Shqipëria për herë të parë në Kampionatin Europian të Minifutbollit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 17, 2018 | 19:20

Shqipëria për herë të parë në Kampionatin Europian të Minifutbollit

Shqipëria bënte pjesë në vazon e fundit dhe fati u rezervoi një grup me Bosnjë Hercegovinën, Kazakistanin (fitues i “Euro 2016”), Hungarinë (gjysmëfinalistet e “Euro 2017”) dhe Irlandën. Kampionati i Minifutbollit Amator ka hyrë në fazën më interesante, pas 4 javëve të para ekipi “Prestige” kryeson renditjen me pikë të plota, pasi ka mposhtur vendin e dytë dhe të tretë në dy ndeshjet e fundit. Ekipi “Prestige” në këto 4 javë kryeson edhe listën e golashënuesve, por ka edhe sulmin më të mirë të Kampionatit me 23 gola të shënuar dhe vetëm 6 të pësuar.

Minifutbolli

Lojtarët e ekipit përfaqësues do të përzgjidhen nga 3 ekipet më të mira të Kampionatit dhe të paktën deri në këtë fazë duket se “Prestige” e ka siguruar një vend mes më të mirëve. Ndryshimet kryesore mes Minifutboll dhe Futbollit të sallës ose Futsal:

1. Minifutbolli luhet nga lojtarë amatore, ndërsa Futsal nga profesionistë;

2. Minifutbolli luhet në sipërfaqe me bar natyral, artificial ose sintetik, ndërsa Futsal në parket ose sipërfaqe të fortë;

3. Minifutbolli mund të luhet 5×5, 6×6, 7×7 ose 8×8 në fusha me dimensione të ndryshme, ndërsa Futsal luhet vetëm 5×5;

4. Minifutbolli luhet me top të rregullt të masës 5, ndërsa Futsal me top mase 4 që nuk kërcen;

5. Dimensionet e fushës së Minifutbollit janë gjatësia 46- 50 metër dhe gjerësia 26-30 metër, ndërsa fusha e Futsal ka një gjatësi 25-42 metër dhe një gjerësi 16-25 metër.

6. Futsal luhet në ambiente të mbyllura ose “indoor” ndërsa Minifutbolli mund të luhet si në ambiente të mbyllura ashtu edhe të hapura. “Shoqata jonë u themelua nga pjesëtarët e njërit prej ekipeve pjesëmarrës në 2 Kampionatet e Minifutbollit të organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit gjatë viteve 2015-2017, – thotë për ‘Panorama Sport’ kryetari i shoqatës, Ervin Bytyçi.

Hysenbelliu

– Arsyeja kryesore që ne u detyruam të krijonim një Shoqatë të re ishte se FSHF-ja nuk kishte të drejtë ta organizonte këtë kampionat, pasi Minifutbolli Amator, i ashtuquajtur Kalçeto në gjuhën e përditshme, nuk njihet si sport nga UEFA dhe FIFA dhe rrjedhimisht nuk mbështetet. Për të sqaruar konfuzionin e krijuar me Shoqatat e Minifutbollit gjatë zgjedhjeve të fundit në FSHF, vlen të theksohet se termi ‘Minifutboll’ është përkthyer gabim nga FSHF dhe nuk ka lidhje me sportet e mirënjohura Futsal – Futbolli i sallës dhe ‘Beach Soccer’ – Futbolli i Plazhit.

Në kalendarin e aktiviteteve zyrtare të FSHF-së nuk rezulton dhe as ka pasur ndonjëherë një Kampionat Minifutbolli, ka qenë dhe vazhdon të jetë Kampionati Futsal. Në dhjetor 2016 u informuam që në rang europian dhe botëror ekzistonte një Federatë, e cila trajtonte Minifutbollin Amator: ‘European Minifootball Federation’, EMF. ‘World Minifootball Federation’, WMF.

Për habinë tonë, anëtarë të saj ishin pothuajse të gjitha vendet europiane dhe të rajonit, përveç Shqipërisë. I kontaktuam dhe na informuan që duhet të ketë një organizatë që kujdeset për Minifutbollin, e cila duhej të aplikonte për anëtarësimin e Shqipërisë.

Pikërisht për këtë arsye e themeluam shoqatën tonë dhe në muajin shtator 2017 prezantuam para Asamblesë së Përgjithshme të EMF-së aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim me anë të Shoqatës Shqiptare të Minifutbollit Amator. Asambleja e Përgjithshme e EMFsë në unanimitet vendosi që Shqipëria të pranohej si vend partner dhe të marrë pjesë zyrtarisht në të gjithë aktivitet e organizuara nga EMF deri në Asamblenë e radhës ku do të votohet për pranimin e Shqipërisë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"