Shqipëria zgjodhi trajner pa pagesë, Ylli Tomori: Shou i radhës nga federata

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 4, 2019 | 22:04

Shqipëria zgjodhi trajner pa pagesë, Ylli Tomori: Shou i radhës nga federata

Pas një sezoni fantastik ku arriti të shpallet kampion me skuadrën e Partizanit, trajneri Ylli Tomorri duket se është gati për një tjetër vit të suksesshëm në radhët e skuadrës kryeqytetase.

ylli tomori

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Tomorri komenton situatën në kampin e kuq, flet për merkaton dhe akademinë. Trajneri i Partizanit flet gjithashtu edhe për ndryshimet e bëra së fundmi në volejbollin shqiptar ku tekniku italian, Luka Seki, mori drejtimin e skuadrës së femrave.

Fillimisht, Tomorri shprehet në lidhje me përgatitjet që skuadra ka nisur për sezonin e ri: “Në skuadrën tonë vazhdon stërvitja, natyrisht e lehtë dhe aktive, në mënyrë që lojtarët të jenë gjithmonë në kontakt me topin. Dy nga lojtarët tanë të rinj, Bakiri dhe Çela, janë grumbulluar me ekipin kombëtar U-20”, thotë Tomorri.

luka seki

Ai më pas tregon sesi u prit nga skuadra pjesëmarrja për në Ligën e Kampionëve: “Pjesëmarrja në Europë, jo vetëm për ne si ekip, por të gjithë komunitetin e volejbollit të Partizanit e ka gëzuar pa masë. Na vë në provë të fortë për një përgatitje speciale me synime dhe objektiva të qarta. Do të përpiqemi të ruajmë grupin e do të kërkojmë gjithashtu të përforcohemi. Ndoshta do të afrojmë lojtarin serb Vladan Xhorxheviç dhe ndonjë bashkëkombës të tijin. Gjithashtu nuk përjashtohet mundësia për të afruar ndonjë lojtar cilësor shqiptar”.

Tomorri komenton edhe krijimin e skuadrës së të rinjve të Partizanit pas një periudhe të gjatë mungese: “E kishim menduar me klubin dhe pas një bisede të gjatë me drejtorin Shkëlqim Muça, vendosëm që të përkrahim edhe ekipet zinxhirë, që do të jenë një prodhimtari për ekipin e parë. E di që fillimisht do të kemi vështirësi, por me emrin që ka Partizani besoj se do të na afrohen shumë fëmijë”.

Në fund, trajneri kryeqytetas flet edhe për ndryshimin e bërë në pankinën e kombëtares së femrave: “Unë asnjëherë nuk kam qenë kundër marrjes së lojtarëve të huaj ashtu edhe të trajnerëve të huaj. Ju pyesni a ka trajnerë shqiptarë dhe unë mund t’u them që kemi trajnerë të mirë dhe më shumë perspektivë, si Orlando Koja. Një tjetër trajner me përvojë italiane është Gjon Çoba. Tani këta që sjellin trajnerë italianë duhet të jenë më tepër transparentë dhe të dimë se çfarë ka drejtuar dhe çfarë rezultatesh ka arritur në Itali.

Për mendimin tim, ne nuk e kemi dobësinë të trajnerët, por te grupi i lojtareve, ku përjashto Erblira Bicin, të tjerat nuk janë në nivelin e saj. Ne i kishim trajnerët dhe mos gaboj na dhuruan rezultate të larta në dy kompeticionet e mëparshme. Prandaj mendimi është që të mos preken trajnerët e parë, por puna të fillojë me moshat e reja, pasi aty kemi mangësi të mëdha, për të nxjerrë dhe për të mësuar elementin e ri. Si përfundim, mund të them që më duket shou i radhës”, përfundoi Tomorri, i cili është një prej trajnerëve më fitues dhe më të suksesshëm në volejbollin shqiptar.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"