Shtanga në zgjedhje, Gjoza gati të rimarrë fronin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 26, 2020 | 9:57

Shtanga në zgjedhje, Gjoza gati të rimarrë fronin

Pas një periudhe dis amujore të shoqëru ar me akuza, polemika dhe me një asamble zgjedhore të dështuar, Federata Shqiptare e Peshëngritjes sot do të mandatojë drejtuesit e rinj. Në orën 11:00, në sallën “Feti Borova” në Tiranë do të mbahet asambleja e jashtëzakonshme e FSHPsë, por ndryshe nga asambleja e dështuar e 14 nëntorit, ku në garën për president ishte vetëm Eglantina Çuni, tashmë kandidatët janë katër. Siç dihet komisioni i etikës ia hoqi “njollën” Elez Gjozës, duke e rikthyer përsëri në garë pas përjashtimit të mëparshëm si një figurë me moral jo të pastër për shkak të skandaleve të dopingut. Gjithashtu, garës i janë shtuar edhe dy emra të tjerë si Everest Troka dhe Flamur Isufi. Megjithatë, favoriti numër një për të marrë drejtimin e shtangës mbetet Gjoza, e kjo u kuptua qartë që më 14 nëntor, teksa ai duket se tashmë i ka numrat e nevojshëm për të marrë fronin e shtangës shqiptare.

Elez gjoza

KRONOLOGJIA – Siç dihet fillimisht u paraqitën tri kandidatura për kreun e FSHP-së, teksa Theodhor Masllavica, Elez Gjoza dhe Eglantina Çuni deklaruan futjen e tyre në garë. Por pas mbledhjes së Komisionit të Etikës, Gjoza u “skarcua”. Kandidimi i tij nuk u pranua nga komisioni, i cili e konsideroi Gjozën si një person jo të pastër moralisht për të drejtuar shtangën, duke iu referuar skandaleve të shumta të dopingut, gjatë periudhës kur ai ka qenë në krye të federatës. Këtu shpërthyen edhe akuzat e forta në ambientin e peshëngritjes, me Gjozën që e quante të jashtëligjshëm skualifikimin e tij. Ndërsa nuk munguan as sulmet e njerëzve të shtangës ndaj Gjozës, të cilët i kujtonin skandalet e njëpasnjëshme që kishte prodhuar në kohën kur ishte president.

Por kthesa e madhe do të vinte një ditë para asamblesë zgjedhore, kur presidenti Theodhor Masllavica në mënyrë krejt të papritur njoftoi tërheqjen nga gara për arsye personale, por për këtë tërheqje të gjithë në komunitetin e peshëngritjes e dinë shumë mirë që fshihen presionet politike. Kështu Masllavica, i ardhur në krye të FSHP-së me moton për ta pastruar peshëngritjen nga dopingu, pas 2 vitesh e gjysmë në drejtim të federatës, largohet me më shumë se 30 medalje ndërkombëtare të fituara dhe me zero raste dopingu të sportistëve tanë. Më pas më 14 nëntor u tentua zhvillimi i asamblesë, por mbështetësit e Gjozës nuk e lejuan mbajtjen e saj, pasi e quanin të jashtëligjshëm përjashtimin e bërë, ndërsa përplasjet shkuan deri në konfrontim fizik. Kështu asambleja dështoi, ndërsa u caktua data 26 dhjetor për asamblenë e jashtëzakonshme. Më tej u ngrit një Komision i ri Etike, me kryetar Isa Balën dhe anëtarët Admir Dizdari e Elvin Shytaj. Ky komision mori vendimin për ta pranuar në garë kandidatin për president, Elez Gjoza. Madje jo vetëm kaq, por garën e presidencës së FSHP-së u futën edhe dy kandidatura të tjera si Everest Troka dhe Flamur Isufi, të cilët së bashku me Eglantina Çunin dhe Elez Gjozën, do të formojnë katërshen pretendente për kreun e shtangës. Gjithashtu Komisioni i Etikës vendosi të rikthejë në garë edhe dy kandidatët e këshillit drejtues që më parë ishin përjashtuar si Asim Belinova dhe Kreshnik Leka.

ELEZ GJOZA – Ish-presidenti i FSHP-së në vitet 2012- 2018 është plotësisht i bindur në fitoren e tij. Madje ai nuk ka ngurruar të thumbojë edhe kundërshtaren Eglantina Çuni. “Shtanga do investime dhe nuk mund të drejtohet nga një person që ka vetëm 2 rroga mesatare të ardhura në muaj”, është shprehur Gjoza, duke iu referuar Çunit. Kujtojmë që trajnerja e skuadrës elbasanase “Dritan Kalemi” është kandidatja e parë femër në historinë e FSHP-së, e cila shpreson që të futet në histori gjithashtu si presidentja e parë në shtangën shqiptare. Megjithatë, çdo gjë do të vendoset sot, teksa klubet do të votojnë për drejtuesit e rinj të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, ku sigurisht favorit kryesor mbetet Elez Gjoza.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"