Shqipëria U-16 humb ndeshjen e fundit, e mbyll në vendin e 6

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 31, 2017 | 12:13

Shqipëria U-16 humb ndeshjen e fundit, e mbyll në vendin e 6

Kombëtarja shqiptare në basketboll U-16 për djem mbylli ditën e djeshme aventurën e saj europiane në Divizionin C, eliminatoret e së cilës u mbajtën në Andorra. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Erkand Karaj u mposhtën dje në ndeshjen përmbyllëse të kampionatit europian nga Kombëtarja e Monakos me rezultatin 79-71.

kombetarja u16 shqiperi basketboll

Përfaqësuesja e Monakos u hakmor ndaj bashkëmoshatarëve shqiptarë pas asaj humbjeje që i shkaktuan në ndeshjen e tretë të vlefshme për Grupin B. Takimi ka patur mjaft rivalitet dhe emocione, veçanërisht në 10 minutat e fundit. Tri minuta nga fillimi i periodës së katërt, Monako udhëheq me rezultatin 65-59.

Skuadra shqiptare nuk heq dorë dhe bën presion të vazhdueshëm ndaj kundërshtarit. Në dy sulmet e radhës, Shqipëria ngushton në -1 pikë (65-64) pas trepikëshit të Skendaj dhe dypikëshit të Topit duke rihapur përkohësisht sfidën. Ky ndryshim rezultati çon miqtë në një “time out” të detyruar që shërben për të tijtë. Monako krijon një tjetër avantazh komod 71-66.

Fundi është realisht dramatik. 31 sekonda nga epilogu, Skendaj shënon dy pikë entuziazmi (74-71) pas asistit të shërbyer nga Muhametaj. Pikërisht atëherë kur nuk duhej, kuqezinjtë marrin goditjen fatale në 10 sekondat e fundit.

Kapiteni Vermilak, pikëshënuesi më i miri për Monakon (21), shuan përfundimisht shpresat e tanëve me dy finalizimet e fundit dhe krejt ndeshja përfundon 79-71, rezultat që e klasifikon Shqipërinë të gjashtin. Gjithsesi, në këtë Europian, ndryshe nga edicionet e mëparshme dhe kombëtaret e tjera të moshave, U-16 e trajnerit Karaj tregoi një nivel të kënaqshëm, e shpërblyer me meritë edhe me tri fitore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"