Shqipëria e sëmundjes së “play off” e “play out”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2021 | 1:10

Shqipëria e sëmundjes së “play off” e “play out”

 * Për përmbysjen e një organizimi që veç prish punë

Nga BESNIK DIZDARI

Dizdari2

Kështu pra, edhe këto radhë janë për përmbysjen e një organizimi që veç prish punë. Në të vërtetë, kemi të bëjmë me një sëmundje që mund të shërohet lehtë, por që nuk duan ta shërojnë. Shikoni se çka ka bërë FSHF në fund të stinës së futbollit që sapo përfundoi: Ka organizuar plot 12 “play off” e “play out”, deri dhe me dëshirën më amatoreske në botë për të flakur tej, madje edhe skuadrën (Kastrioti) që zuri vendin e 8-të në një kampionat të rangut të parë kombëtar që ka vetëm 10 skuadra ose për të sjellë në të skuadrën e dytë (Tomori) të Grupit B të Kategorisë së Dytë dhe plot të tjera. Tek janë:

Kastrioti – Tomori 2-1

Flamurtari – Tërbuni 0-0

Tërbuni – Luzi 2008 0-0

Sopoti – Tërbuni 1-2

KF Burreli – Tomori 1-2

Egnatia – Dinamo 1-0

Shkumbini – KF Maliqi 1-0

KF Memaliaj – KF Shënkolli 2-5

Sopoti – KF Bulqiza 5-1

Butrinti – Naftëtari 1-0

Butrinti – Labëria 1-0

Labëria – Devolli 1-0

Dhe çka kam hequr për t’i përmbledhur kësisoj! Në mos paça harruar ndonjë, janë plot 12 ndeshje “play off” e “play out” për të përzënë “pa mëshirë” e për të afruar “me mëshirë” skuadra të ndryshme të tri kampionateve të tri kategorive. Është një rebus pakulturë e dije organizimesh. Mbi të gjitha krejt “origjinal”, me sa duket i shpikur veç në Shqipëri. Një mënyrë krejt e panevojshme në një kohë që kampionatet mund të organizoheshin në tri kategori me nga 16 e para, 16 e dyta e nja 20 e treta – të gjitha në një grup për secilën kategori, çka e kemi treguar e propozuar kushedi sa herë. Nuk dëgjojnë, sepse nuk kanë nevojë të dëgjojnë askënd përveç vetes së tyre.

E kam shumë të vështirë t’i veçoj secilën prej këtyre 12 “play off” e “play out”. Kjo, ngaqë nuk ka burrë nëne t’i cilësojë për së mbari në emërtimet e tyre, shumica “fantazmagorike” e pa asnjë vlerë të përfitimeve të futbollit qytetar apo të qendrave të banimit në Shqipëri. Dhe e shihni se çka hequr sidomos “fitimtari më i shquar” në këtë 12-she të habitshme, që na del se është Tërbuni i Pukës! Me ndonjë përjashtim të rrallë, e kuptoni se këto ndeshje, që dikush na i quan “sfida”, janë të lodhshme, pa sens, pa kuptim pra, pa asnjë nevojë, me jo pak telashe dhe ecejake thuajse në një pyll plot labirinte të padritë, pa përmbajtje, artificiale, të pakulturë, të çuditshme, “të rrejshme”, zhgënjyese.

Terbuni Flamurtari

Këto ndeshje pjesa dërmuese e shtypit dhe e televizioneve as nuk denjuan t’i njoftojnë. Pa e zgjatur, them se kulmi i këtyre “spektakleve” pa asnjë shenjë spektakolariteti futbollistik në historinë e tyre që nuk është histori, deshën për të përjashtuar prej kampionatit të parë kombëtar, përveç Bylisit e Apolonisë, edhe Kastriotin, çka do të thoshte pra, 30 për qind të skuadrave! Do të ishte një rekord botëror i llojit i realizuar prej një Shqipërie të marrë mendsh prej çorganizimeve të futbollit që një shtet mund t’i sendërtojë. Po ashtu, ndeshja tjetër, ajo Flamurtari-Tërbuni i Pukës, me “dëshirën” për të shkatërruar përfundimisht skuadrën e Vlorës, çka dhe u realizua. Komentet janë të tepërta.

Do të synoj të kem edhe një shkrim tjetër të gjatë ku me modesti do të përpiqem të jap një variant përfundimtar se si mund të organizohen tri kampionatet, madje qysh tash, pra qysh në sezonin 2021- 2022. Natyrisht sipas shembullit të nja 95 për qind të shteteve të Europës. Kaq. Mandej nuk do të shkruaj më për këtë çështje që ka denatyruar kampionatet e Shqipërisë. Nuk ia vlen. Me sa duket, duhen lënë në mjerimin e çorganizimeve të tyre. Kështu, përderisa ministria e qeveria bashkohen me ta në këtë denatyrizim, më saktë, në këtë dekombëtarizim apo shpërbërje të kampionateve të futbollit në Shqipëri.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"