De Biazi humb me Gjeorgjinë, por “fiton” Spanjën më 30 maj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 29, 2012 | 19:11

De Biazi humb me Gjeorgjinë, por “fiton” Spanjën më 30 maj

Gjeorgji – Shqipëri 2-1
Golat: Kobakhidze 48′, Amisulashvili 87’/ Çani 3′
Gjeorgjia: Revishvili, Khizanishvili, Amisulashvili, Kashia, Grigalava , Duashvili (Gelashvili 46′), Ananidze (Kenia 75′), Kvirkvelia (Grigalashvili 89′), Kobakhidze (Targamadze 46′), Kankava (Dzaria 90′), Dvalishvili (Martsvaladze 57′)’. Trajner: T.Ketsbaia
Shqipëria: Ujkani (Shehi 87′), Lila, Dallku, Veliu (T.Osmani 87′), Agolli, Bulku (Bakaj 76′), Roshi, Vila, Hyka (Zeqiri 55′), Muzaka (G.Lika 87′), Çani (Sadiku 82′). Trajner: De Biazi

Gjyqtarë: G.Sidenco, O.Molchanov, V.Gorbatov (Moldavi)
Kartonë të verdhë: Kankava / Bulku, Lila, Vila

 


Komenti

Një gol i shpejtë i Edgar Çanit, një super-Ujkani jo vetëm në pritjet e penalltive, por edhe për mënyrën e dirigjimit të repartit difensiv dhe një arbitër fillestar, “i dashuruar” pas penalltive, ishin ato çka pasqyroi Shqipëria në Tbilisi, për herë të parë e targuar “Xhani de Biazi”. Dora e italianit u pa qartë që në start me vendosjen e ekipit në fushë dhe detyrat për gjithsecilin (të gjithë në sulm, të gjithë në mbrojtje), aq sa me pak më tepër siguri në vetvete, e natyrisht pa zemërgjerësinë e gjyqtarit moldav ndaj vendësve, kjo skuadër do kishte marrë rezultat pozitiv ndaj Gjeorgjisë. Gjithsesi, duke pasur parasysh se një pjesë e mirë e lojtarëve e njohin pak ose aspak njëri-tjetrin, si dhe faktin që u stërvitën bashkë në vetëm dy ditë, 90-minutëshi i djeshëm në mos rezultativ, duhet konsideruar si i mjaftueshëm për të besuar se kjo skuadër më sa paku ka të ardhme.
Ndryshimet – Tekniku italian i Kombëtares sonë i besoi Muzakës nga minuta e parë, duke lënë Zeqirin në stol dhe duke spostuar Hykën në qendër. Në fakt, kjo ishte ndoshta edhe pika që tekniku duhej ta kishte korrigjuar, duke qenë se gjatë gjithë pjesës së parë lojtari i Skënderbeut e pati mjaft të vështirë të luante në krahun e majtë (luan gjithnjë në të djathtë). Ndërsa pjesa tjetër e formacionit ishte rreshtuar sikundër De Biazi pat deklaruar që disa ditë më parë, me skemën 4-1-4- 1, e cila nga njëra anë të jep mundësi të kesh më shumë forca në mbrojtje, por edhe të sulmosh po me shumë lojtarë, duke qenë se në krah luante Roshi e në qendër Hyka, që të dy mjaft të shpejtë. Në kampin tjetër, Ketsbaia hodhi në fushë formacionin e tij më të mirë, pa kursyer edhe Dvalishvilin, sulmues ky që shihet si “Shota Avarladze” i ri i Gjeorgjisë.
Pjesa e parë – Shqipëria e nis në mënyrën më të mirë takimin, duke shënuar që në minutën e 3-të. Kapiteni i vendësve, Kizanishvili, gabon në gjysmëfushën e vet dhe aty është Çani që përfiton, duke u lëshuar drejt portës së gjeorgjianëve. Sllallom i gjigandit 22-vjeçar të Polonia Varshavës që u konkludua me një gjuajtje tokazi me të majtën, e cila u bë e pakapshme për portierin. Shqipëria në avantazh. Debutim magjik për Çanin. Në minutat në vazhdim kuqezinjtë luajnë më të qetë dhe hera-herës tentojnë të krijojnë panik te porta e Revishvilit, por pa arritur të konkretizojnë si duhet. Ndërsa vendësit rrezikojnë dy herë me anë të Ananidze dhe Dvalishvilit, para se arbitri Sidenko të akordonte një penallti inekzistente: kros në zonë për Dvalishvilin, i cili ndeshet trup më trup me Veliun dhe kjo përplasje është 11-metërsh për arbitrin. Gjithsesi, në katedër thirret Ujkani, i cili pret dy gjuajtje radhazi, gati të dyja nga 11 metrat, duke ruajtur të pastër portën e tij. Pas pritjes së penalltisë, kuqezinjtë marrin zemër dhe është Roshi që në një nga zbritjet e tij tipike në krahun e djathtë lëshon një kros në zonë për Çanin, por që neutralizohet nga portieri vendës.
Pjesa e dytë – Fraksioni i dytë nis shumë keq për tanët, të cilët pësojnë golin e barazimit pas një gafe të Agollit si fillim dhe përgjumjes së Dallkut në momentin e fundit kur duhej të mbyllte zonën. Goli ndikoi psikologjikisht te lojtarët tanë, të cilët për minuta me radhë nuk arritën më që të kalonin gjysmëfushën kundërshtare. Nga ana tjetër, vendësit krijuan volum të madh loje, por nuk arritën që ta mposhtnin Ujkanin. Kur duheshin edhe tri minuta nga fundi i takimit, protagonist bëhet sërish arbitri: kros në zonën tonë, ku Zeqiri ndërhyn për të larguar topin duke u përplasur me një lojtar vendës. Kaq u desh, vetëm kontakti, dhe Sidenko akordon sërish 11-metërsh. Gjuan Gelashvili, por pret sërish Ujkani. Topi kthehet tek i njëjti lojtar, që tenton përsëri, sfera ndalet në traun e portës dhe kthehet sërish në lojë. Gjuan në fund Amisulashvili, duke shënuar golin e dytë, me një mbrojtje të kuqezinjve, për hir të së vërtetës jo vetëm statike por totalisht e hutuar. Do mjaftonte kontrasti me kundërshtarin për të evituar golin e disavantazhit. Në minutat e fundit Shqipëria ka një rast të pastër nga goditja e dënimit, por Bakaj është larg kohëve të tij më të mira. Si konkluzion humbim një miqësore që, për atë çka skuadrat dhanë në fushë, barazimi do kishte qenë rezultati më i drejtë, dhe sakaq fituam një gjeneratë të re që të bën të besosh për kualifikimet e Botërorit 2014.


Si e nisi taktikisht lojën Shqipëria

Shqipëria luajti ndeshjen e parë zyrtare për vitin 2012, ndërkohë që debutim në krye të kuqezinjve bënte edhe trajneri italian, De Biazi. Luhej në Tbilisi, ndaj kombëtares së Gjeorgjisë, me të cilën nuk i kemi të pakta përballjet, qofshin zyrtare, apo miqësore. Bilanci fliste pozitivisht për gjeorgjianët, të cilët na kanë mundur tashmë 7 herë, i kemi mundur 3 herë dhe në barazim jemi ndarë 2 herë. Me një golaverazh në total 19-10 për Gjeorgjinë. Miqësorja e sotme fliste në shumë drejtime. Por, ajo që është më kryesorja kishte të bënte me startin e përgatitjeve të të dyja skuadrave për fushatën kualifikuese të Botërorit 2014. Kuqezinjtë tanë nisin një erë të re, “made in De Biazi”, me ndryshime ne emra, por edhe në mënyrë loje. Tre ishin debutuesit, në radhët e lojtarëve që kishte thirrur De Biazi për këtë miqësore: Edgar Çani, pyka e vetme në sulmin e kombëtares sonë, nga fillimi i lojës, ndërkohë që mesfushori Hair Zeqiri dhe sulmuesi Armando Sadiku do t’i nisnin 90-minutat nga stoli. Për t’u hedhur në fushë në një moment të dytë, kur trajneri De Biazi e pa të arsyeshme të niste zëvendësimet, që ishin të shumta për të dyja skuarat. Kjo, për faktin se ishte ndeshje miqësore dhe të dy trajnerët do të shihnin në veprim lojtarët e tyre, duke bërë edhe eksperimente të karakterit taktik. Shqipëria e nisi ndeshjen me Gjeorgjinë me një modul taktik 4-1-4-1, ku prioritet kishte mesfusha dhe mbrojtja. Dy reparte që duhej të funksiononin në fleksibiltet të plotë, në mënyrë që të ndihmonin njëri-tjetrin. Por, nëse vëren elementët e përfshirë në mesfushën kuqezi, konstaton lehtësisht potencialin ofensiv të tyre. Çka do të thoshte se lojtarë të tillë krahu, si Roshi dhe Muzaka, apo edhe Hyka, i vendosur në rolin e një fantazisti pas Edgar Çanit, do të përbënin manovrën sulmuese të Shqipërisë, në momentin kur topi do të ishte në zotërimin tonë dhe vështrimi drejt portës gjeorgjiane. Në këtë rast do të kalohej në modulin 4-3-3, ku mesfusha dhe sulmi sulmojnë bashkarisht. Një mënyrë të tillë loje De Biazi e ka justifikuar me faktin se kështu mbrohemi më mirë dhe sulmojmë me shumë forca. Në mungesë të dyshes së zakonshme të qendrës së mbrojtjes kuqezi Cana-Curri, De Biazi eksperimenton me duetin Dallku-Veliu. Mbrojtësi i Vorskla Poltavës, në fakt ka luajtur zakonisht në të djathtë të mbrojtjes, kështu që ishte një “meremetim” i prapavijës së kombëtares sonë zhvendosja e tij në qendër, ku pati partner, në rolin e tij natyral, Franc Veliun e Flamurtarit. Mungesa e Vangjelit në të majtë kishte spostuar në mbrojtje, në këtë krah, Ansi Agollin, që në kushte normale luan si mesfushor i këtij krahu. Por, në këtë rol, ai është zëvendësuar nga Muzaka, i cili do ka bërë “krahët” e Shqipërisë, së bashku me Roshin. Në kahun tjetër “patrullonte” Andi Lila. Ervin Bulku, një “digë” para prapavijës sonë, i jepte një “dorë” edhe mesfushës. Ai luajti i vendosur si një “filtër” mes këtyre dy reparteve, mesfushës dhe mbrojtjes. Ndërsa para tij, me detyra organizative, dyshen e qendrës së mesfushës kuqezi e përbënte Vila dhe Hyka. Dy ekstremet e kombëtares sonë në startin e kësaj miqësoreje ishin: në portë Ujkani dhe në sulm, Edgar Çani.

De Biazi, pas ndeshjes: Pjesa e parë, shumë e mirë
Pas ndeshjes, trajneri italian i Kombëtares së Shqipërisë, De Biazi, duke analizuar miqësoren me Gjeorgjinë, që ishte edhe debutimi i tij me kuqezinjtë, tha: “Nga kjo ndeshje të mbetet shija e keqe e rezultatit, por dua të them se këtu pati ndikimin e tij edhe arbitri, vendimet e të cilit ishin të dyshmita. Madje, edhe falë tij, ne e humbën këtë ndeshje. Në pjesën e parë lojtarët i zbatuan me përpikmëri detyrat që u kisha ngarkuar, funksionuam mjaft mirë të organizuar si skuadër, ndërsa në të dytën vuajtëm disi, sidomos në 20 minutat e para. Për mua ka pak rëndësi rezultati në këtë ndeshje, por ajo çka dua të evidentoj për mirë është karakteri që treguam në pjesën e parë, ndërsa si defekt, që duhet rregulluar, menaxhimi i rezultatit, kur jemi në erpërsi. Edgar Cani bëri një ndeshje shumë të mirë, edhe pse në debutim. Ai e nisi me gol përfaqësimin me Shqipërinë, madje shënoi shumë shpejt, duke na ndihmuar të rriteshim psikologjikisht. Edhe debutuesit e tjerë, për aq minuta sa patën në dispozicion, u munduan ta justifikojnë veten. Rëndësi ka fakti që tashmë e njoh edhe më shumë skuadrën, kam pikasur problemet, me të cilat do të merremi hap pas hapi, që t’i minimizojmë sa më shumë të jetë e mundur.”
Ndërkohë, duke folur në konferencën për shtyp, pas ndeshjes, për gazetarët gjeorgjianë, trajneri De Biazi ka folur shkurt, duke nënvizuar: “Takimi ishte plot me ngjarje interesante dhe të rëndësishme. Në gjysmën e parë të ndeshjes, lojtarët e mi luajtën mirë, atëherë kur siguruam edhe avantazhin. Në këtë pjesë të lojës ekipi im ishte i qartë. Për mua, kjo ndeshje ka shërbyer si debutim në rolin e trajnerit të Shqipërisë. Duke qenë trajner i një kombëtareje, natyrisht kërkoja ta nisja këtë punë të re me sukses, por kjo humbje nuk është një tragjedi. Po përgatitemi për eliminatoret e Kupës së Botës dhe jemi në kërkim të përbërjes optimale të Shqipërisë. Nuk ishte kjo kombëtarja e plotë, që unë drejtoj, sepse së shpejti do të na rikthehen edhe dy lider, Erjon Bogdani dhe Lorik Cana.”

Italiani, i dyti që e nis me humbje te Kombëtarja
Trajneri italian i kombëtares, Xhani de Biazi, e nisi aventurën e tij me Shqipërinë me një humbje 2-1 me Gjeorgjinë, në Tbilisi, por performanca e kuqezinjve ishte e pëlqyeshme në “Mikhail Meskhi”. Duke marrë në konsideratë vetëm ndeshjet e para miqësore të trajnerëve të huaj në pankinën e Shqipërisë, kjo ishte humbja e dytë, përfshirë edhe atë të holandezit Ari Han, ky i fundit humbi 1-0 me Poloninë, në Reutlingen të Gjermanisë, më 27 maj 2008. Serbi Ljubisha Broçiç fitoi 5-0 ndaj Malit të Zi (në Shkodër, më 22 shtator 1949), por ajo nuk njihet nga FIFA. Autorët e golave: Qamil Teliti (2), Ruzhdi Bizhuta (2), Xhelal Juka. Sovjetiku Boris Apuhtin, në ndeshjen e tij të parë barazoi në ndeshjen Rumani- Shqipëri 1-1, të luajtur në Bukuresht (23.10.1949). Goli nga Qamil Teliti. Hungarezi Miklosh Vadash fitoi 2-0 me Poloninë (më 29 nëntor 1953), me golat e Loro Boriçit dhe Refik Resmja, dy yjeve të Partizanit. Gjermani Hans Peter Brigel e nisi me një fitore të bujshme, duke mundur 5-0 Vietnamin aziatik, por në një turne të organizuar në “Norçia” të Italisë. Golat mbajnë firmat e Florjan Myrtajt (2), Alban Bushit, Mehmet Dragushës dhe Altin Rrakllit. Kroati Oto Bariç e nisi me një fitore në transfertë, duke fituar 3-0 me San Marinon modeste, në Seravale. Shënues: Igli Tare, Ervin Skela dhe Altin Lala. Kroati Josip Kuzhe, në miqësoren e parë të tij barazoi 1-1 me Gjeorgjinë (10.06.2009). Gol i Ansi Agollit.

Ketsbaia: Mos u merrni me arbitrin, e merituam fitoren
Gjeorgjia arriti të përmbysë disavantazhin e pjesës së parë, duke e fituar miqësoren ndaj Shqipërisë me rezultatin 2-1. Trajneri Temuri Ketsbaia nuk dëshiron të merret me vendimet e dyshimta të arbitrit, por të cilësojë si të merituar suksesin e skuadrës së tij. “Nuk dua t’i komentoj penalltitë që akordoi arbitri, pasi janë vendime që i merr vetëm ai. Unë mund të them vetëm se ne gabuam në të dyja 11-metërshat dhe kjo është shqetësuese, aq më tepër që ishte një miqësore dhe pa shumë presion. Në të ardhmen do mendoj seriozisht për të përzgjedhur lojtarin që do ekzekutojë penalltitë, – u shpreh 43-vjeçari. – Synimi im kryesor nga kjo sfidë ishte që të analizoja formën fizike të lojtarëve, dhe në fakt mora një përgjigje deri diku pozitive. Në pjesën e parë nuk luajtëm mirë dhe Shqipëria arriti ta ruajë avantazhin 1-0, me një gol që erdhi pas një shpërqendrimi të mbrojtjes sonë. Por, që pas shënimit të golit nga kundërshtari, ne ishim më superiorë në fushë. Pjesën e dytë dominuam akoma më shumë dhe sigurisht që e merituam fitoren. Pavarësisht se shënuam vetëm dy gola, unë mendoj se duhet të kishim shënuar më shumë. Sulmi nuk ishte në një ditë të mirë, gjithsesi ata ishin në formë të mirë fizike dhe rrezikuan në mënyrë konstante”, shtoi trajneri Ketsbaia. Në fund të deklaratës së tij, kreu i pankinës së Gjeorgjisë thuri elozhe për talentin Jano Ananidze: “Është vetëm 19 vjeç, por është shumë cilësor dhe një nga lojtarët tanë më të rëndësishëm. Zhvilloi një tjetër ndeshje pozitive”.

Cani: Shumë i lumtur nga debumtimi me gol
Një debutim ëndrrash ai i Edgar Çanit me përfaqësuesen shqiptare. Pati premtuar gol para ndeshjes dhe e mbajti fjalën, sepse topin i parë që preku si kuqezi, e dërgoi në rrjetë pas 130 sekondash. Më mirë se kaq nuk mund të shkonte për sulmuesin e rritur në Itali dhe që shpeshherë, në mënyrë absurde, ishte anashkaluar nga zyrtarët e Federatës Shqiptare të Futbollit. “Jam shumë i kënaqur për golin dhe debutimin që bëra me Kombëtaren e Shqipërisë. Luajtëm një ndeshje me dy tablo. Në pjesën e parë luftuam shumë dhe bëmë një paraqitje të mirë, ndërsa në të dytën e nisëm keq, shumë të ndrojtur, ndaj edhe pësuam golin e barazimit shumë shpejt”, ka thënë Çani për “Supersport”. Dedikimi 22-vjeçari, i cili dje mbante në fanellë numrin e Salihit, ka pohuar se ka qenë një emocion shumë i madh për të debutimi me Shqipërinë. Golin ia ka dedikuar nënës së tij, ndërsa babait që ndodhet në “Big Brother” i ka uruar që të dalë fitues në garën që ka ndërmarrë. “Golin ia dedikoj nënës sime. Në fakt, kisha shumë emocione që para se të niste loja, duke qenë se ishte debutimi im me Shqipërinë, por fatmirësisht gjithçka shkoi mirë, sepse shënova gol që në minutën e tretë. Kjo më ndihmoi ta përballoja presionin e ndeshjes së parë me kombëtaren. Ishte një ndeshje miqësore, nuk kemi pse hidhërohemi nga humbja. Duhet të nxjerrim mësimet e duhura dhe të shohim përpara. Gjithsesi, duhet të vazhdojmë të punojmë dhe të rritemi ndeshje pas ndeshjeje. Babai në ‘Big Brother’? I uroj të qëndrojë sa më gjatë aty dhe të dalë fitues”, ka deklaruar Çani.
E kaluara Sulmuesi mban të njëjtin emër me të atin, ndaj ka kërkuar që të thirret Edgar Çani jr. (Edgar Çani xhunior). Specialistët italianë e cilësuan në fillimet e veta si pasardhësin e Bobo Vierit, ndërsa në Shqipëri konsiderohej si zëvendësuesi ideal i Erjon Bogdanit. Ishkapiteni i Kombëtares shqiptare, Igli Tare, ia kishte rekomanduar Federatës Shqiptare të Futbollit, por zyrtarët e ftohtë nuk e kishin marrë në konsideratë sulmuesin e ri gjigant. Me një hipotekë prej 9 golash në kampionatin polak (me Polonia Varshavën) dhe një formim prej lojtari profesionist me gjashtë skuadra italiane: Peskara, Palermo, Askoli, Padova, Piacenca dhe Modena, Çani e fitoi thirrjen e parë në kombëtare, pikërisht nga një trajner italian, Xhani de Biazi, kur kroati Josip Kuzhe nuk e kishte marrë kurrë në konsideratë gjigantin 192 cm. Goli i Çanit ishte i pari i realizuar në tokën gjeorgjiane, pasi në Tbilisi Shqipëria nuk kishte shënuar në asnjë prej katër ndeshjeve të mëparshme. “Shpresoj që në të ardhmen të luaj përkrah Bogdanit dhe Salihit, ky është objektivi im”, tha lojtari.

“Rekordet” e sulmuesit
Edgar Çani shkroi emrin e tij në librin e golashënuesve të Shqipërisë, në një ndeshje ndërkombëtare, pas golit që 22-vjeçari realizoi dje në miqësoren me Gjeorgjinë, në Tbilisi. Sulmuesi që luan te Polonia Varshava në Poloni, bëhet kështu lojtari i 77-të i Kombëtares që shënon të paktën një gol. Nga një gol kanë shënuar deri tani 40 lojtarë. Goli i Edgar Çanit ishte i dhjeti që Kombëtarja shqiptare shënon në 12 ndeshje me Gjeorgjinë, dhe i pari i realizuar në tokën gjeorgjiane. Ai është gjithashtu edhe një nga shënuesit më të shpejtë të përfaqësueses në historinë e saj. Rekordin absolut për sa u përket golave të shënuar me fanellën kuqezi e mban Erjon Bogdani me 15 gola.

Mundi shokun e ekipit
Shqipëria humbi, por jo Edgar Çani. Në fakt, sulmuesi kishte deklaruar në mediat polake para kësaj ndeshjeje se do të shënonte gol kundër skuadrës së shokut të tij të skuadrës te Polonia e Varshavës, Vladimir Dvalishvili. Madje ky i fundit humbi edhe penalltinë e parë në pjesën e parë të lojës, duke stonuar shumë në krahasim me kolegun shqiptar, Edgar Çani. Sulmuesi kuqezi ka fituar duelin me Dvalishvilin edhe në kampionatin polak, duke i marrë vendin e titullarit, kjo falë 9 golave të shënuar deri tani. Nga ana tjetër, gjeorgjiani ka shënuar vetëm 1 gol gjatë gjithë sezonit.

Ujkani: Goli i dytë ishte i parregullt
Ka qenë padiskutim një hero në miqësoren me Gjeorgjinë, edhe pse pësoi dy gola. Që të dy, jo për faj të tij. Samir Ujkani ka pritur dy penallti në Tblisi, duke u bërë makthi i gjeorgjianëve në këtë miqësore. Pas ndeshjes, kosovari i portës kuqezi do të deklaronte: “Jam shumë i kënaqur me lojën tonë. Sidomos në pjesën e parë ishim super. Në 20 minutat e para të pjesës së dytë vuajtëm presionin e Gjeorgjisë, e cila ushtroi presing të madh. Në këtë moment pësuam edhe golin e parë. Goli i dytë i gjeorgjianëve ishte i parregullt, sepse në momentin kur e goditi topin lojtari vendës, e preku fillimisht me dorë. Prandaj protestova edhe tek gjyqtari, por ai vendosi të vazhdonte lojën. Duhet të dimë se luanim në një fushë të vështirë, ndaj paraqitja e kombëtares në këtë miqësore, në total, duhet konsideruar pozitive. Me De Biazin trajner do të përfitojmë shumë në aspektin taktik. Falë punës së tij do të përmirësohemi edhe më, duke u rritur nga ndeshja në ndeshje. Personalisht, jam i kënaqur që prita dy penallti, edhe pse nuk e evitova dot humbjen. Po punoj shumë te Novara, ndërsa po mundohem të përparoj edhe me kombëtaren. Në të shkuarën kam bërë ndonjë gabim, por më duhet të fitoj edhe pak eksperiencë. Sa i takon ardhjes së një portieri tjetër kosovar në kombëtare, Etrit Berishës, unë nuk e njoh personalisht, por e di se është një portier shumë i mirë. Ai është i mirëpritur nga unë, sepse të gjithë kemi një qëllim, të ecim sa më përpara me kombëtaren. Dhe konkurrenca, edhe në portë, e siguron këtë gjë në kombëtare. Këtu nuk kanë përparësi interesat personalë të miat apo të ndokujt tjetër, por përfaqësimi sa më dinjitoz i Shqipërisë.”

Ervin Bulku: Arbitri u bë personazh
Ervin Bulku ka provuar të bënte kapitenin e kombëtares kuqezi në Tbilisi. Në miqësoren me Gjeorgjinë, ai ka qenë një lider në mesfushë, vecanërisht në shkatërrimin e manovrës sulmuese të vendësve. Duke analizuar lojën e zhvilluar në miqësoren e së mërkurës, Ervin Bulku do të shprehej: “Kishim shumë të rinj në lojë, të cilët dhanë më të mirën e tyre, sidomos në pjesën e parë. Në pjesën e dytë ishim disi të ndrojtur, pësuam edhe golin e barazimit, pastaj arritëm të rivendosnim ekulibrat. Nuk dua të flas për arbitrimin, që në fakt u bë personazh në këtë miqësore. Djemtë e rinj, që janë afruar në kombëtare, kanë perspektivë dhe do të na ndihmojnë të rritemi si ekip, por u duhet njëfarë kohe që të përshtaten dhe t’i zëvendësojnë si duhet veteranët e larguar. Duhet njëfarë kohe për këtë. Në fushë, kur luan me kombëtaren, ndien lodhjen dhe emocionin e vecantë të përfaqësimit të kombit tënd, ndaj reaguam ashtu ndaj gjyqtarit, që gaboi në momentin e golit të dytë të Gjeorgjisë. I kuptueshëm nervozizimi ynë në atë rast, po të mos harroni edhe karakterin e shqiptarit. U munduam të japim më të mirën në këtë miqësore dhe mendoj se pjesa e parë duhet marrë si shembull.”
Ndërkohë, për mediat gjeorgjiane, kapiteni i Shqipërisë në miqësoren e Tbilisit, Ervin Bulku, ka dhënë këtë intervistë të mëposhtme.
Si e vlerësoni takimin?
Ndeshja ishte shumë e vështirë. Ishte hera e parë që takoheshim me disa lojtarë, të cilët luajtën shumë mirë. Në pjesën e parë i zbatuam si duhet udhëzimet e trajnerit. Në gjysmën e dytë të lojës ishit ju më superiorë, por sipas mendimit tim, rezultat logjik i kësaj miqësoreje do të ishte 1-0.
Pse protestuar te gjyqtari?
Sepse futbollistët gjeorgjianë e kanë kapur topin me dorë në rastin e penalltisë së dytë, pasi e priti në fillim portieri ynë. Kjo shihet qartë, por gjyqtari vendosi të mos e ndalojë lojën. Në përgjithësi, gjykimi ishte i tmerrshëm. Penalltia e parë kundër nesh ishte e padrejtë.
Por ju kundërshtuat edhe penalltinë e parë…
Dënimi në këtë rast, e përsëris, ishte i padrejtë. Mbrojtësi ynë vërtet mund ta ketë shtyrë kundërshtarin, por arbitri mezi priti të vërshëllente, çka tregon se ishte i njëanshëm në këtë ndeshje.
Në përgjithësi, si e vlerësoni performancën e ekipit gjeorgjian?
Keni një kombëtare të aftë, me lojtarë shumë të shpejtë dhe të rrezikshëm në veprimet sulmuese. Edhe ju, si Shqipëria, keni një ekip të ri dhe premtues.
Cilin lojtar të Gjeorgjisë do të veçonit?
Shumë lojtarë më pëlqyen, por nuk ua di mbiemrat. Sidoqoftë, Kobakhidze më la një përshtypje shumë të mirë. E njoh atë, sepse kemi lujtur bashkë te Krivbasi. Sandro ishte rritur vërtet shumë si futbollist pas largimit tim nga Ukraina.

Bushi: Të evitojmë presionin
Menaxheri i ekipit kombëtar, Alban Bushi, tha se mbeti i kënaqur nga performanca e skuadrës në përgjithësi, porse nuk duhet ushtruar shumë presion mbi të rinjtë. “Mbase paraqitja nuk ishte ajo që na pëlqen të gjithëve, por ama duhet të jemi të ndërgjegjshëm e të marrim në konsideratë disa elementë të rëndësishëm. Së pari, skuadra përbëhej nga disa lojtarë të rinj që kanë pak kohë që njihen mes tyre. Së dyti, në stadium ishin 40 mijë tifozë kundër skuadrës sonë dhe së treti, arbitri e ekzagjeroi me disa vendime. Duke marrë parasysh të gjithë këta faktorë, unë mendoj se paraqitja ishte e mirë dhe skuadra dha sinjale pozitive. Duhet të bëjmë pak durim dhe të evitojmë presionin e tepër, pasi kjo nuk e ndihmon ekipin. Kam besim maksimal te trajneri dhe stafi i tij, sepse ai nuk është vetëm, por menaxhon skuadrën edhe me asistentët e vet italianë, që pa diskutim janë edhe katër trajnerë të shkëlqyer. Kjo është një risi në kombëtare dhe unë personalisht e vlerësoj shumë”, u shpreh ish-bomberi kuqezi.

De Biazi para ndeshjes
“Shpresoj ta nisim me këmbën e mbarë. Kemi punuar kryesisht në aspektin taktik dhe psikologjik të lojtarëve, sepse nuk kemi pasur shumë kohë pë gjëra të tujera në dispozicion. Para ndeshjes u kam bërë një letër futbollistëve, me të cilën kam dashur t’u transmetoj atyre emocionet e mia. Ata duhet ta vlerësojnë maksimalisht veshjen e fanellës së kombëtares, ndaj pres në çdo ndeshje 110 përqind të tyre”.

Smalji mbetet jashtë 18-shes
Ka shprehur keqardhjen e tij trajneri De Biazi për mbetjen jashtë 18-shes së Shqipërisë për këtë ndeshje të mbrojtësit lezhjan të Vllaznisë, Dritan Smajli. I thirrur “in extremis” , si zëvendësues i Kristi Vangjelit, që pësoi dëmtim në momentet e fundit, Smajlit i ka rënë ta përcjellë nga tribuna këtë miqësore, që është edhe thirrja e tij e parë me kombëtaren kuqezi. Zgjidhje e stafit teknik kjo, e marrë me shumë keqardhje, sikurse tha vetë De Biazit para nisjes së sfidës në Tbilisi.

Sidenko, fillestari që ndëshkoi kuqezinjtë
Takimi i djeshëm u ndikua me dashje apo jo edhe nga vendimet e dyshimta të arbitrit Genadi Sidenko. Moldavi jo vetëm që dha dy penallti që zor se do akordoheshin nga cilido tjetër arbitër, por ndërhyri shpesh edhe në copëzimin e lojës duke akorduar shpeshherë goditje dënimi në mesin e fushës, sidomos kundër skuadër sonë. Sakaq duhet thënë se Gjeorgji- Shqipëri ishte ndeshja e parë ndërkombëtare në rang kombëtaresh që ky arbitër gjykonte në karrierën e tij. Ai ka pasur rastin të arbitrojë edhe dy herë Shqipërinë, por atë U-17 në kualifikimet e 2011-ës, në takimet Norvegji-Shqipëri 2-0 dhe Shqipëri- Irlandë 0-2. Por, ajo që bën më tepër përshtypje në karrierën e këtij arbitri ka qenë fakti se vitin e shkuar ai ka qenë në qendër të vëmendjes jo vetëm të futbollit moldav, por edhe të gjithë Evropës. Gjatë ndeshjes Iskra-Stal në kampionatin e Moldavisë, pasi i nxori kartonin e kuq lojtarit Julian Bursuc, Sidenko u rrah barbarisht në fushën e lojës nga ky i fundit. Ngjarja bëri bujë, aq sa prestigjiozja “dailymail” e futi në “top-10? e vitit të shkuar të futbollit evropian.

Superkoeficient për kthesën gjeorgjiane
Ashtu sikundër shkoi ndeshja e djeshme, me fitore të Shqipërisë në pjesë të parë dhe kthesën totale të vendësve në pjesën e dytë, bëri që në baste të arrihej edhe koeficienti më i lartë i parashikuar për këtë takim. Kështu 2/1 i kësaj përballje kishte koeficientin 35, më të lartin nga ata të parashikuar nga të gjitha kompanitë e basteve në botë.

Shqipëria, miqësore me Spanjën më 30 maj
Shqipëria do të luajë kundër Spanjës më 30 qershor në Zyrih. Lajmin e konfirmuan burime të besueshme pranë presidentit të FSHF-së, Armand Duka. Ky i fundit ka arritur një marrëveshje me zyrtarët e federatës spanjolle dhe është caktuar që ndeshja miqësore me kampionët e Botës dhe të Evropës të luhet në Zvicër në fund të muajit maj, periudhë që përkon edhe me fazën përgatitore para finaleve të Euro 2012.
Marrëveshja FSHF-ja, prej më shumë se një viti i kishte bërë kërkesë federatës së Spanjës për një ndeshje miqësore. Duka ka shfrytëzuar miqësinë që ka me homologun e tij, Vilar dhe përgjigjja kishte ardhur pozitive, por pa u caktuar një datë. Gjithçka është vendosur ditët e fundit, ku Spanja, në përpjekje për të siguruar një kundërshtar për të testuar ekipin para Euro 2012, ka pranuar ftesën e Shqipërisë për një miqësore. Për fatin e keq të fansave kuqezi, ndeshja nuk do të mund të zhvillohet në vendin tonë, por gjithsesi, edhe në Zvicër pritet që të jenë një numër shumë të madh shqiptarësh në stadium.
Italia Shqipëria është në bisedime edhe me Federatën Italiane të Futbollit për një ndeshje miqësore në fund të muajit maj. Këtë e ka konfirmuar vetë Duka, i cili tha disa ditë më parë se po projektohet një turne miqësor në Palestinë, ku do të marrin pjesë tetë ekipe përfaqësuese, mes të cilave edhe Italia. “Duam që të marrim pjesë edhe ne. Jemi në negociata, por të shohim”, ka thënë presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit. Kujtojmë se pas vendimit të së martës të UEFA-s, Shqipëria nuk do të ketë mundësi të zhvillojë ndeshje miqësore në muajin gusht. Ky vendim u mor, pas kërkesës së disa klubeve të mëdha evropiane.

SKEDAT
03.12.1986 – EURO 1988
SHQIPËRI – SPANJË 1-2
SHËNUES: Muça 27’/ Arteçe 67′, Joakin 83′
KARTONË TË VERDHË: Omuri/ Arteçe, Sançis
SHQIPËRIA: Musta, Zmijani, Hodja, Taho, Jera, Omuri, Ferko (Kola
69′), Demollari, Josa, Muça, Minga.
SPANJA: Zubizareta, Çendo, Kamaço, Arteçe, Sançis, Senjor (Eloj
46′), Joakín, Miçel, Viktor, Rinkon, Butragenjo.
Trajner: Miguel Munjoz

18.11.1987 – EURO 1988
SPANJË – SHQIPËRI 5-0
SHËNUES: Bakero 5′, 31′, 74′, Miçel 34′, Lorente 67′
KARTONË TË VERDHË: Goikoetçea/ Ocelli, A.Lekbello
SPANJA: Zubizareta, Çendo, Goikoetçea, Hulio Alberto (Kike Flores
61′), Sançis, Viktor, Bakero, Miçel, Senjor, Kalderé (Lorente 46′),
Butragenjo. Trajner: Miguel Munjoz
SHQIPËRIA: K.Lekbello, A.Lekbello, Gega, Iljadhi, Taho, Ocelli, Demollari
(Ferko 70′), Josa (Ruci 69′), Bubeqi, Gjondeda, Minga.
Trajner: Shyqyri Rreli

19.12.1990 – EURO 1992
SPANJË – SHQIPËRI 9-0
SHËNUES: Amor 19′, Karlos 22′, 63′, Butragenjo 30′, 57′, 66′, 74′
Hierro 37′, Bakero 86′; KARTONË TË VERDHË: Ferko
SPANJA: Zubizareta, Alkorta, Hierro, Sançis, Amor, Miçel (Kike
Flores 61′), Vazkez, Goikoeçea (Bakero 76′), Manolo, Butragenjo,
Karlos. Trajner: Luis Suarez
SHQIPËRIA: Arapi, Lekbello, Zmijani, Dëma, Stafa, Ferko (Hodja 55′),
Millo, Kushta, Ibro, Tahiri, Kola (Demollari 37′). TRAJNER: Agron Sulaj

22.04.1992 – USA 1994
SPANJË – SHQIPËRI 3-0
SHËNUES: Miçel 2′, 65′, Hierro 87′
KARTONË TË VERDHË: Nuk ka
SPANJA: Zubizareta, Abelardo, Giner, Hierro, Nando, Amor, Miçel
(Eusebio 85′), Vizkaino, Butragenjo, Goikoeçea, Manolo (Bakero
54′). Trajner: Visente Miera
SHQIPËRIA: Strakosha (Dani 69′), Lekbello, Çipi, Vata, Demollari,
Millo, Abazi, Josa (Peqini 61′), Kola, Kushta, Barbullushi.
Trajner: Bejkush Birçe

22.09.1993 – USA 1994
SHQIPËRI – SPANJË 1-5
SHËNUES: Kushta 40’/ Salinas 4′, 30′, 61′, Toni 19′, Kaminero 67′
KARTONË TË VERDHË: Dashi/ Zubizareta, Alkorta
SHQIPËRIA: Strakosha, Shulku, Dashi, Vata, Millo, Abazi, Kushta,
Kaçaj, Shehu, Kepa (Dalipi 76′), Fortuzi. Trajner: Bejkush Birçe
SPANJA: Zubizareta, Alkorta, Kamarasa, Hierro, Nadal, Toni,
Kaminero, Guerrero (Guardiola 55′), Alfonso (Estebaranz 78′),
Goikoeçea, Salinas. Trajner: Javier Klemente
Shënim: Ndeshja e 18.12.1991 për kualifikimet e EURO 1992 mes Shqipërisë dhe Spanjës në Tiranë nuk u luajt për shkak të gjendjes politike në vendin tonë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"