Shqipëria, tjetër humbje në miqësore para kualifikueseve të Botërorit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 27, 2017 | 20:38

Shqipëria, tjetër humbje në miqësore para kualifikueseve të Botërorit

Pas kalvarit të udhëtimit deri në Armeni për në turneun miqësor, kombëtarja shqiptare në basketboll për meshkuj ka zbritur dje në parket për luajtur takimin e parë në këtë transfertë. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Antonis Konstantinides u mposhtën nga kombëtarja vendëse me rezultatin e përgjithshëm 91-68.

armeni shqiperi basketboll

Të zotët e shtëpisë do të udhëhiqnin në pjesën e parë e mbyllur në favor 44-38. Në këtë turne miqësor marrin pjesë katër kombëtare, mes tyre edhe Kazakistani dhe Irani. Shqipëria u rikthehet testeve përpara pjesëmarrjes së kualifikueseve të kampionatit botëror 2019 pas atyre dy humbjeje të pësuara në sallën e lojërave me dorë “Feti Borova” përballë përfaqësueses së Kosovës.

Në miqësoren e së shtunës, ku nuk munguan edhe incidentet mes amerikanit të natyralizuar Majk Mohzer dhe kosovarit Dardan Berisha, Kosova fitoi 71-63. Ndërsa një ditë më pas kosovarët fituan 90-72 dhe arritën të tregonin të njëjtin nivel për ta mbyllur këtë fazë miqësoresh me dy suksese.

Këto miqësore do i shërbejnë ekipit shqiptar për t’u përmirësuar sa të munden në prag të sfidave eliminatore për Kupën e Botës që do të startojnë në 2 gusht me përballjen ndaj Austrisë. Në eliminatoret e Kupës së Botës, Shqipëria ndodhet në grupin B bashkë me Holandën e Austrinë.

Për kuqezinjtë do të jetë një mision i vështirë kualifikimi për në fazën tjetër, ndonëse tekniku qipriot ka shfaqur optimizëm për t’u renditur në dy vendet e para që do t’i kualifikonin edhe për turin e ardhshëm që mbahet në muajin nëntor. Ndërkohë, një ditë më parë, Federata Shqiptare e Basketbollit, nëpërmjet një njoftimi për mediat, bëri publik konfirmimin e pjesëmarrjes në paraeliminatoret e Kampionatit Europian 2021.

Bashkëlidhur me formularin e konfirmimit, ishte shoqëruar edhe letra e mbështetjes së Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ky një kusht i detyrueshëm nga FIBA si institucioni përgjegjës për aktivitetet sportive të ekipeve përfaqësuese. Në eliminatoret e 2017-ës, Shqipëria e mbylli e fundit (në grupin F) me një fitore (ajo ndaj Sllovakisë).

OLGERT SERANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"