Shqipëria më e dobët që kam parë, ishin 9 figurantë…!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 28, 2018 | 19:21

Shqipëria më e dobët që kam parë, ishin 9 figurantë…!

ADRIATIK DOSTI

Adriatik-Dosti-dhe-Astrit-Nallbani

Një Shqipëri për t’u harruar një orë e më parë, madje në një nga paraqitjet e saj më të dobëta të dy viteve të fundit. Një ekip i paqartë, konfuz dhe pa asnjë lloj ideje, pa mesfushë, pa një lojtar organizator. Pra, pa një “playmaker”, pa një mesfushë tërësisht anonime dhe një sulm komplet inekzistent. Pa folur për mbrojtjen, të cilën norvegjezet e çanë si në qendër, po ashtu edhe nga krahët, sa herë që deshën dhe si deshën vetë..

Dhe falë Strakoshës, Shqipëria del e mundur nga “Elbasan Arena” vetëm 1-0 sepse, në fakt, tre pritjet e tij shpëtimtare duhet t’u kishin dhënë norvegjezëve minimumi një fitore të thelle 3-0, ashtu siç u zhvillua loja, e ashtu siç u paraqitën situatat në portën tonë. Në të gjitha drejtimet, fizikisht, teknikisht, atletikisht, faktikisht, në luftën për topin e parë, në dyluftimet e fituara, në mbulimin një për një, në mënyrën perfekte e të shpejtë të daljes në sulm, në qarkullimin e topit, në pasimet e në volumin e lojës në tërësi, kundërshtari ishte shumë më lart se Shqipëria e Panuçit. Ekipi ynë nuk u ngjit dot për asnjë çast, as edhe në nivelin e lojës së një ekipi të Superligës shqiptare…, e jo më të një Kombëtareje…

Çaloi e dështoi gjithçka, ndaj ose Panuçi ka shumë ide në kokë që mbetën vetëm fjalë dhe ai nuk di sesi t’i transmetojë dot ato tek ekipi dhe lojtarë të veçante, ose duhet të pranojmë që skuadra dhe individë të saj nuk dinë sesi t’i interpretojnë ato në fushën e lojës…. Një Strakoshë dhe një Grezdë janë fare-fare pak, për të mos thënë asgjë përballë një kundërshtari që luajti në fushë me 11 veta ndaj një Shqipërie me 2 lojtarë dhe 9 figurantë!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"