SHTANGË/ Ana Jovan, korçarja e titujve: Dietat nuk më dalin as për ujë, po më mbyllin karrierën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 26, 2022 | 17:05

SHTANGË/ Ana Jovan, korçarja e titujve: Dietat nuk më dalin as për ujë, po më mbyllin karrierën

Ndonëse prej shumë vitesh mbron ngjyrat e Skënderbeut, duke i dhënë tituj kampionë fillimisht në gjimnastikë e më pas në peshëngritje, Ana Jovan ndodhet në një situatë mjaft të vështirë, aq sa po mendon seriozisht edhe tërheqjen nga sporti.

ana jovan

Ka mjaftuar vetëm një vend i dytë në kampionat, që peshëngritëses korçare t’i bëhet një ulje e madhe e trajtimit ushqimor, të cilën bashkia e jep si kuotë financiare për sportistët. Nga 40 mijë lekë në muaj që paguhej më parë, tashmë shumën ja kanë reduktuar në 15 mijë lekë. Tepër e zhgënjyer për këtë situatë dhe për trajtimin fyes që po i bëhet nga drejtuesit e rinj në klub, Ana Jovan ndan shqetësimin e saj për “Panorama Sport”:

“Gjatë karrierës sime te Skënderbeu janë ndryshuar tre drejtues të klubit, ndërsa e katërta, Olsa Vaso, e emëruar së fundmi, më bëri një mosvlerësim në mënyrë mekanike. Më ka ofruar një trajtim ushqimor që nuk mjafton as për të pirë ujë. Më hodhi poshtë të gjithë karrierën”, shprehet fillimisht peshëngritësja, e cila më tej vijon:

“Më ka thënë se nuk rëndësi kush ke qenë, por gara e fundit në të cilën ke rënë nga rezultati. Unë i shpjegova të gjitha arsyet që kam pasur, por ajo në mënyrë jologjike nuk i mori parasysh. Kam marrë pjesë në garën e fundit në kampionat me një dëmtim në shpatull dhe në një moment kur sapo kisha kaluar COVID-in. U futa në garë vetëm për të përfaqësuar Skënderbeun dhe dola nënkampione në një kategori peshash me konkurrencë të lartë. Një herë që unë pata ulje në rezultat, më hodhën direkt në rrugë”, shprehet Jovan, e cila më tej rrëfen karrierën e saj të shkëlqyer te Skënderbeu:

ana jovan 1

“Kam 21 vite në sport, një jetë duke përfaqësuar Skënderbeun. Sportin e kam nisur që në moshën 4-vjeçare në gjimnastikë dhe për 12 vite kam qenë kampione. Më pas kalova në peshëngritje dhe në 9 vite regjistroj tituj kampionë duke nisur nga paratërejat, të rejat dhe te të rriturat. Jam grumbulluar edhe me Kombëtaren, duke përfaqësuar Shqipërinë në Europianin për të reja në 2018-ën”, thotë shtangistja. Një situatë alarmante, që tregon gjendjen mjerane në të cilën ndodhet sporti në Shqipëri, teksa peshëngritësja e ka të pamundur që ta vijojë karrierën në të tilla kushte, aq më tepër që në vendin tonë mungon edhe një ligj favorizues për sponsorizimin në sport.

ana jovan 2

“Në një farë mënyre po më imponojnë të tërhiqem nga sporti. Kjo që po ndodh më ka bërë të kem një gjendje psikologjike të ngarkuar. Me 15 mijë lekë, nuk mund të motivosh një sportiste amatore e jo më një profesioniste. Me këtë shumë nuk ushqehesh dot me një pjatë pilaf dhe me një gotë ujë, e jo më të bësh sport. Më hodhën në plehra një karrierë të tërë, ku gjithçka e kam arritur me shumë vite punë, me shumë djersë edhe pse kam një jetë që i sjell medalje shumësportëshi Skënderbeut”, përfundon peshëngritësja korçare.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"