Shqipëria në izolim, tjetër lojtar emigron në Kosovë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 21, 2020 | 22:27

Shqipëria në izolim, tjetër lojtar emigron në Kosovë

Siç dihet, në tri dekadat e fundit problematikat dhe vështirësitë e lojërave me dorë në vendin tonë kanë qenë të mëdha e kjo gjë sigurisht është pasqyruar edhe në rezultate, të cilat kanë pasur një rënie të madhe në krahasim me vitet paraardhëse. Por, si të mos mjaftonin problemet e zakonshme, sporti në vendin tonë po kalon një situatë të paprecedentë, teksa që prej muajit mars aktivitetet në salla të mbyllura vijojnë të jenë të ndaluara nga qeveria, pasi Ministria e Shëndetësisë i konsideron si të rrezikshme për përhapjen e virusit COVID-19.

32842162_1591207640996505_2965587665627381760_n

Të gjitha sportet janë grupuar në një “thes” dhe u është bërë bllokadë, duke e bërë Shqipërinë vendin e vetëm në Europë pa sport. Një situatë vërtet e turpshme, teksa shikon vendet që na rrethojnë që ecin përpara, ndërsa te ne, Ministria e Shëndetësisë nuk ka asnjë plan dhe asnjë projekt për rikthimin në normalitet të sportit. Nga ana tjetër, Ministria e Sportive i shkarkon përgjegjësitë, duke u shprehur se i ka bërë të gjithë hapat dhe se topi ka ngecur tek institucioni i shëndetësisë. Ndërkohë, klubet sportive për muaj me radhë vijojnë të jenë në ajër, me sportistë e trajnerë që kanë mbetur mes katër rrugëve dhe nuk dinë se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e tyre.

Krejt e kundërta ndodh me shtetet që na rrethojnë, të cilat prej kohësh kanë hapur dyert për sportin, madje qeveritë kanë dalë me projekte konkrete financiare për përballimin e kësaj situate. Mjafton të shikojmë Kosovën, një vend që po na jep leksione të vazhdueshme, ku përveçse prej kohësh ka rinisur kampionatet, ka akorduar buxhet shtesë për t’i ardhur në ndihmë sportit në këtë kohë të vështirë. Duke parë gjendjen kaotike që ekziston në Shqipëri, shumë basketbollistë/e dhe volejbollistë/ e tashmë janë transferuar në Kosovë për ta vijuar atje karrierën. Më i fundit është Klein Strazimiri, i cili është larguar nga Goga Basket, për të kaluar te Trepça. Lajmin e ka njoftuar vetë skuadra durrsake, që bën të ditur se Strazimiri do të luajë në huazim me ekipin kosovar deri në hapjen e eventeve në vendin tonë.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"