyllur dygarëshin sërish me rekord kombëtar 352 kg.

Rezultate që shpartallojnë edhe rekordin europian, duke bërë që Calja të jetë favoriti numër një edhe në Europian. Shumë i kënaqur me paraqitjen e tij, pas garës Calja tha: “I prisja këto rezultate pasi vij nga një periudhë e gjatë stërvitjeje, ku nuk kam bërë asnjë ditë pushim. Kam arritur ta thyej me 5 kg rekordin europian të peshës sime dhe kjo është fantastike dhe shumë premtuese jo vetëm për Europianin, por edhe për Olimpiadën”. I pyetur a është kjo forma më e mirë e karrierës, Calja shprehet: “Pa diskutim që po. E kisha deklaruar edhe më parë që rezultatet e mia do të jenë në zonën e medaljeve në Europian. Kam premtuar gjithashtu edhe medalje olimpike, ndonëse shumë njerëzve u duket habi.briken calja

Të mos habiten aspak sepse unë do të sjell medaljen e parë olimpike në historinë e Shqipërisë. Dua të bëj një falënderim për njerëzit me të cilët punoj Geraldin, Ninin, Sokolin që janë pjesë e pandashme e punës time. Federatën e Peshëngritjes, ‘Çufon’ dhe familjen time”, përfundon Calja. Ndërkohë në peshën 81 kg, nuk garoi Erkand Qerimaj, i cili tha se është tërhequr për të mos rrezikuar për shkak të një problemi fizik. Në rang ekipor kampion u shpall Teuta 1 me 728 pikë, ndërsa podiumin e plotësojnë Elbasani me 644 pikë dhe Tirana me 642.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"