Shqipëria kampione e Europës, Dilaveri: Arritje madhështore…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 15, 2020 | 10:58

Shqipëria kampione e Europës, Dilaveri: Arritje madhështore…

Presidenti i Federatës së Gjimnastikës, Flobens Dilaveri, e ka konsideruar një sukses të madh shpalljen kampion Europe të sportistit Matvei Petrov me flamurin e Shqipërisë.

Dilaveri

“Së pari duhet të saktësojmë se ai është një rus me pasaportë shqiptare që i shërbeu me dinjitet flamurit tonë. Kam marrë mesazhe nga presidenti i federatës ruse pas këtij suksesi. Është një arritje shumë e madhe sepse nuk ka shqiptar që nuk ndihet krenar kur në krye të podiumit europian valvitet flamuri kuqezi. Petrov nderoi veten e vet, por edhe Shqipërinë që i dha mundësinë që të garonte dhe të kishte këtë arritje spektakolare”, tha Dilaveri në emisionin “Sport Time” të Lei Krajës. Më tej ai rrëfeu emocionet e triumfit.

“Të them të drejtën pata emocione. Kisha bindjen që në fillim se do të hynim në fazën finale, por kur Matvei Petrov ia doli të shpallej kampion, ishte një emocion i papërshkrueshëm. Natyrisht, përgatitja u bë me zgjuarsi gjatë gjithë fazës stërvitore, sepse u fokusuam te kaluçi me doreza. Ai ishte shumë i zoti aty dhe trajnimi u fokusua aty”, deklaroi Dilaveri. Më tej ai ka bërë apel për të hedhur sytë nga sportet individuale sepse prej vitesh sipas tij gjërat nuk po shkojnë në drejtim të zhvillimit, por në pakësimin e investimeve.

“Shikoni, Petrov është stërvitur gjatë gjithë kohës në Pragë. Aty ka kushtet. Në Shqipëri është e vështirë të përgatitësh kampionë në kushtet që kemi. Jo vetëm ne të gjimnastikës, por shikoni edhe Luiza Gegën…

Sa herë garon për objektiva të mëdha përpiqet me shumë sakrifica që të stërvitet jashtë dhe të arrijë objektivat. Pse? Sepse vëmendja e qeverisë ndaj sportit është gjithnjë e më vogël. Ka më pak terrene sportive, më pak palestra dhe më pak financim për sportet individuale. Por për fat të keq kështu as nuk i nxit të rinjtë të merren me sport dhe as të ndihmosh sportistët e rinj që të dalin kampionë”, u shpreh Dilaveri.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"