Shqipëria e Rejës, për te rekordi i saj në Kupën e Botës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 5, 2021 | 19:40

Shqipëria e Rejës, për te rekordi i saj në Kupën e Botës

Nga BESNIK DIZDARI

Dizdari2

Me sa duket, Shqipëria po shkon drejt një rekordi të saj në rezultatet kualifikuese për Kupën e Botës, ndryshe Kampionati Botëror i Futbollit. Duke fituar 2 nga 3 ndeshjet e saj të para të edicionit të ri, këtij “Qatar 2022” – kjo ngjet për herë të parë – janë të gjitha mundësitë që Shqipëria të shkojë drejt një rekordi të saj rezultativ në kualifikimet e Kupës së Botës. Kësisoj, duke u përshkuar në historinë e 13 pjesëmarrjeve të saj, na del një pamje interesante krahasuese.

Edi-Reja1-761x450

Në të 12 pjesëmarrjet përfunduese, Shqipëria ka vetëm dy paraqitje vërtet më se dinjitoze: ajo e edicionit 1986 me trajner Shyqyri Rrelin dhe ajo e edicionit 2018 me trajner Gianni De Biasi-n. Në të dyja rastet Shqipëria është renditur e 3-ta në grupin e saj, por me një ndryshim thelbësor midis këtyre. Në 1986 Shqipëria u rendit e 3-ta në një grup me vetëm 4 skuadra, ndërsa në edicionin 2018, u rendit e 3- ta në një grup me 6 skuadra. Në njëfarë mënyre, ky i 2018-ës duhet quajtur rekordi i deritanishëm. Bilanci është 9 pikë, 4 fitore, 1 barazim, 5 humbje, me golat 10-13. Për barazi kohësh nuk po përdor sistemin e 3 pikëve për fitoren, por atë të 2 pikëve.

Tash, them se me kualifikimet “Qatar 2022” sapo ka filluar sulmi kundër këtij rekordi.

Këtu për herë të parë po bëj një renditje disi të rrallë të të gjitha edicioneve.

Edicioni R/Sk. P. F. B. H. G. Tr.

KB 1966: 4/4 1 0 1 5 2-12 Tr. Z.Konçi & L.Boriçi

KB 1974: 4/4 2 1 0 5 3-13 Tr. M.Alla & I.Shuke & L.Boriçi

KB 1982: 4/5 2 1 0 7 4-22 Tr. L.Boriçi & Z.Konçi

KB 1986: 3/4 4 1 2 3 6-9 Tr. Sh.Rreli & A. Sulaj

KB 1990: 4/4 0 0 0 6 3-15 Tr. Sh.Rreli

KB 1994: 7/7 4 1 2 9 6-26 Tr. B.Birçe

KB 1998: 6/6 3 1 1 8 7-20 Tr. A .Hafizi & N.Bajko

KB 2002: 5/5: 2 1 0 7 5-14 Tr. M.Zhega & S.Demollari

KB 2006: 5/7 9 4 1 7 11-20 Tr. H.P.Briegel

KB 2010: 5/6 6 1 4 5 6-13 Tr. A.Haan & K.Kuze

KB 2014: 5/6 8 3 2 5 9-11 Tr. G.De Biasi

KB 2018: 3/6 9 4 1 5 10-13 Tr. G.De Biasi & C.Pannucci

(*Nistoret nënkuptojnë: R/Sk – Renditja në grup (shifra e parë) dhe numri i skuadrave pjesëmarrëse në grup (shifra në fraksion);

P. – Pikë; F. – Fitore; B. – Barazime; H. – Humbje, G. – Golat; Tr. – Trajnerët). Tek është edhe renditja e mesatares së pikëve për ndeshje e personifikuar me trajnerin drejtues, çka nënkupton saktësinë e arritjes rezultative:

1.KB 2022: E.Reja 1.33

2.KB 2018: G.De Biasi & C.Panucci 0.90

3.KB 2014: G.De Biasi 0.80

4.KB 2006: H.P.Briegel 0.75

5.KB 1986: Sh.Rreli & A.Sulaj 0.66

6.KB 2010: A.Haan & J.Kuze 0.60

7.KB 1974: M.Alla & I.Shuke & L.Boriçi 0.33

8.KB 1994: B.Birçe 0.33

9.KB 1998: A.Hafizi & N.Bajko 0.30

10.KB 1982: L.Boriçi & Z.Konçi 0.25

11.KB 2002; M.Zhega & S.Demollari 0.25

12.KB 1966: Z.Konçi & L.Boriçi 0.16

13.KB 1990: Sh.Rreli 0.00

Siç shihet në këtë renditje, ka raste që në disa edicione ka më shumë se një trajner. Kjo do të thotë se i pari është zëvendësuar nga tjetri.

Në ketë renditje, duke bërë, si të thuash, “përgjegjës” trajnerët, tash për tash kryeson skuadra e “Qatar 2022” e cila ka fituar mesatarisht 1.33 pikë për ndeshje dhe e cila ka fillimin disi të bujshëm në gjithë këtë histori modeste shqiptare në Kupën e Botës, me 2 fitore në 3 ndeshjet e para! Sigurisht kryesimi i Shqipërisë së Rejës është i përkohshëm ngaqë ende nuk kanë përfunduar ndeshjet e grupit. Por me gjasë, skuadra e trajnerit Reja mbetet ndoshta mëtuesi kryesor për “të fituar” këtë renditje analitike tonën, pra për të vendosur kështu, “rekordin’ në fjalë.

edi-reja

Ndërkaq, nuk duhet harruar se Shqipëria e Briegel-it e edicionit 2006 dhe Shqipëria 2018 e De Biasi-t janë të vetmet që kanë arritur të marrin 4 fitore në grup, çka përbën rekordin përkatës. Të gjitha “Shqipëritë” e tjera – përjashto edhe një tjetër “Shqipëri” të De Biasi-t, atë të edicionit 2014 (3 fitore) – askush nuk ka arritur më shumë se 1 ose 0 fitore, siç duket qartë në tabelën e parë. Kjo nënkupton se sa modeste kanë qenë paraqitjet e Shqipërisë në Kupën e Botës. Një gjë është e qartë: me ardhjen e trajnerëve të huaj situata ka ndryshuar së tepërmi. Dhe doemos nuk harrojmë se edhe vetë koha është krejt tjetër. Është koha e futbollit shqiptar të çizoluar, ajo e demokracisë.

Atëherë? Them se Shqipëria, e drejtuar nga Edy Reja, ka hyrë në rrugën e thyerjes së një rekordi. Mos harroni: 2 fitore në 3 ndeshje. E, me skuadra të dobëta apo me të forta, kjo nuk ka aspak rëndësi, sepse edhe në shumë renditje të edicioneve të tjera ka pasur natyrisht skuadra të forta dhe të dobëta. E kam fjalën për fitoret që arrin, të cilat të gjitha kanë të njëjtën vlerë: 2 pikë (sot 3) për fitoren, 1 pikë për barazimin. Ngjitet më lart ai që fiton më shumë pikë.

U kthehemi tash paksa tri ndeshjeve të fundit.

Dhe prapë nuk harroj: 2 fitore janë arritur jashtë fushës. Kjo ka rëndësinë e vet ngaqë historia jonë këtu është tejet e varfër. Kemi vetëm 23 fitore jashtë fushës në krejt historinë dhe kemi vetëm 6 fitore jashtë fushës për Kupën e Botës:

Kazakistani – Shqipëria 0-1, Norvegjia – Shqipëria 0-1, Lietenstein – Shqipëria 0-2, Izraeli – Shqipëria 0-3, Andorrë – Shqipëria 0-1, San Marino – Shqipëria 0-2. Fitore vetëm me trajnerë të huaj! Asnjë trajner shqiptar nuk arriti të merrte qoftë dhe 1 fitore të vetme jashtë fushës!

Nga 6 fitore të kualifikimeve të Kupës së Botës, 2 prej tyre u arritën në këto 9 ditët e fundit! Edhe kjo çudi e madhe! Ndryshe, kjo do të thotë që mbi 30 për qind të këtyre vetëm 6 fitoreve të jashtë fushës në 58 vjet pjesëmarrje, u arritën brenda 9 ditëve të fundit!…

shqiperiii

Dhe gara që vazhdon me Shqipërinë e trajnerit Edy Reja. U aktivizuan 21 futbollistë për tri ndeshje të 9 ditëve. Qëndrueshmëri e plotë, kur ke parasysh se kemi të bëjmë me 1 ndeshje në çdo tri ditë. Por, me vetëm 3 djem të dalë prej futbollit të Republikës së Shqipërisë: Çikalleshi, Roshi, Uzuni! S’ka ku shkon më pak. Madje, ky është një “rekord” i rangut europian në denatyrimin e autoktonisë së futbollit të një shteti apo kombi, merre si të duash.

E pra, çfarë ishin këto tri ndeshje?

E kritikueshme ajo me Anglinë, për mendimin tim e luajtur disi me ndjenjën e inferioritetit. Kryesisht futboll mbrojtës me shpresën e një kundërsulmi krejt të zbehtë, edhe pse krijoi një rast të pastër për gol (Uzuni). Ndërsa dy ndeshjet e tjera përballë dy kombëtareve modeste, si Andorra e San Marino, patën gjënë më pozitive dëshirën e pandalshme për fitore, çka dhe u arrit. Kisha me thënë se të dyja këto ndeshje ishin kopja e kundërt e ndeshjes me Anglinë, ku Anglia tash ishte Shqipëria.

Ajo që më ka lënë mbresën më të fortë, ishte pra, rritja e këmbënguljes për t’i fituar patjetër këto dy ndeshje, në një kohë që këta dy kundërshtarë modestë nuk donin të dorëzoheshin assesi, duke u mbrojtur pa ia nda. E kjo dihet, e vështirëson fort shënimin e golit edhe për ekipet më me përvojë e emër. Kanë kaluar 4 vjet e mâ nga finalet e paharrueshme të Shqipërisë së “Francë 2016”. Dhe prej 20 futbollistëve të atyre finaleve, Shqipëria tash kishte vetëm 8: Hysaj, Berisha, Lenjani, Memushaj, Roshi, Ajeti, Çikalleshi, Veseli. Gjurmë të forta të trajnerit De Biasi?

Shqiperia festa Uzuni

Mirëpo, titullar i plotë ishte vetëm 1: Hysaj. Kemi hyrë qartë në rrugën e një Shqipërie tjetër. Kjo është e pamënjanueshme dhe si të tillë na takon ta gjykojmë, ndonëse në këtë analizë u përpoqëm ta integrojmë me historinë “e vjetër”. Histori krahasuese që na ndihmon fort për të vështruar me guxim të ardhmen.

Ndërkaq, kujtoj se Edy Reja është i vetmi trajner i shumë ndeshjeve në gjithë historinë e Kombëtares, i cili ka bilanc pozitiv në kualifikimet për Kupën e Botës, për Kampionatin Europian dhe për Ligën e Kombeve së bashku: 17 ndeshje, 8 fitore, 3 barazime, 6 humbje, golat 24-18. Duhet të ndihet krenar, të paktën deri tani. Ndonëse për të mbërritur plotësisht te rekordi në fjalë për në Kupën e Botës, për Shqipërinë e trajnerit të Edy Reja, edhe pse është në majë të renditjes sonë, mendja ta thotë se tash do të nisin vështirësitë më të mëdha: Polonia, Hungaria e kushedi se çka tjetër…

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"