Shqipëria e viteve ’50, kur trofetë vendoseshin nga… kornet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 22, 2014 | 8:48

Shqipëria e viteve ’50, kur trofetë vendoseshin nga… kornet

Rada, Frashëri, Xhaçka dhe O. Mema

Rada, Frashëri, Xhaçka dhe O. Mema

NGA UVIL ZAJMI
Jemi në vitet ’50-’60, kur bashkë me futbollin e luajtur, na ofrohen disa rregulla dhe nene të veçanta mbi bazën e të cilave zhvilloheshin aktivitetet kombëtare: mund të shpallesh kampion me pjesëtim të golave, apo me një gol si ai i Panos në finalen e dyfishtë me Dinamon, por mund të luhej edhe një shtesë e tretë prej 15 minutash, madje gjejmë skuadra fituese edhe nga numri i korneve. Nisur nga një ndeshje çerekfinale për Kupën e Republikës, 17 Nëndori-Dinamo, në tetorin e vitit 1958, kur kualifikimi është vendosur nga numri i goditjeve nga këndi, gjejmë edhe një personazh të rëndësishëm: Enver Radën, “Çoçi” siç e njohin të gjithë. Ka qenë futbollisti më i mirë i atij takimi, por edhe i njohur e protagonist për shumë vite me 17 Nëndorin, i shquar për realizimin e golave vendimtarë nga korneri. Ish-atlet në 800- 1500 m, zbulohet si talent nga trajnerët Demneri e Karapici te skuadra e futbollit të ndërmarrjes “Mihal Duri” dhe në vitin 1953 është sulmues i djathtë me Punën e Tiranës që drejtohet nga Myslym Alla. Aty gjen Telitin, Bonatin, E. Shehun, Mirashin, Caushin, Laçjen, Pelingun, O. Recin, B. Stërmasin, Rukjen, V. Biçakun, H. Petrelën, S. Strugën, R. Bulkun, S. Halilin etj. Dy vite shërbimi ushtarak me Dinamon e Durrësit, rikthimi te Puna e Tiranës, pastaj 17 Nëndori (në vitin 1958 mori përfundimisht këtë emër), pa lëvizur deri në qershorin e vitit 1962. Mik i afërt me Enver Shehun, miqësia me Panon, goli i anuluar në Moskë, por edhe dëshpërimet për asnjë titull kampion të fituar dhe kombëtarja e munguar. Si i gjykon Rada ato ndryshime, cili ishte ideatori dhe çfarë bën sot, si e kujton atë takim dhe ngjarjet sportive që kanë shoqëruar futbollin e atyre viteve?
135 minuta lojë, 17 Nëndori- Dinamo e vendosin kornet
Shkak për të sjellë në faqet e shtypit aktual një fakt të tillë u bë një shkrim i gazetës “Sporti Popullor” i 22 tetorit 1958, kur në kreun e faqes thuhet: “NGA NDESHJET ÇEREKFINALE TË KUPËS SË SHQIPËRISË” dhe pak më poshtë: “Mbas 135 minuta lojë, “17 Nëndori” e fitoi ndeshjen me korne”. Pastaj shkrimi nga i mirënjohuri Thanas Jance. “Të dielën që kaloi u zhvillua në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” ndeshja për Kupën e Republikës (çerekfinale) midis dy skuadrave të kryeqytetit: “17 Nëndori” dhe “Dinamo”. Skuadrat e udhëhequra nga gjyqtari i kategorisë ndërkombëtare Sh. Gruda dolën në fushë me këto formacione: “17 Nëndori”: Metani, Frashëri, Stërmasi, Merja, Baçi I, Baçi II, Rada, Çaushi, Shehu, Verria, Pano. Tr. M.Alla. “Dinamo”: Beliu, Dashi, Rreli, Plaku, Vila, Verria, Tallushi, Duma, Jareci, Begeja (Gjyli), Duro. Tr. Z. Gjinali. Pastaj kronika dhe komenti: “…organizuar mirë nga vija e parë e “17 Nëndorit”, Rada, në një aksion personal i ndodhur 8-10 m larg portës kundërshtare, gjuan bukur, por topi kalon mbi shtyllën e portës së Beliut. … Në minutën e 8-të gjuhet korneri i parë i ndeshjes. Gjuan Rada bukur, por topi largohet nga mbrojtësit e “Dinamos”, të cilët në këto momente kanë mjaft punë. … Edhe këto 45 minuta pra përfunduan me rrjeta të paprekura. Në bazë të rregullores, loja shtyhet edhe dy herë nga 15 minuta që nuk japin rezultat, me gjithë përpjekjet e shumta të vijave sulmonjëse. Është për t’u theksuar në këtë pjesë një gjuajtje mjaft e bukur e Radës ku topi goditi shtyllën e Beliut si dhe dy pritje të Metanit. Për arsye se nuk u shënua ndonjë gol, loja u shty edhe 15 minuta të tjera. Në këtë kohë topi nuk duket mirë e lojtarët janë të lodhur. Edhe gjatë kësaj shtese rezultati nuk ndryshoi. Pas një loje të gjatë prej 135 minutash, asnjëra nga të dyja skuadrat nuk mundi të shënonte dhe kjo më tepër për dobësi të vijave sulmonjëse, të cilat nuk gjuajtën në mënyrë të përpiktë e të matur, të mungesës së rezistencës të lojtarëve e mbrojtjeve të forta. “17 Nëndori” i Tiranës duke pasur më shumë korne në fitim (8-4), fitoi të drejtën për të vazhduar ndeshjet për Kupën e Republikës. Gjatë gjithë lojës u dalluan për Tiranën: Rada, Baçi dhe Metani, kurse për Dinamon Vila e Tallushi. Gjykimi i ndeshjes nga Sh. Gruda, i ndihmuar nga dy anësorët, ka qenë shumë i mirë. Ai pati meritë sidomos në frenimin e lojës së rëndë, shenjat e së cilës u dukën”. Këtu mbyllet edhe komenti.
Pak histori, kampion me pjesëtim golash
Ky rast mbetet nga më të veçantët e kohës. Pra, mund të shënoje më shumë gola, por nuk merrje trofe, pasi të ndëshkonte pjesëtimi aritmetik. Por, cilat ishin nenet, apo ndryshimet më të spikatura të atyre viteve? Viti 1950: Kampionati me 12 skuadra luhet në harkun e një viti kalendarik. Partizani- Dinamo barazojnë në ndeshjen e fundit 2-2, dhe kanë 29 pikë. Dinamo 60-6 golaverazhin, ndërsa Partizani 77-7. Nuk ka ndeshje të tretë, por kampion shpallet Dinamo nga formula që përcaktonte fituese me pjesëtim të golave të shënuara me ato të pësuar. Viti 1955, 16 skuadra. Fundkampionati dhe renditja: Dinamo e Partizani 55 pikë. Nuk ka golavarazh apo diferencë golash, por titulli jepet nga koeficienti që del nga pjesëtimi i atyre të shënuar me ato të pësuar: 74-9 Dinamo kundrejt 96-15 të Partizanit. Kampion shpallet Dinamo me koeficient 8.2 ndaj 6.4 të Partizanit. 1957, 8 skuadra finale për titull kampion: Partizani-Dinamo me pikë të barabarta 23, nuk merret parasysh golavarazhi (30-8 Dinamo dhe 37-10 Partizani), as koeficienti me pjesëtim të golave, por luhet ndeshje finale. Fiton Partizani 3-1 (Jareci, Merja, Kraja/ R. Haxhiu). 1958, çerekfinale Kupa e Republikës: 17 Nëndori-Dinamo 0-0, një ndeshje e vetme 90 të minuta, e shoqëruar me tri shtesa nga 15 minuta. Nëse rezultati nuk ndryshon, kualifikimi përcaktohej me numrin e goditjeve të këndit. Pas 135′ kualifikohet 17 Nëndori 8-4 me korne. Viti 1959, në shtator, në Tiranë, bashkë me Spartakiadën Kombëtare fillon edhe turneu i futbollit. Janë pak skuadra dhe shorti përplas në ndeshjen e parë 17 Nëndorin me Dinamon. Barazim 1-1. Janë kornet që vendosin dhe 5-4 këtë herë kalon Dinamo. 1961, 10 skuadra finale për titullin kampion: Me 30 pikë Partizani (46-13), Dinamo (41-12). Nuk ka titull me golavarazh, por me takim final. Një ndeshje e parë 0-0, 90′ pastaj dy shtesa 2×15′ (realizojnë Resmja 117′ dhe Lubonja 118′). Në ndeshjen e dytë, nëse ka barazim pas të 90′-ve, do të luhen fillimisht dy shtesa 2×15, pastaj një e tretë dhe nëse nuk ka ndryshim, fituesi do të përcaktohet me short. Por nëse gjatë shtesës së tretë do të realizohet një gol, loja ndërpritet dhe fituese shpallet skuadra që shënoi. Dhe kështu u veprua: Pano realizon gol në minutën e 122-të, sapo kishte filluar shtesa e tretë dhe këtu arbitri H. Hysenaj mbylli takimin. 1963, finale Kupa e Republikës, 17 Nëndori- Besa. Rregullorja ka ndryshuar sërish: do luhen dy takime. Në rast barazimi pas ndeshjes së dytë, do ketë kohë shtesë 2x 15 minuta dhe pas tyre për herë të parë do të ekzekutohen pesë penalltitë përcaktuese. Pra, nuk ka short, nuk ka fitore me korne, as me kohën e tretë shtesë dhe as me golin “vrasës”. Në përballjen e dyfishtë pas fitores së Besës 2-1 në Tiranë dhe tiranasve 1-0 në Kavajë, u luajtën koha shtesë 2×15, por shifrat nuk ndryshuan. U kalua tek ekzekutimi i 11-të metrave. Është takimi kur Ali Mema në rolin e portierit priti goditjet kavajase që i dhanë trofeun nëndorasve. 1966, 12 skuadra finale për titullin kampion: Me pikë të barabarta 38, Partizani (45/12) -17 Nëndori (53/14), sipas rregullores së aktivitetit, luhet një finale e vetme. Në “Qemal Stafa”, 12 qershor fiton 17 Nëndori 2-1 (Kazanxhi, Ishka, Jashari) dhe kampion.
Golat e paharruar të Radës
Me numër 7 në fanellë, ka qenë një ndër futbollistët që edhe sot nuk gjen të tillë. Me aftësinë e rrallë të realizonte gola direkt nga një këndi. Dhe nuk kanë qenë të pakta skuadrat që ka ndëshkuar: 2 kundër Partizanit e Vllaznisë dhe nga një gol ndaj Dinamos e Besës. Por në karrierën e tij ato që kujton më shumë mbeten dy: Viti 1959, në nëntor në Tiranë luhet takimi Partizani – 17 Nëndori për Kupën “Zëri i Popullit”. Ndërsa ndeshja ishte fiksuar në shifrat 2-2, po afrohet fundi, tiranasit kujtohen pasi dikush i informon se Partizani kryeson 4-3 me korne. Ka qenë një sforcim i madh i skuadrës dhe ishte pikërisht Rada që në çastet e fundit realizoi golin e tretë, atë të fitores për 17 Nëndorin, duke evituar eliminimin me korne. Viti 1961, qershor, në “Qemal Stafa” java e fundit e kampionatit. Partizanit i duhet fitorja për t’u shpallur kampion. Dinamo, që ndodhet vetëm një pikë pas tij, mund 6-0 Labinotin dhe pret sfidën. Fillimisht realizon Jashari për Partizanin, por ka barazuar Rada. Pano ka shënuar në minutën e 43-të, por Ishka ka barazuar në 2-2. Me 30 pikë, në kuotë të barabartë, Dinamo e Partizani do u drejtoheshin finaleve të famshme, që me golin e Panos Partizani do merrte titullin.
Miqësia me Panon dhe padrejtësia në “Lenin”
Jo vetëm që kanë luajtur bashkë në një skuadër, por miqësinë e kanë ruajtur dhe vazhduar gjatë. Te Tirana e fundviteve ’50- të, trajneri Alla i kishte ndarë, Rada në të djathë, Pano majtas. Madje, me Panon ndan kujtimin më të veçantë: në vitin 1958, në një miqësore me “Lokomotivën” në Moskë, janë të dy që kanë realizuar, por me një ndryshim: ai i Panos u konsiderua i rregullt, ndërsa i Radës jo, ndonëse ishte më spektakolari i gjashtë golave të realizuar në atë takim (5-1 për rusët). Rreth minutës së 30-të të pjesës së parë, një harkim ideal i Panos, shoqërohet me një goditje të rrufeshme në lëvizje e sipër nga 22 metra e Radës, në pozicion ballor, që e gjen portierin të papërgatitur. Nga forca dhe shpejtësia topi, pasi kaloi vijën e portës në ajër, u përplas në hekurin mbajtës të rrjetës në krahun e djathtë të portierit, u kthye në fushë. I gëzuar për golin Rada e merr topin me të dyja duart duke festuar. Mirëpo, ka ndodhur çudia: arbitri vendës ka sinjalizuar për prekje të qëllimshme të topit me dorë nga Rada dhe ka akorduar goditje dënimi kundër tij. Vendimi i gabuar i tij ka shtangur të gjithë: Arbitri nuk e kishte parë që topi ishte futur dhe dalë aq shpejt nga porta, madje reagimit të futbollistëve shqiptarë i përgjigjet në rusisht: “Njet gol, njet gol”, (S’ka gol, S’ka gol). E mori topin nga duart e Radës dhe e vendosi në tokë dhe, pa pyetur as vijërojtësit, urdhëroi një lojtar rus të rifillonte menjëherë lojën. I shtangur dhe i befasuar futbollisti, që nuk po kuptonte asgjë, hezitoi për një çast dhe ashtu i hutuar e filloi lojën. Një heshtje e thellë mbuloi stadiumin “Lenin” dhe 100 mijë spektatorët që ishin të pranishëm. Për Radën, mbetet një ndër golat më të bukur dhe të rrallë shënuar në karrierë, por fatkeqësisht jo i vlerësuar i tillë, madje padrejtësisht i mohuar. Ishte koha e miqësisë së madhe me Bashkimin Sovjetik.
Kur Alla e dërgonte bluzën për “bekim”
Për Radën, Myslym Alla dhe Loro Boriçi mbeten strategë në të gjitha drejtimet. Në veçanti Alla, për të cilin ruan një vlerësim të madh: Një personalitet i papërsëritshëm, shumë human e njerëzor, trajnerprind, të gjitha bashkë. Pastaj kujton një detaj shumë domethënës: Ndërsa në ditët e sotme një skuadër para një sfide të rëndësishme bekohet nga personalitete të fesë, në ato vite Myslym Alla aplikonte një tjetër formë. Merrte bluzën e një futbollisti dhe e dërgonte të premten në darkë, për “bekim” në Teqenë e Dervish Hatixhesë, një grua bamirëse e njohur, e nderuar në Shqipëri deri në çastet kur u nda nga jeta. Teqenë e Dervish Hatixhesë, Alla e kishte pranë shtëpisë dhe, në heshtje, pa zhurmë, e dërgonte bluzën te kjo grua, duke e lënë gjithë natën sipas zakonit. Fanella nuk ishte e njëjta, pasi Alla i ndryshonte. Këtë rit e ka ndjekur deri në vitet ’70-të. Edhe pse feja u ndalua, një bluzë e futbollistëve të 17 Nëndorit të premten në darkë, fshehurazi do të dërgohej tek ajo grua. Në atë kohë kjo dihej nga futbollistët, të cilët e kanë mbajtur sekret dhe vetëm në kohët e sotme është bërë e njohur.
Mungesa në Vlorë, ndarja me 17 Nëndorin, refuzimi i Xhaçkës
Dhjetë vite karrierë, pastaj stop. Qershor i vitit 1962, pas një dëmtimi në gju, Rada ka rifilluar stërvitjen, por mungon në listën e skuadrës, që do të shkojë në Vlorë ndaj Flamurtarit. Mungon dhe në vend të tij trajneri Alla ka marrë Frashërin. Nga ajo ditë nuk u paraqit më në stërvitje, ndonëse ishte i ri, vetëm 28 vjeç, iu lutën e kërkuan të rikthehej, por Rada e kishte kuptuar se një strategji tjetër po fillonte për klubin. Strategu Alla, me idenë për të rigjeneruar skuadrën, po afronte mjaft lojtarë të rinj. Ai kishte menduar për zëvendësimin e Radës, që vuante një dëmtim të rëndë. Dhe, si sulmues i djathtë vetëm Niko Xhaçka, i sapoardhur në skuadër, por me karakteristika ideale për atë rol mund të ishte pasuesi i tij. Dhe trajneri nuk kishte gabuar. Mirëpo, edhe pse Alla ishte autoritar, jo në pak raste e kishte nuhatur se Xhaçka refuzonte ta zëvendësonte Radën, por nuk reagonte. Madje, në Korçë ndaj Skënderbeut, kur Alla e vendosi në formacion, ai qëndroi në heshtje, pa folur, duke i dhënë të kuptonte se nuk e pranonte. E kishte të vështirë ta zëvendësonte Radën, ky ishte motivi.
Për Radën, Mazreku ideatori i rregulloreve
I tillë është mendimi i Enver Radës: gjithçka është e lidhur me Anton Mazrekun. Ai është njeriu me një kontribut të madh në hartimin e rregulloreve dhe strategjisë sportive. Ishte koha kur në futbollin shqiptar çdo vit kishte ndryshime në rregulloret e aktiviteteve dhe Mazreku kishte aftësinë dhe intuitën t’i aplikonte, t’i modifikonte dhe t’i përshtaste me inteligjencë për kushtet shqiptare ato çfarë ai ideonte, por edhe merrte nga eksperienca e kampionateve të huaja. Për kohën kanë qenë shumë efikase dhe i shërbenin futbollit. Kualifikimi me korne, apo shtesa e tretë prej 15 minuta, sipas Radës, janë ide të tij, ashtu si dhe goli “vrasës”, apo penalltitë përcaktuese, të cilat u aplikuan për herë të parë në finalen e Kupës së Republikës në qershorin e vitit 1963. Madje, për Radën, penalltitë kualifikuese kanë qenë një surprizë e madhe për opinionin, pasi mungonte informacioni rreth këtij mekanizimi. Fillimisht askush nuk e kishte menduar përveç Mazrekut që e kishte parashikuar me shumë saktësi se, pas fitores surprizë të Besës 2-1 në Tiranë dhe 17 Nëndorit 1-0 në Kavajë, për herë të parë, kupa do të merrej nga pesë penalltitë. Mirëpo, ideja për fituesin me goditje këndi mbetet gjeniale, edhe për faktin se Rada ishte interpretuesi historik më i mirë i këtij krijimi. Stërvitej sistematikisht deri në 40 goditje këndi pas çdo seancë stërvitjeje.
Si veprohej në turnetë e kohës?
Ato që u aplikuan në vitet ’60-të në S h q i p ë r i , natyrisht nuk patën jetëgjatësi. I shërbyen momentit dhe duhen konsideruar autentike dhe shumë të veçanta, madje historike për futbollin shqiptar. Rada kujton se ato vite në turnetë e FIFA-s, UEFA-s, nuk gjejmë kualifikim me korne, as me kohë shtesë të tretë, as golin “vrasës” apo pesë penallti kualifikuese. Madje, lidhur me penalltitë përcaktuese, Rada jep një detaj të rëndësishëm: “Nga informacioni i kohës, në vitet ’50-të goditjet e pesë 11 penalltive aplikoheshin në Kupën e Jugosllavisë, apo në ndonjë vend tjetër, Itali, Spanjë, por në aktivitete inferiore”. Shumë vite më vonë, sipas një buletini të FIFA-s, aplikimi i pesë penalltive përcaktuese në aktivitetet e saj, i takon propozimit të ish-arbitrit gjerman të futbollit Karl Vald në vitin 1970. Por ka edhe një version tjetër ku mendohet se ideuesi i tyre ka qenë izraeliani Josef Dagan pas Olimpidës 1968. I pari turne zyrtar ndërkombëtar që trofeu u vendos me gjuajtjet e penalltive ishte “Euro 76”. Në finale, pas kohë shtesë 2×15, Çekosllovakia mundi 5- 3 RFGJ dhe ky turne kujtohet për një detaj historik: Penalltia e fundit u ekzekutua nga Panienka me një veprim të paparë që u quajt “goditje luge”, pasi më parë Uli Hënes e përplasi topin në traversë.
Nxjerrja e talenteve dhe “dështimi” me djemtë e tij
E la futbollin, por jo që të shkëputej plotësisht prej tij. Nostalgjia, detyrimi moral për klubin, miqësia me drejtues e futbollistë, si dhe eksperienca që kishte fituar, ja kërkuan t’i shfrytëzonte dhe të kontribuonte për edukimin e brezave të rinj futbollistë. Ideja i pëlqeu dhe për shumë vite ka qenë një ndër drejtuesit kryesorë të skuadrave të grupmoshave te Pallati i Pionerëve, duke i dhënë futbollit tiranas dhe atij kombëtar talente në pafundësi. Prej tij kanë dalë A.Kola, Hodja, Muça, Hyseni, dy Sulejmanët Mema dhe Starova etj. Përgatiti shumë sportistë, punoi dhe nxori futbollistë cilësorë, por “dështoi” në të tijtë: nuk pati fatin që të tre djemtë të vazhdonin rrugën e tij. Madje, asnjëri prej tyre nuk e pasoi, pasi preferuan dhe u angazhuan me profesione të tjera.
Çfarë bën sot Enver Rada?
Ka një jetë aktive, të pandalur. Në rrugën “Kavaja”, atje në një lokal karakteristik, e gjen çdo paradite. Asnjëherë vetëm, por i rrethuar me miq e shokë, në veçanti Frashërin, Bytycin, Xhackën, Osman Memën, Bulkun, apo Bukovikun dhe mjaft të tjerë ish-sportistë dhe jo. Ka qenë një ndër talentet e kohës, elegant, simpatik, modern për futbollin që luajti. Protagonist absolut i golave, në veçanti ato të realizuar nga këndi. Ruan një fizik të këndshëm dhe nuk e gjen asnjëherë pa kollare e xhaketë, madje në atë kohë e kanë kritikuar edhe si ndjekës i modës. Kujton me nostalgji gjithçka të asaj periudhe, futbollin, protagonistët me të cilët luajti, por edhe fushën e Pallatit të Pionerëve, aty ku përgatiste talente. E, në mbyllje, ngjarjet sportive të atyre viteve, por në veçanti historia e kualifikimit nga numri i goditjeve të këndit, shpeshherë na kujton titullin e një filmi të famshëm “Western” me Clint Eastwood: Shqipëria e futbollit kur luhej “për një korne më shumë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"