“Shqipëria ka pritur 110 vite për një kampion si ai”, trajneri me elozhe për Briken Caljan: Ndalesa radhës? Kampionati Europian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 12, 2022 | 9:10

“Shqipëria ka pritur 110 vite për një kampion si ai”, trajneri me elozhe për Briken Caljan: Ndalesa radhës? Kampionati Europian

Peshëngritja shqiptare zhvilloi të dielën aktivitetin më të rëndësishëm kombëtar, kampionatin. Një event që kishte vlerë të dyfishtë, pasi vjen para garave madhore që e presin shtangën në muajt në vijim.

toka calja

Ashtu sikurse mendohej, kampionati i justifikoi të gjitha pritshmëritë, teksa qershia mbi tortë ishte ai duel i mrekullueshëm ndërmjet Briken Caljes dhe Erkand Qerimajt, me shtërmenasin që triumfoi pas një gare vërtetë spektakolare.

Një ditë pas këtij aktiviteti, gazeta “Panorama Sport” ka intervistuar trajnerin e Caljes, Gerald Toskën. Ky i fundit ka analizuar paraqitjen në kampionat, konkurrencën me Qerimajn, ndërsa gjithashtu ka folur edhe për objektivat në Europian.

Toska zbulon edhe sekretin e Shtërmenit në shtangë, ndërsa thekson se Shqipëria ka pritur 110 vite për të nxjerrë një kampion si Calja, ndërkohë që i duhen po kaq vite për të dalë një tjetër sportist i këtyre përmasave.

KAMPIONATI – Fillimisht Toska ka folur për kampionatin kombëtar, event që pa të triumfonte sportistin e tij, pas një gare shumë të bukur: “Ishte një garë shumë emocionuese, duke pasur rival një sportist kampion si Erkand Qerimaj, i cili regjistron gjithashtu rezultate të mëdha në Europë. Ishte një duel kokë më kokë, pasi bëhej fjalë për një vend se cili do të shkonte në Lojërat Mesdhetare. Një përballje shumë e fortë, të cilën arriti që ta fitonte Brikeni, edhe pse nuk ishte në maksimumin e tij. Siç dihet, jemi akoma herët për t’u përgatitur për Europianin dhe po ruajmë një stërvitje mesatare, pasi ky aktivitet do edhe 50 ditë që të nisë. Jemi në një periudhë ku po e rrisim gradualisht fazën stërvitore”, thotë Toska.

KONKURRENCA ME QERIMAJN – Më tej trajneri Toska komenton rivalitetin me peshëngritësin shkodran, një konkurrencë që sigurisht i ndihmon të dy kampionët: “Normalisht që konkurrenca të ndihmon, pasi pa rivalitet nuk ka rritje në rezultate dhe ambicie. Nëse Brikeni në garën e së dielës do të kishte qenë i vetëm, pra pa Erkandin në duel, gara nuk do të kishte emocione. Por ajo përballje rezultoi një nga më të bukurat. Brikeni, duke mos qenë mirë nga ana stërvitore, u detyrua që ta përmbysë rezultatin me provën e dytë në shtytje, pasi ishte Erkandi në avantazh deri në atë moment, duke qenë se na kishte mundur në shkëputje me 4 kg. Kështu që na duhej ta përmbysnin në shtytje me 6 kg dhe pikërisht kjo konkurrencë solli edhe atë provë të shkëlqyer me 190 kg në shtytje”.

EUROPIANI – Ndalesa e radhës për Briken Caljen është Kampionati Europian, një kompeticion ku prej shumë vitesh peshëngritësi shqiptar shkruan në mënyrë sistematike historinë me medalje.

Tashmë ky event vjen në vendin tonë dhe do të nisë më datë 28 maj. Trajneri Toska tregon objektivat për këtë aktivitet madhor: “Europiani këtë vit do të jetë shumë i fortë, pasi janë ndryshuar edhe peshat olimpike duke bërë që pesha 73 kg të jetë më e forta. Unë si trajner nuk dëshiroj që të premtoj shumë, por mendojmë dhe shpresojmë që të jemi në treshen më të mirë”.

SEKRETI I SHTËRMENIT – Në fund Gerald Toska rikthehet të flasë për sekretin e Shtërmenit në shtangë, një vend i vogël që ka nxjerrë kampionë të mëdhenj.

“Shtërmenasit janë të fortë, në radhë të parë sepse janë njerëz me norma, dinë ta vlerësojnë situatën sportive dhe dinë të ruajnë regjimin sportiv. Gjithashtu jemi një periferi ku nuk kemi shumë zhurmë apo siç i thonë në gjuhën popullore ‘hallakatje’ dhe sportistët shtrohen në stërvitje. Ndërsa për ta mbyllur dua të them se Shqipëria për 110 vjet shtet prodhoi një Briken Calje, tani i duhen edhe 110 vite të tjera për të nxjerrë një tjetër kampion të këtyre përmasave”, përfundoi trajneri Toska.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"