Shqipëria dhe Kosova me Kupë të përbashkët, kërkohet që fituesi të luajë në Europë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 25, 2019 | 14:30

Shqipëria dhe Kosova me Kupë të përbashkët, kërkohet që fituesi të luajë në Europë

Dy presidentët e federatave të futbollit të Kosovës dhe Shqipërisë, Agim Ademi dhe Armand Duka po planifikojnë të bëjnë një kupë të përbashkët, ku do të marrin pjesë skuadrat e të dyja shteteve dhe fituesi i së cilës do të luante në Ligën e Europës.

Ademi-Duka-640x375

Krerët e Federatave të Futbollit të të dy vendeve, kanë menduar që emrin kësaj kupë t’ia vendosin “Nënë Tereza”. Agim Ademi ka dhënë një intervistë për gazetën “Zëri”, teksa flet për këtë kupë dhe sqaron pretendimet.

“Kjo kupë do të jetë masive dhe do të zhvillohet gjatë gjithë vitit. Mund të luhen ndeshjet në mesjavë të mërkurën ose të enjten kur nuk ka ndeshje kampionati. Projekti do të jetë i përbashkët edhe me qeveritë tona. Do të krijohet një fond i posaçëm nga të dyja qeveritë dhe nga federatat. Krahas shpërblimit që do ta marrë fituesi nga federatat, do ta ketë edhe një shpërblim shtesë nga qeveritë. Kjo kupë do të njihet si kupa ‘Nëna Terezë’”, shprehet Ademi.

Më tej ai shton: “Ne e kemi dorëzuar në UEFA projektin dhe ende nuk kemi marrë përgjigje. Vitin tjetër do të mbajmë mbledhje për këtë çështje dhe do ta diskutojmë. Kjo çështje i takon më shumë presidentit Armand Duka, që është anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA. Në kuadër të kësaj i takon atij me kompetencë ta përcjellë këtë çështje. Duka është edhe përgjegjës i federatave të regjioneve si Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë”.

“Kemi kërkuar nga UEFA që fituesi i kësaj kupe të jetë i pranuar në garat e fituesve të kupave, që janë jashtë kupës së shtetit. Spanja, bie fjala, e ka Kupën e Mbretit dhe ky eveniment njihet nga UEFA. Fituesi i Kupës së Mbretit shkon në UEFA dhe ne e synojmë një gjë të tillë. Krahas kampionit të Kosovës, vendit të dytë dhe fituesit të kupës së shtetit, nga Kosova ose nga Shqipëria, do të jetë një skuadër tjetër skuadër pjesëmarrëse në Evropë që shkon nga kjo kupë”, përfundon Ademi.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"