“Shqiptarët po drogojnë fëmijët e akademisë”, presidenti i Kaçes denoncon skandalin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 7, 2019 | 14:34

“Shqiptarët po drogojnë fëmijët e akademisë”, presidenti i Kaçes denoncon skandalin

E paprecedentë në Greqi, presidenti i Larisës denoncon disa trafikantë shqiptarë se po drogojnë lojtarët e akademisë së klubit helen. Dy ditë më parë, kur skuadra në të cilën aktivizohet edhe Ergys Kaçe, luajti në “AEL Arena” ndeshjen e Kupës së Greqisë ndaj Kallamatës, pati një incident mes presidentit Aleksis Kujas dhe një grupi personash në tribunën lindore të stadiumit.

klubi9

Vetë Kujas ka mbajtur një qëndrim zyrtar, duke sqaruar rastin në fjalë dhe ka zbuluar se fëmijë të moshës 14- vjeçare janë gjetur në gjendje të keqe pas përdorimit të lëndëve narkotike. Kujas, një avokat i famshëm, që prej tri dekadash është pjesë e futbollit si president i disa klubeve dhe aktualisht i Larisës, i bëri thirrje policisë të marrë masa për trafikantët shqiptarë.

DEKLARATA

“Dua të premtoj për familjet e tifozëve që m’u lutën të shkoja në tribunën lindore se kjo gjë nuk do të ndodhë më. Trafikantët shqiptarë të drogës ishin aty së bashku me fëmijët 13- 14-vjeçarë, mes tyre dhe fëmijët e skuadrës U-14 të Larisës. I kam gjetur në gjendje të keqe pas përdorimit të lëndëve narkotike. Kjo ka larguar tifozët nga vendet e tyre, por nuk do të ndodhë më. Që nga ndeshja tjetër ndaj Atromitos, nuk do të guxojnë të jenë aty.

Klubi do të kontaktojë me prindërit e një 14- vjeçari të akademisë së Larisës, për t’i bërë të ditur se është një fëmijë i rrezikshëm. Neglizhenca e policisë kundrejt këtyre trafikantëve të drogës, që i japin lëndë narkotike 13, 14 dhe 15-vjeçarëve në ndeshjet e Larisës, duhet të sjellë patjetër reagimin e organeve më të larta. Unë u ula në atë tribunë pa truproja, por vetëm me kreun e kompanisë private të sigurisë. Isha aty për të siguruar prova dhe për të fotografuar personat e droguar që bënin presion te tifozët”, ka deklaruar ndër të tjera për ngjarjen presidenti i Larisës, Aleksis Kujas. Ky i fundit u përfshi në një zënkë me disa tifozë të droguar pas ndeshjes Larisa-Kallamata 1-0.

Skuadra ku përveç Kaçes aktivizohen edhe dy lojtarë të tjerë shqiptarë (Fatjon Andoni dhe Gertin Hoxhalli) u eliminua në Kupë nga Kallamata e Ligës së Tretë. Kjo shkaktoi edhe një revoltë të ultrasve të Larisës.

MARSEL ALLIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"